Selam aleikum, mësues!

Opinione

Selam aleikum, mësues!

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 28 mars 2017 Në ora: 22:11
Mr. sci. Sylejman Salihu

Gjatë një provimi të gjuhës shqipe, për nxënësit që vijnë në shkollat gjermane nga trevat shqiptare dhe të cilëve gjuha shqipe u shërben detyrimisht për të arritur një standard të numrit të gjuhëve të huaja në shkollë, me të hyrë në provim të gjuhës shqipe, një nxënës nga Shkodra i ishte drejtuar mësuesve të komisionit me fjalët përshëndetëse: Selam alejkum, mësues!

Dhe kujt i thuhet se: mësuesit të gjuhës shqipe, i cili do të provojë edhe njohuritë e vetë atij nxënësi, që lidhen me gjuhën dhe kulturën gjuhësore të gjuhës shqipe nëse e posedon ai. E habitshme dhe trishtuese. Vetë paraqitja e tij me këtë formulë përshëndetëse arabe apo kuranore tregon se tek ai është hapur një faqe e re dhe e huaj, ndërkaq është mbyllur një faqe tjetër, që në fakt ishte e tij që nga lindja. Mësuesit e kishin shikuar nxënësin të habitur dhe pastaj ishin shikuar edhe mes vete duke u çuditur se çka po ndodhte në atë mes dhe ç’ ishte kjo gjuhë komunikimi midis nxënësit shqiptar shkodran dhe mësuesve shqiptarë nga Kosova.

Vërtetë ç’ është kjo gjuhë komunikimi dhe ç’ janë këto formula përshëndetëse po pyesim të gjithë ne? Deri aty ka shkuar puna sa i riu ynë ka braktisur përshëndetjen mijëravjeçare, ”Tungjatëjeta” më të vjetër se vetë “Kurani” e “Bibla” dhe që të mbush jetë, që të uron jetëgjatësi, që të dëshiron shëndet dhe gjënë më të shtrenjtë që mund të dojë njeriu- jetën sa më të gjatë e sa më të lumtur. Por jo, djaloshi shkodran paksa edhe me arrogancën e adoloshentit dhe fodullëkun e tij, nuk ka asnjë vrarje ndërgjegjjeje për mënyrën se si paraqitet para komisionit provues të gjuhës amtare.

Po ku filloi dhe zuri fill ky “fjalor i ri” i të riut tonë adoloshent. Doemos është familja , ajo që e ka çuar fëmijën në një gabim të tillë, por është edhe shkolla dhe mësuesi që e ka toleruar atë. Se fjala e nxënësit adoloshent nuk ishte qëllimkeqe në fillim të saj, por ishte kulturë komunikimi familjar dhe shkollor e rrethit ku ka jetuar dhe ku është zhvilluar. Dhe ku se ? Në Shkodrën loce! Në vendin e mbretërve e mbretëreshave.

Në vendin e flijimit dhe heroizmit. Në vendin e kulturës e të krenarisë. Atëherë nga ky trishtim, që duhet të na zë të gjithëve pyesim: kush po i zë vendin fjalëve dhe përshëndetjeve të bukura shqipe, të cilat populli ynë pavarësisht nga konfesioni që kishin, i kishte përdorë me shumë krenari, me shumë sharm dhe me shumë kulturë kombëtare? Apo kush po punon dhe po rrëmon keq e më keq për të keqen e saj? Por ja që gjërat kanë ndryshuar. Gjithnjë e më shpesh njerëzit tanë vazhdojnë të përdorin të tilla arabizma e orientalizma, duke dashur të shpërfaqin përkushtimin e tyre fetar.

Paslufta solli shumë ndryshime ndër shqiptarët dhe liria ishte më madhështorja që e shijuam. Përveç lirisë fizike ndër ne u shfaq edhe një liri tjetër, ajo e besimit fetar. Nëse për gati gjysmë shekulli na kishin munguar liria e mirëfilltë fetare dhe objektet fetare për ta praktikuar besimin fetar, siç kishte ndodhur me Shqipërinë, paslufta dhe pasdiktatura sollën botën arabe, të cilat e mbushën Kosovën dhe Shqipërinë me një arkitekturë tipike arabe dhe me një frymë të re orientale. Njerëz me mjekrra dhe me pantallona të shkurtër u shtuan në hapësirat tona dhe serviliteti ynë “bujarisht” pranoi kupolat e xhamive dhe majat e minareve por bashkë me to edhe “veshjen leksikore arabe” se zoti kupton vetëm këtë gjuhë të fisme.

E ne dimë t’ u bëjmë temenara atyre kur vijnë për “ miqësi” dhe “vëllazëri”. Ç’është ky transformim i mbrapshtë dhe ky metamorfizim apo ky tëhuajësim pse jo edhe deformim deri në përulësi morale, njerëzore e kombëtare? Ç’ është ky degradim e ky devijim që po ndodh sot me ne, me popullin më të lashtë të Evropës dhe me gjuhën tonë, më e moçmja e trungut gjenealogjik gjuhësor?

Përse t’ i drejtohemi vëllait tonë me : “selam aleikum” apo “merhaba”, duke pasur fjalët tona të arta që transmetojnë mirësi, dashuri, liri, butësi, zemërgjerësi, altruizëm, dashamirësi. Mësuesit e gjuhës shqipe kanë qenë shembull i ruajtjes së pastërtisë gjuhësore, ndërsa tani pikërisht ata mësues vihen përpara provokacioneve të tilla denigruese. Të kujdesemi dhe ta ruajmë me dinjitet kulturën dhe gjuhën se besimin fetar askush nuk ka ndërmend t’ ia pezullojë askujt. Është e drejtë e tyre, por edhe e drejtë e jona është mbrojtja e gjuhës shqipe dhe e identitetit tonë kombëtar e gjuhësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat