Demitizimi i luftës

Opinione

Demitizimi i luftës

Nga: Fadil Lepaja Më: 24 janar 2017 Në ora: 18:19
Fadil Lepaja

Qytetin e vogël francez, e kishin pushtuar nga forcat e huaja, e kishin plaçkitur, përfshi këtu gjithë artefaktet me vlerë. Në të përfshihej edhe piktura “Madona e rrëzuar”  (Të cilën ata që e kanë parë e quajnë “Madona e rrëzuar me cica të mëdha” ) për të cilën, doli të kishte qenë i interesuar edhe vet Hitleri. Por dy oficer gjerman vendosin ta ndalin për vete, që ta kenë pas lufte dhe të njejtën ia japin që ta ruaj pronarit të lokalit të vogël, dhe njëherësh kamerierit Rene, i cili nga zori për të mos e vrarë lëvizja e rezistencës për shërbimin e gjermanëve në restoranin e tij, bashkëpunon edhe më  britanikët dhe lëvizjen e rezistencës. E ngatrruar? Ndërsa Michelle, shefja e lëvizjes së rezistencës është e dashuruar pikrisht në kamarierin Rene, sikurse që është dashuruar në të edhe majori gjerman, Gruber, i cili  është homoseksual. Në shtëpinë e Rene, fshihen edhe dy pilot trima, por trullana, anglez të cilët asesi të arrijnë të këthehen falë pashkathtësisë së inteligjencës ushtarake. E kuptuat për çka bëhet fjalë?! Për luftën heroike dhe për heronjët e vërtetë.

E çfarë ka të bëjë me ne, Rene, dhe  seriali i famshëm “Allo’Allo”?  Çfarë ka të bëjë kjo me këtë shoqëri që jeton ende me gjendje lufte? Çka ka të bëjë me ne një  (anti)hero i cili përqeshë të gjitha palët në një luftë botërore,  pavarësisht motiveve, që bashkëpunon me të gjithë? Çka ka të bëjë lufta jonë me këtë luftë e cila në përmasat e një qyteze të vogël franceze merr formën e tragjikomedisë njerëzore. Ata, qytetarët,  nuk duan të ikin nga normaliteti, do të thoni jo, aq sa edhe idetë më të mëdha, më të egra dhe më të çmendura të ideologëve i kthejnë në banalitete dhe përditshmëri, pra një normalitet i cili të bënë të qeshësh me lot.

Ndërkohë, njerëzit tonë, edhe normalitetin e kthejnë në një çmenduri, që të bënë të qash me lot. Edhe banalitetet më të zakonshme, marrin energji negative dhe shërbejnë si pretekst për ndarje, grindje, luftëra... për epikë . Por, ne jetojmë nga politika. Pjesa më e madhe e Ballkanit, politikën e ka biznesin primar. Të tjerët paguajnë tatim.

Por të marrim gjërat me radhë. Tani, po e lëmë mënjanë trenin rus, i cili kërcënon të riniset,  dhe të merremi me normalizimin. Projekti i bisedimeve të deritashme Kosovë- Serbi  bazohej pikërisht në idenë e normalizimit, pra që të zbuteshin armiqësitë, të shuhej ndjenja e hakmarrjes te njerëzit,  çka do të largonte jo vetëm kujtimet e luftës por edhe mundësinë që konflikti të ri ndizej.  Kështu, mendohej se do të ndërronte edhe  pushteti. Por, ideja, e krijuar në Evropë, se përmes qytetarisë dhe të paqes, të dominoheshin dhe të tejkaloheshin  nacionalizmi ekstrem  dhe kriza permanente, duket se  dështoi tani për tani, aq më tepër se pikërisht kjo krizë qytetarët i  shëndërroi në instrument  të poltikës  në vend të reformës,  e cila i rriti dhe po i majmë oligarkët e rinj Ballkanik.

Qysh me u kthye në normalitet, kur njerëz krejtësisht të zakonshëm, krejtësisht anonim dikur, tash njëzet vite kanë hyrë në skenën politike, dhe jetojnë nga politika, janë punësuar/instrumentalizuar  prej elitave luftarake, vazhdimisht për të  protestuar kundër dikujt, duke u konfrontuar me dikë ? Kjo u bë profesion primar i masave, të cilat me “merita” dhe me përkatësi fitojnë vende pune, përfitime të ndryshme.

Qysh me ikë nga heronjtë? Qysh me u rikthye në jetë normale, me u marrë secili me shtëpinë e vet, familjen, e me punën e vet, apo papunësinë e vet, me interesat dhe ambiciet e tij personale?  Qysh me kuptua se me qenë njeri i zakonshëm nuk është turp? Qysh me e ballafaque njeriun e zakonshëm me vetveten dhe mos të ndihet i turpëruar përballë shkëlqimit të rremë që u falin mediat atyre që i kanë përzgjedhur për të qenë  të jashtëzakonshëm?  Qysh me i bindë njerëzit se lufta është diçka e keqe, nga e cila përfitojnë pak njerëz dhe se paqja dhe puna janë ato  që krijojnë gjithçka? Qysh me  i bindë njerëzit se shteti duhet të shërbejë qytetarët ?

 Qysh, kur ata nuk ndihen  aspak mirë sa herë ja kujtojnë se nuk i kanë  shërbyer si duhet shtetit, politikës, atdheut, ndërkohë që ideja evropiane se shteti, politika, atdheu duhet të i shërbejë qytetarët  u duket utopi, edhe përkundër përbetimeve kolektive për orientim euro-atlantik. Po çfarë, kush do na shërbej neve, thonë me vete qytetarët tonë? Kryetari do të na shërbejë, kryeministri, deputetët, kryetarët e komunave...?

Seriali, ynë  rrëfen se shoqëritë  me traditë demokratike , shumë shpejt arrijnë me e demilitarizua veten, duke i rikthyer  njerëzit në jetë normale dhe duke  e vlerësuar paqen  më tepër se luftën, sado të jetë bërë ajo në emër të idealeve të shenjëta. Demitizimi i luftës është hapi kryesor në këtë drejtim.

Por, të kthehemi te seriali në të cilin me aq  mjeshtëri dhe humor parodizohet lufta, shërbimet sekrete dhe rrjetet e tjera konspirative që e drejtojnë atë. Në një qytezë të vogël franceze, e cila bënë një jetë të qetë,  ku njerëzit e pashkathët dhe politikisht dhe ideologjikisht të padijshëm si gjithë njerëzit e zakonshëm, duke ndjekur dëshirat, paragjykimet, apo interesat e tyre të vogla, përthyejnë dhe degjenerojnë politikat globale, armiqësitë dhe interesat globale, sa duken të pavlefshme të gjitha idetë me të cilat ishte  zhvilluar një luftë. Natyrisht, ideja e serialit nuk ishte të përqeshej lufta antifashiste, as lufta për liri, por ishte në radhë të parë ideja që të karikohej  propaganda e pasluftës, filmat dhe dramat për luftën , sidomos , si kundërpeshë e  një drame televizive të asaj kohe, me emrin “Ushtria e fshehtë”, të prodhuar nga BBC, me të ciln portretizohej  lëvizja franceze e rezistencës,.

Qëllimet kolektive të shteteve,  edhe pse nuk kundërshtohen, ato megjithatë paraqiten  në një distancë aq të madhe prej interesave, dëshirave dhe  shqetësimeve të njerëzve të zakonshëm sa vetvetiu rrëzohet propaganda e sforcuar për heronjtë si njerëz të përsosur, e jo si njerëz të (jashtë)zakonshëm të cilët kishin luftuar për të mbrojtur mënyrën e tyre të jetës,  apo kundër imponimit të vullnetit të  tjetërkujt. Demitizimi , në fakt e bënë të pamundur sundimin në emër të gjeneratave të kaluara dhe atyre që do të vijnë mijëra vite pas nesh, por e krijon  realitetin ku qytetari sundon përmes përfaqësuesve të vet dhe të cilët ndërtojnë një jetë institucionale e cila është në shërbim të pikërisht këtyre   interesave të përditshme të qytetarëve dhe komunitetit.

Demitizimi si proces, në Ballkan , por edhe ndër ne shqiptarët  po del me vështirësi. Të gjithë ne rrimë gatitu përpara miteve qysh nga ilirët, e deri te këto të cilat ka arritur të i prodhojë makineria e lodhët e oligarkisë së re.

Por, të këthehemi te heronjët nga seriali i famshëm. Edith, këndonte aq keq sa të gjithë mysafirët në restoran i mbyllnin veshët me djath, Maria e kishte shprehi të pështynte derisa fliste, ndërsa plaka Fanny, ankohej se askush nuk po i dëgjon thirrjet dhe rënkimet e sajë...! Ndërkohë kamarierin Rene e donin të gjitha palët dhe e bënte me të gjitha! Mbijetonte!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat