Rreth debatit për "Kombin Kosovar"

Opinione

Rreth debatit për "Kombin Kosovar"

Nga: Haki Latifi Më: 24 tetor 2016 Në ora: 00:12
Haki Latifi

Kohët e fundit po hasim shpesh debate të ndryshme në media vizuele, të shkruara por edhe në rrjete sociale, që nga një çështje, qoftë kjo politike, sociale, ekonomike, të kalohet në disa çështje të tjera më pak të rëndësishme e të lëna pas.

Debate të tilla ndiqen me njëfarë simpatie, për aq sa ai reflekton nevojën për sajimin e një identiteti të përbashkët në Kosovën shtet.

Për të tejkaluar ndarjet socio-ekonomike dhe kulturore dhe për të kultivuar një ndjenjë të përbashkët bashkësie, shtetet moderne ndërmarrin masa të ndryshme. Prej tyre më të zakonshmet janë qytetaria, që nënkupton se të gjithë qytetarët e një shteti janë të barabartë para ligjit dhe kombësia, që nënkupton një ndjenjë solidariteti i bazuar në përkatësi kombëtare, apo së paku një unitet politik, që nënkupton një ndjenjë dhe përkushtim i përbashkët politik.

E gjithë sfida në këto raste përmblidhet në kthimin në normalitet, i cili realizohet duke u mbajtur fort pas së vërtetës. Nisur nga ky fakt na ka rënë të lexojmë, shikojmë dhe dëgjojmë lloj-lloj analiza të ndryshme që nxisin debate nga të quajtuarit "Analist" duke thën se i dijmë të gjitha pa ditur pothajse asgjë. Në rastin më të mirë i dijmë të gjitha gjërat nga pak, e në fakt nuk e zotërojmë asnjë në tërsi.

Këto debate vijnë si dëshmi për një padrejtësi historike bërë shqiptarëve, e vërtetë e cila flet për një gjuhë e gjak të përbashkët dhe flamur si simbol bashkimi e që pa dyshim përkundrejt kaosit që postnormalja mbjell, bëjnë shumë sens në zemrat e të gjithë neve.

Edhe pse ky bashkimin nuk u realizua për shkak të rrethanave politike në të cilën ndodhen shqiptarët, u pa si sukses dhe zgjidhje e pjesshme pavarësimi i Kosovës në një shtet si hapi i parë drejt qëllimit përfundimtar që do të realizohej në kohën dhe në rrethanat e favorshme.

RUGOVA : SHQIPTARËT SI QËLLIM E KAN PASUR DHE DO TA KENË BASHKIMIN

Themeltari i Pavarësisë së Kosovës Presidenti Dr. Ibrahim Rugova kurr nuk është shprehur për kombin kosovar, por ai gjithmonë është angazhuar për Kosovën si shtet i pavarur e sovran.
Presidenti Rugova në prononcimet e tija thoshte se; "Është shumë  normale dhe e natyrshme që shqiptarët, si të gjithë popujt tjerë të jetojnë të bashkuar, të jetojnë në një shtet. Shqiptarët si qëllim e kanë pasur dhe do ta kenë bashkimin, sado që në kohën e dominimit komunist u shrregullua kjo ide, ndërsa tash e tutje ajo do të jetë si ide udhëheqëse e shqiptarëve".

Pra, edhe bashkësia e shqiptarëve të Kosovës, në masë plebishitare nuk pranojnë të bëjnë asnjë llogari në disfavor të kombit shqiptar, të atij konstrukti ideal që përfshin gjithë trojet dhe etninë shqiptare dhe që synon që, shpejt a vonë, të shndërrohet në një formë unike organizimi politik. Tani kemi një fakt tjetër që të ekzistojnë paralelisht dy shtete shqiptare, por duket qartë se bashkëkombësit, kudo që jetojnë, kanë në kokë dhe në zemër një komb unik.

Shqiptarët e Kosovës, për arsye të hegjemonisë serbe dhe si reaksion ndaj përpjekjeve të egra asimiluese, e përjetojnë aspiratën e kombit shqiptar edhe më me zjarr e pasion.

Pra, jemi komb i ndarë, por të mos jemi edhe komb i perçarë. Kemi shumë gjëra, çeshtje të rëndësishme me të cilat duhet të merren intelektualet tanë e jo me gjera te tilla që shkojnë vetëm në dobi të armiqve tanë. Identiteti ynë është pagëzuar dhe ka të njëjtat figura që e kanë ndërtuar atë që nga humanisti i madh Marin Barleti dhe librat e tij për Skënderbeun dhe Rrethimin e Shkodrës e deri te Ismail Kadare, Anton Pashku, Vath Koreshi e Sabri Hamiti. Është identitet shqiptar dhe vetëm si i tillë ka mundur të mbijetoj, të funksionoj dhe të ngrejë krye kundruall një politike shtypëse të Serbisë. Përkundër këtij debati do të duhej gjitha mendjet e ndritura shqiptare të promovojë identitetin shqiptar, duke e sforcuar substancën e tij për t'u plasuar në mesin e kombeve të lira dhe të civilizuara me dinjitet.

Pra, nuk ka komb kosovar, pos si pretendim i atyre që e ngaterojnë konceptin e kombit me atë të shtetësisë. Ka vetëm shtetësi kosovare që, ndër të tjera, është në një trevë shqiptare e të qenit shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat