Frenimi që vjen nga bota e keqbërjes…

Opinione

Frenimi që vjen nga bota e keqbërjes…

Nga: Sali Leka Më: 13 janar 2017 Në ora: 19:24
Sali Leka

Sot shoqëria shqiptare po ecën me ritme të shpejta në dy drejtime diametralisht të kundërta: në një përshpejtim të ritmit ekonomik, të progresit material, që megjithë pengesat po shkon përpara me shpejtësi dhe, nga ana tjetër, në një frenim që vjen nga bota e keqbërjes, nga krimi ordiner dhe ai i organizuar, nga komplekset frenetike primitive, që po aktivizohen si kurrënjëherë më parë, siç janë ngujimi, hakmarrja dhe gjakmarrja.

Është fatkeqësi që m’u në zemër të Evropës, në një vend që ka dhënë modele shprese e rezistence progressive për kontinnetin e vjetër, të ketë ende sot në mjaft familje shqiptare, sidomos në veri të vendit, të ngujuara nga frika e hakmarrjes ose që detyrohen të ikin nga sytë këmbët nga vendlindja e tyre, të traumatizuar nga ankthi i pasigurisë për të nesërmen. E trishtë që shteti dhe institucionet shqiptare të së drejtës merren me gjithçka, por jo me një plagë si gjakmarrja, ne emer te Kanunit, ose më saktë të krimeve që i faturohen atij, nga grupe kriminale që kërkojnë të mbajnë peng të tjerët, të ngujojnë e të përndjekin deri dhe fëmijë e gra, me mënyra jashtëkanunore dhe, mbi të gjitha, të dënueshme nga ana ligjore. Modeli antishoqëror i sjelljes ku përfshihen dhe thirrja për ngujim e gjakmarrje, vijnë si pasojë e çrregullimeve drastike të personalitetit, si rezultat i mjaft faktorëve, qofshin socialë, kulturorë, ekonomikë, gjenetikë e të tjerë, qofshin të lindura në rrethana të kushtëzuara në faza të caktuara të jetës së njeriut. Por hakmarrja dhe gjakmarrja, si produkt kolektiv i një shoqërie, e kushtëzuar nga Kanuni dhe e ligjeruar në mbijetesën e maleve tona, ka të bëjë me mungesën e gjatë të shtetit në shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë është ezauruar me anë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut, Kanunit të Dibrës, Kanunit të Papa Zhulit (në disa treva të jugut të vendit) si dhe disa lloj ligjësish të mishëruara në besëlidhje, karare e itifaqe, që kanë rregulluar bashkëjetesën e njerëzve në komunitet.

Nuk do shumë mend se, nëse do të ekzistonte një vullnet i plotë veprimi e funksionimi i institucioneve të shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangut e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, Kanuni mund të shërbente thjeshtë si një relike muzeale. Fakti që Kanuni në Shqipëri vazhdon të bëj “ligjin”, edhe në kushtet e funksionimit të ligjit të shtetit dhe të institucioneve, ka në themel një devijim ndaj traditës, shfrytëzim të saj nga elementë të botës së krimit, si strehë për vrasjet, trafiqet dhe keqbërjen.

Duhet thënë se ky tranzicion i gjatë në Shqipëri, po kulmon me shfaqjen e negativitetet më të epërme të traditës, që në duart e krimit po iu shërbejnë grupimeve antishoqërore, për të mbijetuar në errësirën e keqbërjes dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të "fortëve", jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Një nga kodet më të keqpërdorura të kësaj tradite, siç e thamë, është Kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku Kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, veçanërisht në Veri të vendit dhe në disa zona rurale të tjera, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Por jo vetëm në këto zona. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të "së drejtës", e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, -dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, - sipas qepjes së re të mafies.

Nuk kanë mbetur jashtë përfshirjes së ngujimit dhe gjakmarrjes kanunore as fëmijët e gjirit dhe femrat bashkëshorte, nëna e motra, që marrin mesazhe kërcënimi dhe jo rrallë kanë qenë viktima të këtij kriminalizmi të shoqërisë.  

Historia e një hasmërie të gjatë prej rreth tridhjetë vitesh të dy familjeve në Mirditë, vazhdon të mbajë peng familjarët e tyre, në një përndjekje të pakuptimtë, nën presionin, frikën dhe kërcënimin e gjaksve. Fonflikti i njohur tashmë dhe mediatik mes familjes Kuka në Shebë dhe familjes Legisi, ku ka patur viktima në të dy familjet, vazhdon të ketë viktima, ku më e fundit është vëllai i Vlash Kukës, Gjet Kuka, me banim në Kamzë, i cili mbrëmjen e 26 dhjetorit 2016 është sulmuar nga tre persona me maska dhe është gjetur në shtëpi i maskaruar, me syrin e djathtë të dëmtuar krejtësisht dhe me trauma të rënda fizike e psikike. Vlash Kuka dhe familjarët e tij, të cilët janë objektivi i kësaj hakmarrje të gjatë, ku përveç të tjerave në këtë hakmarrje përzihet dhe motivi politik, për arsye se Vlash Kuka e të tijët janë të djathtë (i biri Leondardi ka qenë student i Dhjetorit ‘90) janë detyruar të ikin nëpër Evropë, nga frika e gjakmarrjes, pasi Legisët kanë bërë thirrje për ngujim, duke mos kursyer as tre vajzat e tjera të Kuke, Vjollcën, Dranen dhe Vojsavën, që tash disa kohë kanë ikur në drejtim të paditur, për t’i shpëtuar hakmarrjes së gjaksve.

Jetojmë në fillimet e erës së re të mijëvjeçarit të tretë, në kohën e zhvillimeve globale gjeostrategjike unike, por në disa treva shqiptare, kryesisht në veri të vendit, vazhdon tradita e ngujimit nga frika e gjakmarrjes, përndjekja nga gjaksit e viktimave të historive të pafundme që mund të kenë lidhje me gjithçka, por jo me kanunin (i cili në këtë kohë nuk ka se çfarë të kërkojë në këto anë) dhe me të drejtën, që ndodhet mijëra vite dritë larg një psikologjie të tillë sjellje dhe veprimi mesjetar.

Ne duam të na hapen dyert e Brukselit, por në Evropë nuk shkohet me ngujim e hakmarrje, me kapitullim të shtetit para ofertës së një Kanuni spekulativ. Nuk shkohet në Evropë me trafiqe droge e kanabizim të territorit, duke ia veshur rivalitetin mes bandave Kanunit shqiptar.  

Ne jemi një shoqëri e tejlodhur nga kjo histori, ndaj duhet të ndërpritet me çdo kusht ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë; lypset që të ndërtohen institucione që të mbrojnë realisht liritë dhe të drejtat njerëzore, të sigurojnë prosporitet, rend dhe qetësi, të ruajnë demokracinë dhe stabilitetin qytetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat