Origjina e majmunit!

Opinione

Origjina e majmunit!

Nga: Fadil Lepaja Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 10:18
Fadil Lepaja

Kush, nga kush, e ka origjinën, po më pyeste një mik i “vjetër” në rrjetet sociale. I vjetër, aq sa edhe rrjetet sociale, mbase. Për të mos ikur nga tema, ku po përpiqem të hyj, po sqaroj se ky miku e kishte fjalën për majmunin dhe njeriun, duke dashur kështu të shtrojë sërish në tavolinën tonë të vogël virtuale çështjen e madhe të (re)evolucionit . E shtron kot, sepse tashmë, mendimtarët e mëdhenj lokal nga xhamia apo kisha  lokale, konsiderojnë se e kanë zgjidhur  atë, dhe e argumentojnë këtë duke e vu në siklet bashkëbiseduesin i cili për ndonjë arsye e konsideron për turp që majmunin, apo më saktë njërin nga llojet e tij, të e ketë për paraardhës.

Tash, nëse turpin e marrim si referencë, në debatin tonë të vogël për origjinën, dhe nëse të njëjtin e nxjerrim në rrafsh etik, me të njëjtën ngarkesë emocionale, dhe me të njëjtën pretencë intelektuale,  atëherë mund të shtrohej edhe pyetja tjetër për majmunët, në këtë rast krejtësisht të pafajshëm, pra, a do të turpëroheshin vetë ata nga pasardhësit e tyre? A do të turpëroheshin nga veprimet kolektive dhe individuale njerëzore? A do të na pranonin për pasardhës në një debat të tyre akademik, në rrjetet e tyre sociale, në mënyrën e tyre të debatit?

 Do të thoni se tashmë, e kemi konstatuar shkencërisht  se majmunët nuk janë në gjendje për analiza të komplikuara shkencore, dhe se ne pretendojmë se e dimë çfarë i thonë njeri tjetrit kur çaraveshen në kafazet e tyre të ndërtuar nga pasardhësit e tyre (mos)mirënjohës. A nuk ngjajnë me debatet në parlament? Nejse, ne mendojmë se jemi më të bukur, edhe pse koncepti për të bukurën sa është relativ aq është edhe subjektiv. Ndërkohë, shkenca thotë se ata nuk janë në gjendje për të kryer analiza  më të komplikuara sesa të arrijnë të lidhin dy shkopinj për të arrirë një banane jashtë kafazit, por a nuk është në këtë nivel edhe krejt kuptimi i angazhimit njerëzorë? A nuk është një lodhje truri për të siguruar ushqim dhe mirëqenie?

A nuk sillemi në rreth ende me të njëjtat dilema, që nga koha e antikës deri më sot? Harro faktin se kemi sofistikuar mjetet e transportit dhe merru me dilemën se kah po shkojmë kështu me kaq ngutë në këtë rreth të mbyllur, i cili hapet vetëm duke ja përcjellë dilemat e njëjta gjeneratës tjetër?

Cilën nga dilemat e mëdha, të cilat kanë të bëjnë me origjinën dhe kuptimin e materies apo të jetës e kemi zgjidhur? Hë pra, ishte veza apo pula? Ishte apo nuk ishte majmuni paraardhës i ynë apo ishte vetëm njëri nga llojet “kushëri”? Ekziston materia apo jemi në ëndërr të dikujt tjetër?

Dëgjo “kushëri”, i thash,një debutuesi në rrjet, rreth kësaj dileme e cila sipas tij e paska rrënuar përfundimisht teorinë e evolucionit, për të e skuqur jo vetëm Darvinin, por edhe krejt shkencën moderne.  Pyetja ime, dhe dilema, ime “kushëri”,  nuk ka të bëjë me origjinën e njeriut! Po e lëmë anash turpin shkencorë të pafalshëm i cili guxon të na lidhë ne , të rruar e të kruar me paraardhësit e supozuar leshator dhe pa kollare. Dilema ime nuk ka të bëjë fare me njeriun, edhe pse jep indirekt edhe përgjigjen për ne. Pra, dilema ime themelore ka të bëjë me origjinën e majmunit. Prej nga e ka origjinën majmuni, “kushëri” ? U zhvillua edhe ai, sikur të gjitha llojet e tjera të gjallesave, në një proces evolutiv, apo janë projektuar në laboratorët qiellorë?

Vet dilema është blasfemi për besimtarët fanatik. Kaq u mjafton për të u filluar një luftë . Por ne që ende nuk kemi përgjigje, nuk do të fillojmë luftë, ndoshta për të vetmen arsye se ne nuk e dimë përgjigjen.

Për çudinë e laikëve, shkencëtarët gjithnjë e më tepër po gjejnë argumente se kreacionizmi është i mundshëm, po aq sa edhe evolucioni. Thjesht, nuk ka vendosur pikë.  Hulumtimet e reja shkencore sidomos ato që kanë të bëjnë me ADN-in, dhe materien në përgjithësi nuk i zgjidhin aspak dilemat në favor të ateizmit, madje as në favor të ideve të tjera. Thjeshtë, aty ku nuk kemi më shumë fakte, kalohet në interpretim, ose në teren të besimeve. Si duket për të gjitha anët e dilemës, zgjidhja për bashkëjetesë paqësore është në reformën e interpretimit të fakteve.

Sido që të jetë faktet të cilat njerëzimi i ka deri më tash  vështirë se mund të jenë argumente për thjeshtësinë dhe brutalitetin e fanatikëve  të gjitha besimeve apo të ateizmit revolucionar i cili synon të zhdukë të gjitha llojet e besimeve.  Mungesa e përgjigjeve në pyetjet, rreth dilemave fundamentale, nuk do të duhej të ishte arsyetim për kaosin dhe për zgjidhjen luftarake të dilemave, pra në formën se të drejtë ka fituesi në fushën  e luftës. Është e vërtetë se fituesit e (ri)shkruajnë historinë, por sa vlen kjo për shkencën? Nuk vlen. Të gjitha luftërat të cilat e ulën tmerrësisht çmimin e jetës në bursat ndërkombëtare, nuk kanë dhënë as edhe më të voglën përgjigje në këto dilema.

Po e përmbylli reflektimin tim, për ët mos e bërë lëmsh. Përfundimisht, “kushërinjtë” tonë e kanë zgjidhur  problemin e tyre me shkopinjtë, edhe pse ne nuk e dimë a meditojnë ata për origjinën? Sido që të jetë,  dilema për origjinën e njeriut prej majmuni, e vërtetë apo e shpifur, nuk është argument për asnjërën palë, dhe përgjigjja në të, nuk e zgjidhë dilemën tjetër madhore: prej nga e ka origjinën majmuni? Ose , me e thjeshtëzua edhe më tej, prej nga e ka origjinën, jeta!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat