Thaçi dëshmoi se Kosova nuk është shtet

Opinione

Thaçi dëshmoi se Kosova nuk është shtet

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 15 janar 2017 Në ora: 00:45
Presidenti Hashim Thaçi

Hashim Thaçi është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë, pra i armatës, që akoma nuk e ka. Treni nuk ishte çështje lufte dhe  armata nuk qe mobilizuar. Çfarë ndodhi? Kosova duke qenë nën protektorat, kërkoi ndihmë nga Perëndimi, duhet të jenë amerikanët. Ata pajtohen me ndalimin se e shohin siç edhe ishte, si provokim. Thaçi nxiton të jap urdhër i pari.

Nuk ishte në kompetencën e tij të urdhërojë shefin e policisë, por të Forcave të Sigurisë së Kosovës, pra të armatës.  Armata mirëpo nuk ishte urdhëruar. Me urdhrin e tij ai ka rrënuar hierarkinë komanduese, që bën një vend shtet ligjor, edhe atë, për poenë politikë. Ai ka urdhëruar shefin e policisë dhe kjo nuk është detyrë e tij. Thaçi ka dhunuar Kushtetutën dhe ne mburremi!

Me urdhrin e tij, ai nuk ka tejkaluar vetëm kompetencat dhe është sjell si  despot, por ka shpërfillur Ministrin e Brendshëm dhe Qeverinë.

U ekzaltuan shumë veta dhe konstatuan: “Kosova dëshmoi se është shtet!”

Në çfarë gjendje të mjerë jemi! Çfarë naiviteti! Çfarë krenarie rurale dhe vulgare.

Pikërisht kjo krenari është arsyeja pse ne nuk ndërtojmë shtet. Nuk bëhet një vend shtet pse ndalon një tren klandestinë. Shteti është një ngrehinë shumë më komplekse. Thaçi me ndërhyrjen e tij në një çështje që nuk i takonte, shembi zinxhirin komandues.

Këtu ishin në pyetje dhe përplasje dy krenari. E para ajo serbe ndoshta e trimëruar nga rusët, dhe e dyta, ajo shqiptare në defensivë tash e disa vite, sipas vendimeve të Komandantit Suprem të Forcave të Sigurisë!

Thaçi paska kthyer një tren, kjo mund të fryjë vetëm krenarinë parake, sepse ky njeri ka nënshkruar autonomi për serbet, dmth. katundet serbe janë shndërruar në komuna. Ky kryetar nuk ka dhënë urdhër të ndalohet ndarja e Mitrovicës me mur dhe ne qenkemi shtet dhe dëshmuakemi se jemi i tillë, nëse pas urdhrit të amerikanëve, kthejmë një tren prapa!

Para një treni, u krijua një kaos në urdhërdhënien dhe struktura të komandimit, çfarë ndodh me këta politikanë në një rast më serioz?  Nuk mund të krenohet njeriu pse u kthye treni, por të shpërfill një rrënim serioz të strukturave shtetërore.

Me urdhërin Hashim Thaçi nuk shpërfilli vetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme,  por dëshmoi me prova se Qeveria e Kosovës është vetëm lodër në mëshirën e tij. Natyrisht Isa Mustafa nuk do të marrë guximin të kundërshtojë, por dështimi, anashkalimi dhe imazhi i marionetës, i shihet në ballë.

Pra, me kthimin e trenit, nuk u dëshmua shtetësia, por u dëshmuar hapur dhe qartë mungesa e shtetit ligjor, rrjedhimisht, mosrespektimi i tij nga kryetari.

Kosova nuk dëshmoi se është shtet, por dëshmoi se është shtet privat i Hashim Thaçit. Hashimi është shteti! Dhe me këtë duhet të mburremi në një rend demokratik? Nuk po e heqim qafe krenarin kolektive fisnore, komuniste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat