Nga kush dhe nga çfarë kërcënohet kombi sot?

Opinione

Nga kush dhe nga çfarë kërcënohet kombi sot?

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 15 janar 2017 Në ora: 10:27
Skënder S.Kapiti

Pasi u botua një artikull i imi me Titull “Misioni i Kombit në rrugën e përjetësisë”,  disa shokë që e kishin lexuar më pyetën gjatë një bisede me ta se: përse nuk isha ndaluar dhe shkruar më shumë për rreziqet dhe se çfarë realisht e konkretisht e kërcënon kombin dhe sovranitetin kombëtar sot? Dhe shumë prej atyre problematikave, dhe  se çfarë  bisedova me ta, vendosa t’i shkruaj dhe t’i nis për botim në gazetën Tuaj, pasi edhe u binda se paska edhe lexues, dhe nuk paska vetëm nga ata që më kanë thënë  se: kot e ke dhe  mos shkruaj më sepse nuk lexon njeri. 

Në Shqipërinë “demokratike” fitimtarët dhe ata që ekspozohen dhe promovohen më së shumti  janë  jopatriotët, kozmopolitët   dhe komformistët  pa shtyllë kurrizore, të kriminalizuarit, trafikantët, të korruptuarit, servilët, të paaftët, të papërgjegjshmit, kontrabandistët, mashtruesit, gënjeshtarët, intrigantët  etj. Shërbimin më të përsosur  emulativ publikisht këtyre ua bën media.

Këta janë dhe duken kudo:  në parlament, në qeveri, në pushtet, në administratë, në bizneset kryesore si dhe nëpër mediat e bajatshme dhe të neveritshme ku ata reklamohen. Këta janë personat apo “personalitetet” më të rëndësishëm që vetëquhen por edhe që i quajnë  VIP-a, të cilët dominojnë  dhe i sundojnë të gjitha sferat: atë politike, ekonomike,  financiare, administrative, diplomatike, intelektuale, mediatike, juridike dhe madje edhe atë “morale”. Dhe prej këtyre së pari keqfunksionon shteti dhe shoqëria e që natyrisht që po dëmtohet rëndë edhe kombi.

 Një rol tej mase negativ në Shqipëri luajnë sidomos mediat e shkruara dhe ato vizive, prej faqeve e lajmeve të zeza dhe të ekraneve verbuese që manipulojnë informacionet, prej mediave  të cilat në emër të lirisë së shtypit, ato “rrezatojnë” energji negative që ushqejnë, ngrohin  dhe inkubatojnë viruse politike mediatike që e infektojnë dhe e prishin shoqërinë; këto  soj mediash servile, amoralisht politike dhe mercenare të parasë dhe të materializmit janë zgjatimi dhe vetë fytyra e politikës së cilës ato i shërbejnë.

Nëpëmjet këtyre mediave përcillen dhe tejcohen te publiku shqiptar “edukata” e anormaliteteve, banaliteteve dhe e amoraliteteve sikur ato të jenë normale dhe të moralshme si p.sh. trafikimi i votave dhe i mandateve, kriminalizimi politik, social dhe ai gjyqësor; imoraliteti dhe amoralitetet që përdoren  në parlament me batuta, sharje e fyerje të ulëta dhe që aplifikohet dhe ekspozohen shumfishherë nëpër media.

Emisionet muzikore, argëtuese dhe humoristike nëpër ekranet televizive  paraqesin dhe reklamojnë pornografi, lakuriqësi, argëtim  me fjalë banale dhe të ndyra dhe me lojra fati e bixhozi.

Lajmet në faqet e para të gazetave dhe minutat e para të lajmeve televizive paraqesin ngjarjet e zeza të krimeve të ndryshme, të trafikimit të drogës, të turpeve dhe skandaleve seksuale, të korrupsionit , të divorcimeve etj.

Sot, pra, për gjatë këtyre 25 viteve “demokraci” kërcënim të madh për kombin përbëjnë edhe shtrirja dhe përhapja masive e kulturës së kultivimit, përdorimit dhe e trafikimit të drogës;  fitimi i shpejtë i  parasë dhe të pasurisë me rrugë korruptive dhe me mënyra të tjera si vjedhje e grabitje të mbuluara, mbështjella, dhe  të mbrojtura  politikisht dhe ligjërisht nga mafia politike, ekonomike dhe e krimit të organizuar.

Realiteti i rëndë socio-ekonomiko-kulturor  ka  krijuar  dhe shkaktuar një gjëndje të rëndë sociologjike, psikologjike dhe depresive te publiku  si dhe me papunësinë, varfërinë  me korrupsionin e tejskajshëm dhe me manipulimin dhe spekulimin  politik e mediatik me to.

Dukja dhe ekspozimi i patriotizmit fals nga politika  ka qenë dhe përdoret si maskë pë të goditur dhe dëmtuar rëndë patriotizmin dhe kombëtarizmin e vërtetë. Edhe kur përdoret ndonjë fjalë apo retorikë patriotike, ato deklarohen sa për mashtrim publik për përfitim politik dhe më shumë sa për të mbuluar antipatriotizmin dhe tradhëtinë publike si politika ashtu dhe media prane saj. 

Politika apo strategjia e përdorur prej politikës, prej institucioneve të saj dhe prej mediave me të vetmin synim  për të sunduar, qeverisur dhe grabitur  sa më lehtë shtetin dhe kombin: ato kanë instaluar për këtë qëllim sistemin politik të korrupsionit dhe të vetëgjyqësisë, antishtetin, antiligjin  dhe kanë dëmtuar rëndë  edhe institucionin e familjes, të trashëgimisë, të fesë, të kulturës e të diturisë, të shtetit, të drejtësisë  dhe të moralit. Pra kur dëmtohen dhe rrezikohen këto, atëhere cfarë  mbetet tjetër  pa u dëmtuar dhe rrezikuar?

Këto janë në një linjë  dhe në një plan antikombëtar të cilin e kanë përdorur gjithnjë armiqtë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Kombi dëmtohet rëndë kur operojnë  kaq lirshëm korrupsioni, krimi, mafia, politika dhe pushteti i keq të  cilët injorojnë, zhvlerësojnë, përndjekin dhe i dëbojnë nga politika, nga aktiviteti shoqëror, nga administrat e biznesi  dhe  nga atdheu; si edhe kur shpifin, akuzojnë dhe njollosin, përbaltin  dhe injorojne ntelektualizmin, aftësinë, talentin, patriotizmin nga njëra anë, dhe kur nga ana tjetër po mafia, krimi, korrupsioni  dhe politika, pushteti  e media e keqe promovojnë dhe  sponsorizojnë, ngrenë dhe lartësojnë, favorizojnë, frymëzojnë  dhe kur licensojnë dhe shpërblejnë krimin, korrupsionin, amoralitetin, servilizmin, prostituimin politik, drogën dhe kundërpatriotizmin.  Shkurtimisht i paraqita këto si ndër faktorët  dhe aktorët  më negativë të  brëndshëm të cilët e dëmtojnë rëndë imazhin dhe interesin e përgjithshëm kombëtar.      

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat