"Korporata" dhe (vet)vrasja e alternativës

Opinione

"Korporata" dhe (vet)vrasja e alternativës

Nga: Fadil Lepaja Më: 28 mars 2017 Në ora: 10:49
Fadil Lepaja

Krejt rastësisht, e huqën adresën për ku ishin nisur, dhe kështu u bënë megalajm. Një delegacion i Alternativës, partisë në formim të Mimozës dhe Ilirit, e cila  pretendon se ka një ofertë ndryshe për qytetarët e këtij vendi, aq më tepër të zëvendësoj këtë klasë politike të Kosovës, ishte nisur të bisedoj me “Korporatën”.  Ata, aksidentalisht përfunduan në ambientet e redaksisë së një gazete  kosovare, të famshme për fushatat e saj kundër korrupsion, e cila natyrisht, nxitoi që krejt kësaj ti jap sa më shumë publicitet.

Sido që të jetë, ambientet ku ndodhet redaksia e gazetës në mos më të madhe, padyshim më të zhurmshme kundër korrupsion, për nga shkëlqimi dhe luksi lehtë mund të ngatërrohen me ato të “Korporatës”  më të famshme në vend. Mesazhi i pathënë i këtij skandali ishte se  delegacioni partiak, me gjasë do të ketë synuar donacione për “biznesin”, përkatësisht alternativën  e tyre të re politike, nga vet korporata (së paku politikisht) më e fuqishme kosovare.

Gjithnjë, sipas gazetës, kjo ngjarje meriton maksimumin e publicitetit, pasi  alternativa e re politike, po shkonte të takohej me kompaninë e cila akuzohej,  nga vet ajo,   se qëndron prapa politikës së korruptuar kosovare,  edhe pse ekzistojnë edhe ide të tilla të “krisura” se ndoshta pikërisht  politika është vet pronari i vërtetë i këtij mega-biznesi, për të cilin pakkush e di se ku fillon apo ku përfundon. Por, “vetëvrasja” e alternativës, këtij sythi të politikës  kosovare, i cili as që arriti të lulëzojë,  duket se  nuk ishte e fundit.

Këto ditë edhe Shpendi, mund të ketë bërë diçka të ngjashme. Me dorën e ti, apo me dorën e “korporatës” kjo mbetet e paqartë. Shpendi,  po ashtu, sidomos me autobusët e rinj, dhe me ujësjellësin 24/7, për prishtinasit, gjërat këto më normale madje edhe për një kryeqytet ballkanik, po ngjitej majës së listës së favoritëve, të cilët mund të prodhonin ndryshime edhe në nivel nacional.

Te ne, nuk është për tu çuditur me asgjë. Jetojmë në kohë aksidentesh, kur treni mundet me të shkelë në banesën tënde, pikërisht ai treni i cili ecë nëpër hekurudhën jo ekzistuese, i cili nuk ka qarkulluar që nga paslufta për shkak se populli i varfër i vodhi trajtë e hekurudhës për tu ngrohur.

Ne jetojmë në vendin e çudirave, të shënjuar për diçka nga politika  ndërkombëtare, dhe ne kurrsesi nuk po arrijmë të e kuptojmë se për çka. Të jetosh në karantinë, i izoluar nga rrethi ka kuptim veç nëse jemi të infektuar me ndonjë virus të rrezikshëm, qoftë ai biologjik, ekonomik, apo (para) politik. Jemi të infektuar, përderisa kurrsesi nuk arrin të mbijë fara e ndryshimeve?

Por të kthehemi te Jahti. Telashi që e patën mediat, e rrjedhimisht edhe qytetarët,  me vetëvrasjen e radhës, të “shpresës”, kësaj radhe kishte të bënte me pronësinë. Fillimisht u përmend një biznesmen shqiptar në rajon të cilin, mediat rozë, e ndjekin kudo që shkon, sidomos për lidhjet e tij me yjet serbe, malazeze të estradës, dhe lidhur me pasurinë e tij përrallore. Përpos kësaj përmendet edhe në storjet ku shtypi përflet lidhjet e politikës me nëntokën, edhe pse në Ballkan vështirë se mund të bëhet një dallim. Por, doli se jahti luksoz, tashmë nuk ishte i tij, dhe se biznesmeni kontrovers ishte lakuar kot në këtë tregim, nëpër gojët e këqija të  medias.

Jahti, nuk doli të jetë pronë as e Biznesmenit tjetër po aq kontrovers, malazez, dhe po ashtu yll i medias rozë , për aktivitete të cilat dyshohet se nuk kalojnë nga zyra malazeze e tatimeve apo ajo e doganave. Sipas medias kosovare, të informuar drejtpërdrejtë nga “vendi” i ngjarjes, doli që jahti të jetë blerë, për vetëm shtat milion euro nga biznesmeni kosovarë, po aq i famshëm sa dy të parët, i njohur sidomos për atë reklamën ...! Le krejt, se te ne pak a shumë, të gjitha reklamat, kanë të bëjnë në njëfarë mënyre me të.

 Ajo që, doli të jetë rrethanë lehtësuese dhe u lakua si argument i fuqishëm i mbrojtës i Shpendit ishte fakti se ai në pushim, bashkë me familjen, kishte shkuar krejtësisht nëpër rrugë të ligjshme, dhe me veturën e tij personale dhe kurrsesi me veturën e tij zyrtare e cila, gjatë tri viteve të qeverisjes së tij u përdorë vetëm për marketing politik, dhe u përmend nga media veç për kursimin të cilin ia solli vendit, dhe perspektivës së ti euro-atlantike, nga mospërdorimi i saj.

Shpendi , përndryshe, nga shumëkush shihej si kandidati më serioz edhe për një mandat të dytë në krye të kryeqytetit. Nëse megjithatë do i humbte zgjedhjet për kreun e kryeqytetit, atëherë kjo me automatizëm e bënte kandidat serioz për kryeministër. Kjo tashmë është rruga e trasuar e politikës kosovare,  dhe shqiptare në përgjithësi, ku kuadrot e rinj të politikës qendrore kalojnë nëpër një test serioz në “bashki”. Pra, ai ishte në binarë dhe i fituar gjithsesi. Kështu duket të jetë bërë interesant për “korporatën”.

Ajo çka mbeti e paqartë, nëse këto dy afera, në dukje të parë të palidhura njëra me tjetrën  rrëfejnë për ndryshim të kursit të “korporatës”, pra nëse ata po kërkojnë kuaj të tjerë për garë, apo ishte krejt kjo si një strategji e sajuar për të djegur,  rrënuar alternativat e mundshme, ku padyshim shiheshin partia e re e Ilirit dhe Mimozës, apo edhe vet krahu i “FER”-it në Vetëvendosje, përkatësisht vet Shpendi?  Nëse ishte e para , atëherë po shohim në vepër divorcin e biznesit prej politikës dhe përgatitjen e përfaqësuesve më në zë të politikës, për udhë. Nëse megjithatë, ishte e dyta, atëherë, mesazhi është se krejt janë njësoj, dhe se nuk ka arsye për ndryshime.

Se partitë politike ekzistuese janë  në fakt  degë politike të “korporatës” çka do që nënkuptohet me këtë emër, nuk ka asnjë dyshim tashmë. Ngjarjet e fundit po tregojnë se ndoshta, jo vetëm degët por edhe sythat politikës,  ushqehen nga të njëjtat rrënjë. Ose edhe më saktë:  sythat mund të rriten vetëm nëse ushqehen nga të njëjtat rrënjë, të cilat i ushqyen edhe degët që më nuk po japin fruta. Sidoqoftë, metafora për rrënjët, na asocon se te ne, fatkeqësisht, ende  gjithçka zhvillohet në nënë tokë, ndërkohë që sovrani, pra qytetari, mund të rrijë nënë dardhë e të shpresoj të i pikë ndonjë në hundë, sikur te legjenda për dembelin e Stambollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat