28-Nëntori - përtej një feste!

Opinione

28-Nëntori - përtej një feste!

Nga: Albina Deda Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 09:18
Albina Deda

Kjo është festa jonë kombëtare me rëndësinë e krijimit të shtetit shqiptar, por dhe eleminimit të rrezikut të coptimit e gllabërimit të krejt trojeve tona. E vendosur në kontekstin e kohës kjo datë është më e rëndësishmja në historinë tonë. Nuk dua të bëj historianen e të radhisë argument, por do të ndalem në disa refletime që vetvetiu vijnë me ndjesitë e atmosferën aktuale që bjen 28 - Nëntori.

Kjo datë që në vitin e parë të instalimit komunist u mundua të atrofizohej në rëndësinë e saj monumentale. Komunistët me teorinë se historia jemi vetëm ne sajuan 29-Nëntorin që përvec se festa e Jugosllavisë mendohej të krijonte profilin e sunduesve të rinj të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por pa vonuar duart manipulatore të komunizmit me bisturi të ndryshkura filluan operimin e trukimin e historisë! Mjafton të përmendim që u fshinë figurat më të rëndësishme kontributore të Pavarësisë duke i zëvendësuar me turkoshakë të tipit baba Ceni (xhaxhai i Enver Hoxhës)! Kurrë nuk u tha kontributi i Ahmet Zogut apo Qemal Karaosmanit për Shpalljen e Pavarësisë.

Kjo ishte në fakt vetë esenca filozofike e komunizmit: jo vetëm transplanti i kujtesës historike, por dhe i vetë njeriut!

A nuk u fol e u tentua të krijohej njeriu i ri, një cmenduri që shkonte kundër ligjeve të Zotit e të natyrës?! Dikush mund të thotë se kjo i përket të djeshmes dhe nuk duhet konsideruar, por duhet të shikojmë përpara. Parimisht po. Mirëpo fatkeqësisht e paradoksalisht është rikthyer miti i kujtimit e glorifikimit të së keqes, falsifikimit dhe gënjeshtrës. Dhe këtë e bën një kastë politike në pushtet sot dhe është edhe biologjikisht brezni gjenetike e rregjimit që braktisëm një cerek shekulli më parë.

U bënë tre vite që në vigjilje të 28 Nëntorit fabrikohen montruozitete historike jo për sentimente, por për përfitime politike. E këto kulmojnë pastaj me parada e marshime të nostalgjikëve në rrugët e Tiranës me foto e sllogane të periudhës më të paudhë që mund të ketë përjetuar një popull. Nuk do të shqetësohesha për polemika e variante të risjelljes së historisë nga secili bllok politik. Kjo është demokracia me diversitete e opsione të cilat në finalen e tyre lipset të prodhojnë zhvillim. Por nuk është kjo situata e rëndë që bie erë kënete që po krijon kjo mazhorancë. Edi Rama me oligarkët, pasi vodhën votat, po vjedhin pasurinë e në vjedhje po tentojnë me ngulm të përfshijnë dhe historinë.

Kjo marrëzi është jo vetëm përcudnim por krim që i bëhet historisë sonë. Një popull me histori të shtrembëruar është i destinuar të ecë si paraplegjik në sfidat e kohës. Qëllimi i kleptokracisë në pushtet në Shqipëri nuk është shëndoshja e realizmi i historisë. Është mania e tyre e inkluduar në gene për egoizëm pa fre, por mbi cdo tentative për tymnajë e sherre në mënyrë që të bëjnë me vello hije skandalet e cmendura të përfitshme në ekonomi, në politike apo në diplomaci. Kjo është një sforcim për të ruajtur kontigjentin kriminal në secilën hallkë të politikës e të pushtetit.

Por 28 Nëntori është aty në kujtesën brilante të historisë dhe kombit me gjithë rëndësinë e madhështinë e vet. Ai është mal që nuk grryhet nga minjtë. Burrat e mëdhenj që projektuan e realizuan këtë vepër mbijetesën e kanë të garantuar nga vullneti i Zotit. Kujtesa e hidhur e kastave është kalimtare, ndërsa përjetësinë e fitojnë vetëm ata që veprojnë me vullnet për kauza kombëtare.

Kjo datë e shenjtë sot përvecse përkujtimin duhet të na sjellë reflektimin. Një reflektim që të burojë nga interesa madhore dhe aspak nga përditshmëritë meskine klanore, politike, religjioze apo dhe më keq nga dëshira e mendësia për shtrembërim. 28 Nëntori-është monumenti me rrënjë në ndërgjegjen e kombit tonë ndaj Donkishotët nuk munden as ta lëkundin!

Autorja është deputete e Kuvendit të Shqipërisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat