Shqisa e 6-të e LDK-së!

Opinione

Shqisa e 6-të e LDK-së!

Kimete Berisha Nga Kimete Berisha Më 24 mars 2017 Në ora: 18:02
Në mes ditë të ditës më 21 mars, Hazir Borovci në ora 12:30 bashkë me Kryesinë e Degës, ka vendosur buqetë lulesh tek varri i Presidentit Rugova dhe ka zhvilluar një bisedë me presidentin Rugova. E ka informuar presidentin Rugova se për 27 vjetorin e LDK-së e ka ftuar anëtarësinë e gjërë, të Degës, intelektualë, rininë, gjininë e bukur, ish-kryetaret e Kuvendit Nexhat Dacin e Kolë Berishën, ish-presidentin Sejdiu.. etj, Presidenti Rugova e ka falënderuar për këto lajme të mira dhe për punën që po bën në Degën e III-të të LDK-së dhe I ka dhënë këtë 3 porosi: Rrite sofrën e madhe të LDK-së, në sofër sa më shumë intelektualë dhe rini, dhe mos i prishni punët me miqtë perëndimorë, posacerisht me amerikanët!”

Hazir Borovci nuk është i vetmi shqiptar që ka aftësi të flas me të vdekurit dhe t'i bind ata që t'i nënshtrohen kërkesave të tij dhe t'u përgjigjen aty për aty pyetjeve që i shtron ai.

Me fe, thonë, se ne njerëzit e zakonshëm nuk i shohim të vdekurit, nuk i dëgjojmë, ama mund t'u flasim lirisht atyre, ndërsa të vdekurit mund të na shohin e të na dëgjojnë, ama s'kanë mundësi të flasin. 
Kjo rregull nuk vlen për të gjithë.

Ka persona me aftësi të pakufizuara për të debatuar dhe për t'u marr vesh me të vdekurit, dhe ata kurrë nuk e kanë zbuluar sekretin e tyre që ua mundëson të flasin me shpirtëra e me fantazma sa herë të duan.

Bota ka raste të shumta të mediumship-it, kurse ne e kemi Hazir Borovcin, i cili e ka të zhvilluar aftësinë jo vetëm për t'i shtruar pyetje të vdekurit, por edhe për të zhvilluar debate me të, për të marrë këshilla dhe për të zhvilluar seminare te varri i Ibrahim Rugovës!

Sipas burimeve të mia, Hazir Borovci nuk është i vetmi. Në parti janë disa persona paranormalë që organizojnë seanca rituale, dhe komunikojnë me Ibrahim Rugovën falë energjisë së tyre kolektive.

Pikë së pari ata shkojnë te varri i Rugovës, fokusohen disa minuta me sy mbyllur, e pastaj e thërrasin shpirtin 'President', 'z.President historik? Lajmërohu. Haziri këtu!

Nganjëherë ndodh që Presidenti nuk lajmërohet, s'ka kohë, ose i injoron si shenjë proteste kur nuk është i kënaqur me punën e partisë.

Nëse habiten dhe e thërrasin me emër nuk u përgjigjet pastaj 1 vjet. Por, Haziri nuk e bën atë gabim, veç një herë ka gabu kur i është drejtuar Presidentit me emër!

Presidenti zakonisht përgjigjet pas 15 minutave lutjesh të Hazirit. 
Dhe, përgjigja e parë përçohet përmes rrymës (energjisë). U dridhet Iphoni në xhep (pasi t'ju rrënqethet trupi), fiken e ndalen dritat e abazhureve pranë varrit të tij, ose krejt papritur dhe vetvetiu hapet 'you tube' dhe dëgjohet kënga e tij e preferuar 'Rrallë kam pa këso bukurie' dhe aty këtu ndonjë varg i Jeseninit mund të ushtojë në qiell.

Këto shenja tregojnë se Presidenti në ato çaste po bëhet gati të 'çohet nga varri' për disa minuta, për t'i dalë në ndihmë Hazir Borovcit.

Kur Haziri e pyet Presidentin, për shembull si sot që e ka pyetur 'Çka me ba me amerikanët', Haziri ulet disa minuta pranë varrit të Presidentit dhe pret përgjegje.

Kur përgjigja e Presidenti është 'Jo' , Haziri i bie me grusht dy herë tokës së varrit, e kur përgjigja e Presidentit është 'Po', Haziri i bie grusht 1 herë tokës pranë varrit.

Haziri nganjëherë (në situata të rënda) i përdorë tre qirinj të ndezur për ta thirrur Presidentin.

Pyetjet duhet t'i shtrohen të vdekurit me zë të qetë, se në të kundërtën nëse i ngërmohesh shpirtit, nuk të përgjigjet.

Bisedën me të vdekurin e ndërpret i gjalli, prandaj Haziri e kthen qiriun mbrapsht dhe e fikë atë, për t'i thënë Presidentit 'Tung e bëfsh'!

Pasqyra është mjet tjetër të cilin e shfrytëzon mediumshipi i LDK-së për të biseduar me Ibrahim Rugovën.

Ndërsa para zgjedhjeve, LDK komunikon me Presidentin kryesisht nëpërmjet ndonjë gjëje që ka qenë pronë e të ndjerit, kryesisht nëpërmjet shallit të Rugovës, e përdorin shallin për ta vënë kontaktin me të, në raste pra që janë më urgjente.

Nganjëherë flasin me Presidentin, pa e ngarkuar me pyetje. Veç i tregojnë atij për shembull kush e kush ka vdekur dhe cila degë e partisë e ka ditëlindjen.

Sot, në mesditë, Haziri me shokë ka biseduar me Presidentin Rugova dhe i kanë treguar atij kë e kanë ftuar në tubimin e partisë. Presidenti ish gëzu shumë (dy herë ish gëzu) kur i ka tregu Haziri se kanë ftuar edhe Dacin.

Dhe, në fund të takimit, Presidenti e ka porositur Hazirin që 'mos të prishen kurrësesi me amerikanët'.

Amerikanët e kishin 'pushtuar edhe Parajsën'.

(Ata kishin hyrë në do biseda edhe më të thella, për diçka të rrezikshme kishin biseduar me Presidentin sot, se Haziri tha 'nuk dua t'ju ngarkojë me krejt çfarë folëm sot me Presidentin historik', për ç'gjë ne e falenderojmë, që na ka kursyer...

Pse s'po e pyet 'Kush i vrau njerëzit e LDK-së' për shembull, se thonë që të vdekurit i dinë të gjitha përgjigjet.

Mësohu të bësh pyetje substanciale dhe shfrytëzoje dhuntinë që ta ka dhënë Zoti, të jesh edhe 'i gjallë' edhe 'i vdekur' në të njejtën kohë. 
Herën tjetër pyete 'a do t'ju ndihmojë Presidenti m'i fitu zgjedhjet'!

P.S. Por për çdo rast, avitu pak edhe te Ferid Agani!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat