Ky mur i ftohtë dhe kërcënues…

Opinione

Ky mur i ftohtë dhe kërcënues…

Nga: Fran Fran Kamshi Më: 15 janar 2017 Në ora: 20:50
Fran Kamshi

Në fillim dalëngadalë e tash kohëve të fundit me një shpejtësi marramendëse dhe të frikshme, mes popullit dhe politikës po ngrihet një mur, një mur i ftohtë, pengues e kërëcënues, që i ndan ata në dy drejtime dhe dy botë me interesa krejt të kundërta në Shqipëri.

Veçanërisht këtë dhjetëvjeçarin e fundit, ndodhi ajo që i kishte dhënë shenjat prej kohësh, që pushteti dhe populli do të ishin dy gjëra krejt të ndara. Edhe pse mes popullit dhe pushtetit të tij ka dete dhe oqeane që i ndajnë, përsëri makineria shtetërore dhe gjithë mjetet propagandistike dhe detyruese, arrijnë dhe ndërhyjnë në çdo kohë dhe sa herë të duan në jetën tonë, duke e vështirësuar atë përditë e më shumë. Edhe pse mendon se hallet e tua një ditë do të marrin fund, përsëri ato sa vijnë e shtohen. Kjo ndodh, se popullit nuk i ka mbetur asnjë mundësi dhe asnjë shans të takohet me pushtetin që nuk është më i tij, por që vjedh e grabit, që bën ligje e vendime në emër të popullit, për interesat e njerëzve të veshur me pushtet. Pra, shteti si makinë dhune e morsë shtrënguese i gjen rrugët për të shkelur mbi kurrizet tona, ndërsa popullit i ka humbur çdo mundësi komunikimi, sado të flasë e të ulërijë, fjala e tij ngec, siç ndodh gjithnjë kur flet fukaraja. Kjo distancë dhe ndarje drastike tashmë, mes popullit dhe atyre që ushqehen vetëm interesa sundimi e pasurimi, ka bërë imediate edhe ndarjen qartësisht të alternativave, të djathta nga ato të majta. Këto 20 vjet të çoroditjes tonë politike, realisht nuk ka patur një rreshtim, apo shtresëzim klasik të shoqërisë, sipas kritereve të mirënjohura, në mbështetje të së majtës apo të së djathtës, por mendojmë se kësaj amullie politike duhet t’i jepet fund. Në gjithë këto vite, ky absurditet dhe ngatërrim mes të majtës dhe të djathtës ka ndodhur dhe mbahet më këmbë, sepse vetë partitë, nuk janë ngritur mbi kritere të diferencuara dhe nuk funksionojnë dhe as i respektojnë këto principe programore e morale, pavarësisht si e quajnë veten të majta apo të djathta.

Ky ekuivok do të kapërcehet, vetëm duke luftuar me qartësi politike dhe pa mëdyshje,  me ndershmëri e vendosmëri, për zgjidhjen e çështjet madhore që preokupojnë shoqërinë e sotme shqiptare dhe jo me demagogji e përralla Fejsbuku. Marrëdhënia virtuale Qeveri - Popull është një katastrofë; dhe ketë e kupton lehtë çdo njeri, kur ka një hall a problem!  Ajo që përbën thelbin dallues të këtyre dy alternativave e përbën qëndrimi lidhur me raportin mes të pasurve dhe të varfërve, si dhe zgjidhjet që i japin programet e tyre, krizës së masave popullore, që tashmë ka marrë përmasa globale. Kjo krizë globale, e sjellë nga ajo që një ekonomist i shquar amerikan e quan “kapitalizmi i çrregulluar dhe i babëzitur”, po risjell edhe një herë në vëmendje të ekspertëve raportet mes të pasurve dhe të varfërve, detyrimet që kanë këto shtresa ndaj shoqërisë dhe detyrimet që vetë shoqëria ka ndaj tyre.  

Me fjalë të tjera, pabarazia sociale po thellohet në atë shkallë sa po shihet me shqetësim dhe nga vetë përfaqësuesit e oligarkisë politiko-financiare, të cilët do të donin një shoqëri më pak të disniveluar, për t’u ndier më mirë në komoditetin e pasurisë së tyre. 

Nëse në njërin krah, ky disnivel po shton në përpjestim të shpejtë ndjenjat antikapitaliste, në krahun tjetër, po shton përpjekjet e atyre që kanë miliarda për ta bërë më njerëzore pasurinë e tyre, aventurën e tyre të kamjes dhe disproporcionet sociale, duke “falur” diçka nga “shumica e gjërave” që zotërojnë. Në këtë mes, në këtë raport të ndërlikuar, hyn politika dhe pikërisht politika e spektrit të majtë, pasi gjithmonë në raste krizash e reçensionesh, e majta është më afër halleve të atyre që vërtet kanë hall dhe më larg atyre që rreken të thellojnë hallet e shumicës, për hir të ruajtjes së miliardave. Por kjo e majtë e vetëquajtur Rilindje në Shqipëri po tregon një fytyrë të egër antisociale, po mbron të pasurit dhe varfëron gjithnjë e më shumë të varfërit me konçesione absurde dhe masa antihumane dhe që nuk janë në natyrën e partive të majta.  

Dihet se në fillim efekti politik parësor i krizës ekonomike solli një përshpejtim të ardhjes së të majtës në pushtet në Europë dhe kudo gjetkë, të cilat synuan që të ngushtojnë sa të jetë e mundur më shumë, hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Por ky synim në qe në mundësitë e pritshmërive dhe e majta shumë shpejt do të pësonte goditje të forta politike. Në Shqipëri ngaqë ky hendek ishte aq i thellë dhe vazhdon të thellohet çdo ditë me ritme të tilla klithëse, e majta erdhi në pushtet me votë plebishitare, por reformat e saj të papërgjegjshme vetëm sa e kanë thelluar hendekun dhe lartësuar murin e izolimit midis shtresave të shoqërisë shqiptare. 

Në kushtet e reja ku gjendet njeriu shqiptar, në krizë dhe dëshpërim, në vend që t’i drejtohet një modeli, shansi a mundësie, të cilat duhet t’i shohë së pari e mbi të gjitha tek nëpunësi i administratës, tek njeriu i shërbimeve qytetare, (por në vend të kësaj sheh korrupsion dhe dallavere) shpesh i drejtohet rrugës më të lehtë e më të rrezikshme, krimit ordiner, vjedhjes, vrasjes, keqbërjes.  Në Shqipëri kriza nuk ka të shkojë më tej, nuk ka ndonjë limit më të egër e më të skajshëm, ku pritet që të degjenerojë, përveçse në trauma kolektive, që larg qoftë, mund të risillnin, në rastin më të keq, nëse do të vijonte manipulimi dhe mashtrimi i politikës bunker, një nëntëdhjetë e shtatë tjetër. 

 Prandaj, jo vetëm për shkak të nevojës së ngutshme të rrotacionit politik, jo vetëm për shkak të konsumimit të trishtë të një pushteti abuziv nga e majta dhe e djathta, por dhe për shkak të gjithë këtij kompleksiteti faktorësh nacionalë e gjeopolitikë globalë, është koha e daljes në skenë të forcave të reja politike. Shqipëria është një vend ku gjurmët e politikës së armatosur dhe përjashtuese kanë qenë të tilla që kanë lënë shenjë deri nën lëkurën e shqiptarëve të varfër, të cilët të ballafaquar me urinë, skamjen, mungesën e shërbimeve, taksat e larta për të vobektit dhe taksat e ulëta për mafien oligarkike, nuk kanë më se çfarë të humbasin. Se çfarë të fitojnë, në një rrotacion të pritshëm politik, në një terren ku politika të mos jetë hanxhar në duart e oligarkisë, por një barkë shpëtimi për shoqërinë, sigurisht që kanë pra, kanë se çfarë të fitojnë… Duhet nisur thuajse gjithçka nga fillimi, por në rrethanat e një votëbesimi popullor, kur konturohen fijet e shpresës, shoqëria e ndjen nga brenda ndryshimin, përgatitjet për ta përqafuar këtë ndryshim dhe për ta përkrahur atë. 

 Ndodh ajo që Karl Poper, një sociolog dhe politolog i shquar e quan “katharsisi kolektiv”, identifikimi i shoqërisë që pret të jetë objekt dhe subjekt ndryshimi me protagonizmin politik të këtij ndryshimi.   Leon Trotsky njëherë e përshkroi Rusinë cariste si ”ndërthurje e ligë midis kamxhikut aziatik dhe bursës evropiane”, përshkrim i cili i përshtatet edhe më mirë situatës së sotme ekonomike, sociale dhe politike në Shqipërinë e sotme, nëse “kamxhikun aziatik” e zëvendësojmë me “shkopin e gomës dhe snajperat e qeverisë”, si dhe “bursën europiane” me miliardat e kupolës.  Një forcë ose disa forca të reja në Shqipëri mund të kishin shanset të ngriheshin mbi këtë mentalitet antipopullor, të rrënojë murin e izolimit të politikës nga populli dhe të ndërtonin një urë të fortë midis politikës dhe shtresave të gjëra sociale të shoqërisë, duke u bërë një shërbëtore e interesave të njerëzve të këtij vendi, që o sot o kurrë, lypset të dalë, më në fund, nga kthetrat e këtij tranzicioni primitiv e të stërzgjatur deri në neveri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat