Ata, oligarkët e pushtetit dhe ne

Opinione

Ata, oligarkët e pushtetit dhe ne

Nga: Fran Kamshi Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 18:36
Fran Kamshi

Rilindasit erdhën me premtime të mëdha, por sot pas tre vjet e ca muaj qeverisje të tyre, mund të themi se asnjë tullë nuk kanë vënë në murin e trishtë të indiferencës pushtetare, që është bërë fytyra e qeverisjeve të këtij vendi. Veçse janë shtuar “konçesionet”, zullumi e hajnia, janë bërë ende më të hapura e më ditën për diell aferat, që çojnë ujë gjithkund (sidomos në xhepat e pushtetarëve) por jo në mullirin e interit publik.

U bënë 25 vjet rresht, që shteti “ynë” dhe zyrat e tij vetëm zgjerohen e “lartësohen” si një ngrehinë pa themele, ndërsa jeta shqiptare bën rezistencë për mbijetesë brenda gojës së madhe të kësaj megaburokracie, që i ngjan një çerdheje të pushtuar prej parazitëve. Pikërisht, për këtë koshere parazitësh kanë kontribuar e vazhdojnë të kujdesen vit pas viti partitë e këtij pushteti 25-vjeçar, që si rriqra ngritën folenë e pjellës së tyre, madje, për të kënaqur mikeshat dhe miqtë e tyre, shtuan enkas ministri e drejtori, agjenci, këshilla e borde, komisione e seksione, taks-forca e zyra pafund, për vendësit dhe të huajt, duke i shumuar dita-ditës. Kjo “filozofi” e (pu)shtetit parazitar ka patur në themel mendësinë e uzurpatorit, prandaj gjatë gjithë këtyre viteve nuk është bërë asgjë tjetër, veç plotësimit të grykësisë së partive të pushtetit, që lipsen veç si propagandues për pushtetin e zullumit të radhës.

Në këtë mënyrë, zgjedhje pas zgjedhjesh zyrat shtohen dhe njerëzit që parazitojnë brenda tyre bëhen shumë e më shumë, duke e bërë gati të paçmontueshëm pushtetin e partive të pushtetit. Bashkë me to shtohet luksi, komoditeti, kollajllkëu I sundimit me “duar të pastëra”, e njëherësh shtohet dhe ritmi dhe figuracioni poetik i fjalëve “demokraci”, “Sovran”, “reform” etj.

Në këtë mënyrë, situata ka degjeneruar deri aty, sa nuk flitet më për programe e ide, por vetëm për premtime postesh e punësh shteti, duke hapur zyra të panevojshme në vendin më privat dhe më të varfër të Europës. Ky degradim e kalbëzim i politikës dhe i (pu)shtetit, që ajo prodhoi në këtë çerekshekull të fundit, është bërë një pengesë serioze për shoqërinë dhe zhvillimin social të vendit.

Kjo situatë e trishtë dhe heshtja apo mosreagimi ndaj kësaj “vide të pambarimtë” bën që e vetëquajtura klasë politike të vërtitet si në jerm dhe vendi e shoqëria të mbeten në udhëkryqin moçalor të këtyre viteve me drita të fikura dhe në konfuzion e depresion të thellë! Shumë prej nesh e dinim shumë mirë, se pas kaosit 25-vjeçar do vinte dita të bëhej Shtet!… Sepse, mbas gjithë kësaj tradhëtie, shkatërrimi e grabitjeje, fajtorëve do u duhej shteti, si mburojë për kokat e tyre, për pronat e grabitura dhe krimet e bëra!

Pra, siç pritej ashtu do të ndodhte, sepse shumica popullore mori të mirëqenë çdo fjalë e veprim të uzurpatorëve të pushtetit, duke mbetur brenda një ëndërrimi të gjatë, të një gjumi pa zgjim!…

Kjo ishte rruga e nisur 25 vjet më parë, që e futi vendin në anarshi të plotë, duke e lënë popullin në duart e krimit deri në këto kohë të “heronjëve të rinj”, që kanë në dorë burgjet dhe ndërhyrjet policeske për popullin në masë, Shtetin Ligjor (ligjin e tyre, jo Shtetin e së Drejtës), stabilitetin (status quo-në) dhe rregullin e qeverisjes me radhë, d.m.th. Drejtësi – Barazinë mes tyre, mes kësaj lukunie politiko–ekonomike, që komunikon me zyra pafund mes vetes.

Ky kaos, ky shkatërrim e grabitje e shqiptarëve ka fajtorë me emra konkretë, siç ka dhe ideatorë e organizatorë të kësaj drame tragji-komike, por ka dhe mashtrues e “çudibërës”, që kanë përgjegjësi të dyfishtë për zhgënjimin e madh që sollën dhe atentatin që realizuan ndaj shpresave të shqiptarëve.

Premtimi i politikanëve të vetëquajtur socialistë ishte se mbas 23 qershorit 2013 do të ndëshkoheshin e sekuestroheshin shkatërruesit, abuzuesit dhe grabitësit e Shqipërisë, do të zhbëheshin kontratat abuzive të privatizimeve e koncesioneve, do të viheshin nën kontroll pasuritë kombëtare, kapitalet e shqiptarëve, si dhe vlerat monetare e financiare, deri në kthimin e tyre tek i zoti (populli), por realisht në këtë informalitet dhe inkriminim të mbarë shoqërisë shqiptare, vazhdon të mbetet vetëm zhurma, që maskon e fsheh Parlamentin informal, (pu)shtetin dhe hallkat e tij të pafundme, që mafia ekonomike, politiko-fetare dhe intelektuale-mediatike, vazhdon t’i ngrejë njësoj si ndërtimet pa leje!

E dimë tashmë, se e keqja nuk erdhi në këto dy vitet e fundit të qeverisjes (Rama-Meta), vite të ngjyrosura me bojëra të helmëta e halucinante, por “shpresa” e këtyre dy viteve konfirmoi se politika e këtyre 25 viteve të fundit dështoi plotësisht, u kalb dhe si e tillë duhet fshirë e hedhur në koshin e Historisë!…

Tani në dorën tonë ka mbetur analiza e ftohtë e këtyre tri viteve të fundit, që jo vetëm nuk duhet neglizhuar, por dhe duhet të zgjojë ndërgjegjen e shëndetshme të shoqërisë shqiptare, që me qëndrimet e veprimet e veta serioze duhet të kuptojë si të dalë prej këtij honi të pakuptimtë.

Tani kemi arritur në një pikë, që shumica popullore aktualisht gjendet e pafuqishme, por kjo nuk ka asnjë arsye të mos kuptojë, se jeta e tyre po shtrëngohet çdo ditë e më shumë në morsën e pushtetit të një grushti fashistësh të rinj!…

Në të tilla kushte bëhet atdhetare, madje urgjente, e drejta e sovranit për të refuzuar, kundërshtuar e çmontuar këtë (pu)shtet abuziv e arbitrar. Këtë populli duhet ta bëjë pa hezitim, pasi është në të drejtën e vetë kushtetuese për sa kohë oligarkia nuk e ka fshirë akoma nenin 2, të Kushtetutës, ku thuhet: 1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Nga ky nen kushtetues gjenden dy pyetje pa përgjigje: Sa e ushtron sovranitetin e tij populli, nëpërmjet përfaqësuesve të tij (që realisht janë listat e miqve dhe sejmenëve të kryetarëve të partive)?!… Po drejtpërsëdrejti, që nuk bëhet fjalë fare?!…

Ne duam një shtet të shqiptarëve dhe për shqiptarët, jo zyra luksoze e institucione që funksionojnë vetëm mes tyre dhe të ndara nga populli e problemet e tij!…Do të donim një shtet që bën punët e veta dhe mban përgjegjësi direkte për detyrimet që ka ndaj qytetarëve të vet. Një Shtet, që druhet e madje të ketë frikë nga qytetari e jo të ndodhë e kundërta!…

Duam një shtet, që punon çdo ditë me koncepte dhe orientime të qarta drejt interesave popullore. Një shtet, që mban përgjegjësi vetë dhe në mënyrë direkte për punësimin, arsimimin, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të tij, jo përmes padronëve e lidhjeve (kontratave korruptive) shtet-privat, që thithin gjakun e konvertuar në dollarë e euro të shqiptarëve. Kjo situatë do jetë e tillë, për sa kohë mungon shoqëria aktive dhe e emancipuar, që të shprehë qartë tendencën drejt qëllimeve të saj, prandaj politikanët dhe “miqtë” e shumtë të tyre bëjnë të kundërtën, në vend që të obligohen drejt asaj tendence. Ata, paturpësisht imponohen dhe bëhen padronë të jetës, problemeve e shpirtit të popullit, i cili jo rrallëherë kënaqet me sjelljet e ashpra të makinerisë shtetërore dhe me debatet që vijnë më pas, duke qëndruar të mbërthyer pas opinioneve pa fund e jo frytdhënëse.

Kështu, pas këtyre 25 viteve të “demokracisë”, populli shqiptar është ndarë në “Ata” (krerët e pozitë-opozitës), që i shohim vetëm në televizor e fejsbuk, dhe në “Ne”, që provojmë e vuajmë harresën, shpërfilljen, dhunën fizike e psikologjike, mjerimin dhe vuajtjen papërmasore. Ata janë një pakicë fare e vogël, e rrethuar me policë, spiunë e sejmenë, zotër të pushtetit dhe pasurive të shqiptarëve, ndërsa “Ne” jemi shumica e zhytur në mosmarrëveshje e hatërmbetje, papunësi e ngërç…!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat