Dekoroni Liri Belishovën dhe Omer Nishanin, z.President

Opinione

Dekoroni Liri Belishovën dhe Omer Nishanin, z.President

Nga: Sali Leka Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 19:14
Sali Leka

I nderuar z. President! Unë që po ju shkruaj jam shkrimatri Sali Leka, ish i burgosur politik, shkrimtari liberal-modernist, i përndjekur sistematikisht nga ingranazhet e sigurimit dhe veglat e verbëra të Diktaturës mizore. E kam obligim moral dhe qytetar të ju ftoj që të dekoroni Liri Belishovën dhe Omer Nishanin, të internuar e të përndjekur mizorisht nga klika më gjakatare e krimit politik në Evropën Lindore, klika enveriste-ramiziste.

Liri Belishova është një ikonë e qëndresës kundër tiranisë së hapur e të fshehtë të Diktaturës komuniste. Si antienveriste dhe antistaliniste, siç kam qenë dhe mbetem dhe unë, shkrimtar anti-diktaturë dhe anti-enverizëm, Liri Belishova, ndryshe nga unë, që në vitin 1960 nuk e pata guximin të dilja hapur si shkrimtar dhe poet anti-enverist dhe anti-stalinist i betuar, doli guximtarja dhe qëndrestarja unikale Liri Belishova. Guximi i saj më ka frymëzuar dhe vitalizuar, më ka nxitur drejt një rezistence më të fortë e akoma më dinjitoze kundër ferrit dhe faraonëve të tij të kuq. Deri në vitin 1991 kam shkruar tetëdhjetë e pesë libra me poezi dhe tregime të mrekullueshme, të dobishme për jetën njerëzore, por nuk i botuan çensorët mizoristë, që mbanin çelsat e kështjellës së turpit enverist në duart e tyre prej Jagosh të Kulturës shqiptare.

Shumë i nderuar President Bujar Nishani, është e vërtetë se Liri Belishova deri në vitin 1961 ka mbajtur teseren e kuqe të Partisë Komuniste të Shqipërisë, por në ato vite teseren e komunistit e kishin njëqind e njëzet mijë djem e burra, vajza dhe gra të këtij vendi. Disa nga këto komunistë janë sot me poste dhe funksione të larta në strukturat e partive politike pluraliste dhe nuk mund të akuzohen si komunistë të kuq, nuk mund të largohen nga këto poste dhe funksione, nuk mund të diskriminohen, ashtu si po diskriminohet ende Liri Belishova. Që nga viti 1961 ajo ka pësuar internim, persekutim dhe diskriminim të  tmerrshëm, se ishte komuniste. Po Nexhmije Hoxha, a nuk ishte komuniste?! A nuk ishte kryetare e Frontit të Kuq MIzorist, ku përgatiteshin dosjet e fshehta dhe të hapura të degdisjeve makabre të atyre që nuk ishin të përshtatshëm për regjimin, në gulaket e krimit të përbindishëm politik!? 

Liri Belishova, me burrin e parë, Nako Spiro, i vrarë pabesisht nga enverizmi dhe titistorankoviçi, Liria me burrin e dytë Maqo Çomo, në burgosje dhe internim, pa bërë as mëkat as krim, vetëm se nuk i shkonte për shtat internacionalizmit patologjik të Diktatorit. Liria me vajzën e internuar Drita Çomo, e stërmunduar në birucat e skëterrit, vdekur pa u mjekuar. 

Ka 26 vjet që trumbetohet me zhurmë të madhe bombastike se Enver Hoxha ishte patriot anti-titist, por i pari anti-titist ishte Nako Spiro. Enver Hoxha e vrau shokun etij të luftës për interesa të klikës pansllaviste Tito-Rankoviç, ashtu siç vrau Mustafa Gjinishtin, Dali Ndreun dhe Liri Gegën për mustaqet e Dushan Mugosheviçit. Ashtu si Nako Spiro ishin dhe komunistë të tjerë që kanë kontribuar për demokracinë dhe kanë derdhur gjakun për Shqipërinë. Ishte komunisti, atdhetari besnik Omer Nishani, por e vrau enverizmi. E vrau se ishte martuar me një vajzë gjermane, por enverizmi të gjitha femrat gjermane i piketonte si armike, si naziste. Kur Rusinë e sundonte Stalinizmi, Enverizmi, vajzat dhe gratë ruse i quante revolucoinare bolshevike, por kur në Kremlin u ngjit Hrushovi, enverizmi i Tiranës e ktheu fletën së prapthi dhe vajzat ruse që ishin martuar me burra shqiptarë i akuzoi si agjente reaksionare dhe i burgosi dhe maskaroi brutalisht.

N. Spiro, M. Gjinishi, D. Ndreu, L. gega nuk i vrau dora e shqiptarit, por meseleja dhe enigma e vrasjes së tyre është e gjatë dhe e ndërlikuar, ndaj nuk e ka vendin në këtë shkrim. Këtë histori të tyre do t’ua rrëfej lexuesve pas dekorimit të L. Belishivës dhe O. Nishanit. Por në këtë çast, dua të falenderoj zonjën e nderuar Gentjana Sula për shkrimin e botuar për dosjet makabre të komunizmit. Shkrim mbi dyqind shkrime të tjera me llomotitje të rëndomta neveritëse, që kanë botuar ata që dridhen nga frika, se janë shtrembëruar, po lëkundën e do të rrëzohen nga suferina e hapjes së dosjeve. Gentjana Sula tregoi përgjegjësinë dhe përkushtimin ndaj një detyre jo të zakonshme, që mund të konsiderohet një msion dhe misionet në të gjitha rastet duhen përmbushur, siç kam besim të plotë se do të ndodhë me këtë zonjë të nderuar.

Me keqardhje për Bashkim Shehun që ka shkruar se dosjet e Sigurimit janë zhdukur dhe eleminuar. Jo, jo, dosjet janë të tëra! Edhe dosja më e madhe, më voluminoze, dosja e babait të tij, Mehmet Shehut. Përkundrazi, dosjet i kanë shtuar. Kanë bërë dosje për Ismail Kadarenë dhe Liljana Hoxhën, sikur i ka përndjekë Nexhmije Hoxha dhe Ramzi Alia dhe të tjera prrocka dhe mufka absurde e skandaloze. 

I uroj punë të mbarë dhe faqe të bardhë Gentjana Sulës! Të ndihmojë dredharakët, zgërdheckët, frikacakët dhe zuzarët cullak, të mbuluar me gjethe fiku!... Sepse trimat, guximtarët dhe kreshnikët eposikë nuk duan ndihmë nga askush, por do të jenë përkrah Gentjana Sulës.

Kurse juve, i nderuar President Nishani po ju them: Nëse jeni demokrat i vëretë, dekorojeni Omer Nishanin, komunistin e devotshëm që luftoi fashizmin dhe i besoi të pabesit, mizorit dhe gjaksorit.  Dekoroni Omer Nishanin dhe Liri Belishovën, këto dy luftëtarë të lirisë dhe progresit shqiptar. Dekoroj ashtu si dekorove 67 ballistë të Lushnjes, me motivacionin se kanë luftuar komunizmin. Por duhet thënë se në vitin 1943 Lushnja dhe Shqipëria ishin pushtuar nga nazizmi e jo nga komunizmi! Ballistët e dekoruar u vranë nga Brigada e Parë Partizane me komandant Mehmet Shehun, por nuk ishte e Mehmet Shehut; ishte brigadë luftarake e popullit shqiptar. Brigada e Parë me 1500 luftëtarët e saj nuk luftuan për të ardhur komunizmi dhe klikat kriminale që erdhën më vonë, por për lirinë dhe drejtësinë shoqërore të kombit shqiptar.  Ata luftaun për zhvillimin, progresin, lirinë dhe drejtësinë e popullit të tyre. Ata partizanë që u vranë në Luftën Nacional-çlirimtare janë shpallur dëshmorë të Atdheut dhe i kujtojmë çdo 5 maji e 29 nëntor. E pra, President, e pse ta urrejmë me ligësi dhe egërsi Liri belishovën, që luftoi fashizmin e nazizmin, u plagos në luftë, por shpëtoi dhe jetoi. Ulu e mendohu, President dhe pyete veten: Po të ishe i rritur a do ta luftohje fshizmin dhe nazizmin? Prandaj dekoroje Lirinë dhe Omerin, luftëtarët besnikë të kombit, paçka se ishin komunsitë.

Në ato vite kombëtare historike, unë isha fëmijë, por po të isha djalë apo i rritur, do ta luftoja fashizmin dhe nazizmin dhe në mos isha komunist, sigurisht, që do të bashkohesha me partzanët dhe komunistët, do të bashkohesha me guxim dhe vullnet për lirinë e tokës sime…           

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat