Shqiptarët nuk duhet ta braktisin pushtetin në Medvegjë!

Opinione

Shqiptarët nuk duhet ta braktisin pushtetin në Medvegjë!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 09:57
Sevdail Hyseni

Mediet serbe paralajmërojnë “pushtetin në Medvegjë, pa shqiptarë”. Ky është një lajm i keq, një kafshatë që nuk kapërdihet për atë grusht shqiptarësh, që kanë ngelur të jetojnë në vatrat e tyre stërgjyshore, në njërën nga komunat më të vogla të rajonit të Luginës së Preshevës.

Sa do që është i arsyeshëm zemërimi i zëvendëskryetarit të Kuvendit komunal të Medvegjës, Florim Sahiti, për dalje nga koalicioni qeverisës në këtë komunë, një vendim i tillë duhet të rishikohet politikisht.

Arsyeja pse kryetari i Degës së Partisë për Veprim Demokratik, për Medvegjë, Florim Sahiti, ka marrë vendim për braktisjen e koalicionit qeverisës me partinë e kryeministrit Vuçiq, është marrja në pyetje e 7 nxënësve dhe prindërve të tyre nga policia serbe, të cilët gjatë festave të nëntorit, ngritën Flamurin Kombëtar, në shkollat ku ata vijojnë mësimin.

"Pozita e shqiptarëve po ashpërsohet dhe ky është treguesi i fundit, që policia ka marrë në pyetje disa nxënës dhe prindërit e tyre, sepse në Ditën e Flamurit Kombëtar, në dritaret e shkollës i kanë vendosur flamujt. Në atë ditë, keni pasur qindra flamuj kombëtar të ngritur në Preshevë dhe Bujanoc, dhe asgjë nuk ka ndodhur, kurse në Medvegjë menjëherë i kanë marrë në pyetje”, i tha Florim Sahiti, Agjnecisë së lajmeve Jugpress, nga Leskoci. Ai, gjithashtu, ka shtuar se do të tërhiqet nga pozicioni i zëvendëskryetarit të Kuvendit komunal të Medvegjës.

Njeriu i dytë i legjislativit në Kuvendin komunal të Medvegjës, Florim Sahiti, nuk është i kënaqur me funksionimin e koalicionit qeverisës, i cili, sipas tij nuk ka bërë asgjë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë komunë, si në planin e integrimit, po ashtu edhe në fushën e përmirësimit e të drejtave të shqiptarëve, të cilat seriozisht janë të përkeqësuara.

Vlen të theksohet se Partia për Veprim Demokratik, që nga viti 2002 e këndej merr pjesë aktive në qeverisjen lokale të Medvegjës dhe ka udhëhequr disa poste me përgjegjësi në administratën e kësaj komune.

Pas zgjedhjeve të fundit, të 24 prillit 2016, PVD, Dega në Medvegjë, lidhi koalicion qeverisës, duke siguruar vendin e dytë të legjislativit, po ashtu edhe vendin e dytë të ekzekutivit dhe disa resorë të tjerë.

Pas 14 vjet bashkëqeverisjeje të Degës së PVD, në një komunë të vogël, si kjo e Mevegjës, me më pak se 7 mijë banorë multietnikë, nuk është e lehtë të merret një gjykim i shpejtë për bojkot të institucionit, së pari për fatin politik të atyre pak shqiptarësh, të cilët në numër sa vijnë e zvogëlohen e më pas edhe për liderët institucionalë, të cilët nga rruga më vështirë e kanë t’i qasen problemeve për zgjidhje të qytetarëve shqiptarë.

Pavarësisht nga presionet e shqiptarëve nga diaspora dhe të ndonjë faktori politik nga Lugina, që të braktiset qeverisja lokale e Medvegjës, nga shqiptarët, është e ngutshme dhe politikisht jo e pjekur.

Ka forma të tjera më të mençura politike të liderëve institucionalë shqiptarë në Medvegjë, ata mund t’i ngrijnë mandatet e këshilltarëve komunalë për ndonjë kohë, por jo edhe t’i braktisin pozicionet udhëheqëse, ngase ky veprim më shumë i shkon për shtati Beogradit, se sa shqiptarëve të kësaj komune.

Shqiptarët e komunave simotra të Medvegjës si Bujanoci dhe Presheva, kanë edhe diskriminime më ekstreme se sa ato të largimit nga puna apo të marrjeve të veprimtarëve në  të të ashtuquajturat “biseda informative” nga policia dhe sigurimi shtetëror, por nuk u ka shkuar ndërmend liderëve institucionalë t’i braktisin pushtetet lokale, në favor të ndonjë opsioni radikal jo të këndshëm për ardhmërinë e tyre politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat