Njohja e Kosovës, interes nacional dhe shtetëror i Serbisë!

Opinione

Njohja e Kosovës, interes nacional dhe shtetëror i Serbisë!

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 19:12
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

“Stop dreaming, start doing”!
 
-Zhvillimi i dialogut të Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit nën patronatin e BE-së (2011-2017) kinëse në emër të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është farsa më e madhe e mashtrimit dhe e manipulimit të serbëve dhe të shqiptarëve, sepse  de fakto, as de jure pa njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, nuk do të ketë kurrfarë “normalizimi” të marrëdhënieve mes tyre.

Pra, kushti themelor  për t’u pajtuar me shqiptarët, me Amerikën, me BE-në dhe me NATO-n, Beogradi zyrtar, domosdo nevojitet të  ridefinojë  kursin negativ dhe regresiv të politikës së deritashme strategjike të gabuar dhe të papranueshme  ndaj Kosovës, se gjoja kjo “është provincë e Serbisë”!
 
E para, Serbia, do të duhej ta njihte Republikën e Kosovës, më 17 shkurt 2008!
 
Sepse kjo do të kishte qenë në interesin e saj nacional dhe shtetëror ngaqë  në këtë mënyrë, do të distancohej nga historia dhe nga politika e deritashme e  të gjitha regjimeve pushtuese të Serbisë kolonialiste dhe hegjemoniste ndaj territoreve etnike shqiptare në Ballkan (1878-2017).

Pra, jo vetëm para nëntë vitesh (17 shkurt 2008- shkurt 2017), por qëkur Kosova  u vë nën protektoratin e administrimit ndërkombëtar të OKB-së ( Rezoluta 1244 e KS të Kombeve të Bashkuara, më 10 qershor 1999), Beogradi zyrtar, do të duhej ta kishte njohur Republikën e pavarur të Kosovës, jo vetëm për shkak të kryerjes së gjenocidit të saj të fundit (1989-1999), por, para së gjithash për shkak të fakteve të parrëzueshme historike, se Kosova ishte vetëm një koloni 100-vjeçre e Serbisë pushtuese (1912-1999). Kjo, do të thotë se me  pavarësimin e Kosovës, në asnjë kuptim, Serbia nuk ka humbur territor të ligjshëm  të saj, por vetëm një koloni të huaj.
 
Kështu flet jo vetëm historia e Ballkanit, por edhe ajo evropiane dhe botërore, se Kosova shqiptare kurrënjëherë nuk qenë brenda kufijve legjitimë dhe legalë të Serbisë, as në vitin 1878, kur Kongresi i Berlinit e njohu  dhe e shpërbleu Serbinë me territoret e Shqipërisë Etnike (Nish, Kurshumli, Bllacë-Leskovik, Vrajë… etj.), por ishte vetëm plaçkë koloniale serbe, e pushtuar dhe e aneksuar me  terror dhe me gjenocid, ashtu sikurse Anamorava shqiptare, që si rrjedhim i një gjenocidi të tillë shekullor, në viset e saj kanë mbetur gjallë vetëm Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
 
Serbia, “greminë” e vetizoluar në Ballkan
 
Sikur Serbia  ta kishte njohur Kosovën, para 17 vitesh (1999-2017), sot, Serbia nuk do të ishte “greminë e zezë” politike  dhe vorbullë e mjerimit politik, ekonomik, zhvillimor dhe të mirëqenies, por do të kishte qenë ndër vendet më të zhvilluara në Ballkan.

Veç kësaj,  Serbia do të kishte përfituar edhe si anëtare me të drejta të plota të BE-së dhe të NATO-s. Anëtarësimi  i saj në këto dy strutura evro-atlantike, Serbinë, do ta afronte edhe në aspektin e integrimit dhe të pajtimit me vendet e saj fqinje. 

Ky do të duhej të ishte interesi kryesor strategjik i Serbisë, jo  “prognozat tabloide” koherente të zbatimit   të politikës dhe të praktikës  së luftërave dhe të agresioneve pushtuese dhe gjenocidale të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, të Vojislav Sheshelit, të Tomislav Nikoliqit, të Aleksandar Vuçiqit dhe të Kishës politike ortodokse të Serbisë.
 
Serbia, duhet ta njohë dhe të jetojë me realzimin pragmatik (ta shpëtojë popullin serb nga uria dhe nga katastrofa ekonomike dhe ekzistenciale), jo të ushqehet me  produktet e skaduara toksiologjike të politikës së urrjetjes, të diskriminimit dhe të armiqësisë  të Slobodan Milosheviqit për t’i luftuar popujt e tjerë fqinjë joserbë vetëm për t’i zgjeruar kufijtë  territorialë të Serbisë së Madhe të Ilia Garashaninit (1844).

Për t’u distancuar nga një politikë e tillë katastrofike, jo vetëm për popujt fqinjë (shqiptarë, kroatë dhe boshnjankë myslimanë, por edhe për vetë popullin serb) lidershipi politik shtetëror i Serbisë, para së gjithash, nevojitet që përgjithmonë të “përshëndetet” me etnocntrizmin autodestrutiv dhe me  recidivat e nazifashizmit në kurriz të grabitjes dhe të sundimit të territoreve indigjene të Shqipërisë etnike, të Kroacisë, si dhe të vendeve të tjera fqinje.
 
Serbia, ta ndjekë shembulliin e kërkimfaljes së Uili Brantit të Gjermanisë!
 
Çfarë hapash konkret, duhet të ndërmarrë Serbia, që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, ta përshpejtojë procedurën e integrimit në BE  dhe të aderimit në NATO?
Së pari, të kërkojë falje publike kolektive (sikurse dikur  më 1971, ish-kancelari Uili Brant i Gjermanisë për viktimat  e shkaktuara nga nazifashizmi i Gjermanisë së Adolf Hitlerit) popullit shqiptar në Kosovë për krimet, për masakrat dhe për spastrimin etnik, që kanë kryer forcat barbare serbe  duke vrarë “11.840 shqiptarë; 1.392 fëmijë deri në moshën 18-vjeçare; 296 fëmijë deri në moshën 5-vjeçare; 1.739  gra; 1.882 pleq deri në moshën 65-vjeçare dhe kanë zhdukur 1.450 njerëz, si dhe kanë dhunuar 20.400 femra shqiptare”.

Së dyti, të paguajë reparacionet e luftës për të gjitha krimet, dëmet dhe palçkitjet që i ka shkaktuar Kosovës;

Së treti,  ta ndryshojë Preambulën e Kushtetutës në fuqi (2006), ku thuhet se “Kosova është pjesë e territorit të Serbisë”;

Së katërti,  ta ndërprejë dialogun absurd të Brukselit (2011-2017), sepse ai është  përpjekje për të copëtuar dhe kantonizuar territorin e  shtetit të pavarur të Kosovës në favorin e enklavave serbe etnikisht të pastra;

Së pesti,   de fakto dhe de jure, ta njohë Republikën e Kosovës, njohje kjo, e cila automatikisht Serbisë, do t’i garantonte hyrjen e saj në BE dhe në Aleancën e Atlantikut Verior (NATO).

Nuk ka asnjë dyshim  se, ky diskurs pozitiv i politikës zyrtare të Serbisë, do të përshpejtonte të gjitha reformat politike dhe ekonomike në Serbi, si dhe do to të krijonte  klimën  e favorshme dhe premisat reale për pajtimin  e serbëve me shqiptarët në Kosovë.

Kjo formë e rregullimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, teorikisht dhe praktikisht do të provonte normalizimin thelbësor të marrëdhënieve  mes Beogradit dhe Prishtinës, jo Dialogu fallso i Brukselit, që po zhvillohet kinëse në emër të “normalizimit të marrëdhënieve” mes Serbisë dhe Kosovës. 

Sa më sipër, lidershipi serb dhe Kisha Ortodokse Serbe, e kanë për detyrë morale, historike, politike dhe religjioze, që popullit serb t’ia thonë të vërtetën, se Kosova e pavarur dhe sovrane është realitet i krijuar në territorin e saj, që kurrë nuk do të rikthehet nën Serbi, sepse  atë   dikur  “e kishim vetëm koloni”, asgjë më shumë(1912-1999). Kjo e vërtetë, duhet t’u thuhet të gjithë serbëve, që mos jetojnë në iluzione dhe në zhgënjime iracionale, se gjoja “Serbia ka humbur Kosovën e vet”! – Përkundrazi, Serbia për shkak të gjenocidit të saj të fundmë (1989-1999) ka humbur vetë plaçkën  e saj ilegale shekullore.Asgjë më shumë!

Kjo e vërtetë, sidomos, duhet t’u thuhet gjeneratave të reja serbe, të lindura pas viteve të 90-ta të shekullit XX.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat