Viti 2016 nuk solli kthesë në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së

Opinione

Viti 2016 nuk solli kthesë në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së

Nga: Sami Blakaj Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 09:02
Sami Blakaj

Viti 2016 ishte një vit me plotë ngjarje për Kosovën. Në fakt ishte një vit sfidues, por i penguar nga polarizmi politik në mes të qeverisë dhe opozitës dhe nga tensioni i rritur në mes të partnerëve të koalicionit. Këto sfida të brendshme padyshim që penguan reformat e Kosovës që lidhen me BE-në.

Ngjarjet që e përshkruajnë Kosovën përgjatë këtij viti nuk janë edhe aq shpresëdhënëse, ndonëse aty-këtu ka pasur edhe lajme të mira për vendin tonë.

Po e nis me ato pak ngjarje pozitive që e karakterizuan 2016-tën, për të vazhduar me sfidat e tjera që vazhdojnë të jenë pengesë për Kosovën edhe në 2017-tën. Kur flasim për sukseset që Republika e Kosovës i ka arritur përballë Bashkimit Europian, vlen për tu nënvizuar angazhimi i institucioneve të sundimit të ligjit për punën e bërë në ecjen e reformave të gjera, duke ia mundësuar në këtë mënyrë Komisionit Europian të propozojë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Rekomandimi i KE-së për liberalizimin e vizave ishte një vendim historik për Kosovën, por që më pas nuk rezultoi me sukses përfundimtar. Më pastaj dialogu me Serbinë është procesë që po vazhdon dhe duhet vazhduar edhe në të ardhmen. Tashmë është e qartë se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë kusht për hapat e mëtejmë të Prishtinës e Beogradit në marrëdhëniet me BE-në.

Megjithatë ajo që mbetët më shumë për t’u angazhuar është zbatimin e marrëveshjeve. Poashtu duhet vlerësuar me notë suksesi edhe arritjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së. Arritja e kësaj marrëveshje në mes të Kosovës dhe BE-së, ishte një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi që me nënshkrimin e saj Kosova do të përfitojë qasje në programe dhe projekte konkrete ku do të mund të aplikojnë sektori privat, sektori publik, shoqëria civile, institucionet akademike dhe qytetarët e Kosovës.

Megjithatë edhe përkundër këtyre pak lëvizjeve pozitive që insitucionet kosovare arritën ti përmbushin drejt BE-së, mbetën edhe shumë punë të tjera substanciale që Kosova dështoi t’i përmbushë gjatë këtij viti. Në mesin e shumë dështimeve që shënuan këtë vit, unë dua të ndalem në katër prej tyre:

E para që fillimisht vlen të theksohet është paaftësia e elitës politike për të arritur pajtueshmëri për interesin strategjik kombëtar. Në mungesë të kësaj, interesat politike po i zëvendësojnë interesat kombëtare. Kjo po e pengon jashtëzakonisht shumë përparimin e Kosovës në proceset integruese europiane.

E dyta përfshin dështimin e njohjeve të reja për Kosovën, veçmas kur bëhet fjalë për pesë vendet e BE-së që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit. Pa njohjen nga këto pesë vende, Kosova nuk mund të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim. E treta ka të bëjë me dështimin e vazhdueshëm të institucioneve kosovare për t’a luftuar krimin e organizuar dhe korrupcionin. Kjo dukuri e shëmtuar që ndër vite e ka kapur shtetin tashmë është shëndrruar në kancer për të ardhmen e Kosovës dhe aspiratën e saj europiane. Dhe detyra e katërt që shënon dështimin e madh të insitucioneve tona ka të bëjë pikërisht me mosratifikimin e marrëveshjes së kufirit në mes Kosovës dhe Malin të Zi. Prandaj i gjithë ky zingjir dështimesh institucionale që e karakterizuan Kosovën e 2016-tës, ka një emërues të përbashkët, dështimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, dështim ky që e sjellë Kosovën të izoluar edhe në vitin e ri, përkatësisht në vitin 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat