Prit me muaj e prit me vjet

Opinione

Prit me muaj e prit me vjet

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 14 prill 2017 Në ora: 07:15
Mr. sci. Sylejman Salihu

Ky është vargu emblematik i një kënge epike shqiptare, ku Hasimeja kot kishte pritur premtimin e të shoqit. Por pritja e gjatë, kur nuk ndodh asgjë apo pritja e kotë kësaj radhe lidhet jo me Hasimenë, por me fshatin Tërrn të Ferizajt. Përse?

Kush kishte premtuar dhe kush kishte pritur? Kishin premtuar strukturat komunale të Ferizajt dhe strukturat shtetërore të Kosovës dhe kishin pritur fshatarët hallexhinj të Tërrnit. Ja përse?

Në verën e vitit 2015 kisha shkruar artikullin “Kjo rruga e Tërrnit gropa- gropa” dhe me të lexuar të artikullit strukturat komunale ishin bërë tym. Pastaj kishin vrapuar dhe kishin dhënë premtimin solemn në fshat: sivjet do të shtrohet rruga. Por asgjë s’ kishte ndodhur përsëri.

Kur me 20 gusht 2016 shkrova një shkrim tjetër, teksa po kthehesha në Gjermani natën, pashë se po punohej në autostradë me reflektorë, një model se si mund të punohej edhe në Kosovë. Nëse nuk të del dita, atëherë shfrytëzoje edhe natën. Shteti i ri duhet të punojë ditë e natë, siç kishin bërë gjermanët. Për tërrnasit përsëri nuk u mbajt premtimi i përsëritur disa herë nga kryetari Sfarqa, për rrugën e Tërrnit, më e dëmtuara deri më sot në tërë komunën e Ferizajt. Ky premtim përsëritej çdo vjet, madje edhe çdo stinë, pa përmendur fushatën elektorale.

Nuk kam besuar se do të vinte dita që edhe pas nëntë muajve do të kishim të njejtën “status quo”. Përse mund të thuhet kështu? Pas shkrimit të datës 20 gusht 2016, reagoi menjëherë shefi i kabintetit të kryetarit të Ferizajt, Balton Dërguti:

Image
Rruga

Ja komenti i tij i plotë, siç e ka shkruar vetë me dorën e tij, me datën 20 gusht 2016, pa ndryshime bërë në Faceboock:

„Balton B. Derguti 

Përshendetje.Rastesisht e pash ket koment dhe po te njoftoj se asfaltimi i rruges ne Terrn fillon mbrenda ketyre diteve.Shum pune jane lene te fillojne ne Shtator per mos me ju pengu mergimtareve gjat pushimeve.Kosova eshte shtet i ri dhe nuk mund te krahasohet me Gjermanine qe ka qindra vite qe eshte shtet por po punohet qdo vit per nje mirqenje te mire.Qdo mergimtar sivjet e ka verejt qe shume rruge jane asfaltuar dhe shum te tjera po presin te asfaltohen. Me respekt:Balton Derguti-Shef i kabinetit te kryetarit te Ferizajt.

20. August 2016 ,12:46 „

E falenderova shumë që nuk na kanë penguar neve mërgimtarëve të lëvizim lirshëm nëpër rrugën tonë. Por edhe u gëzova shumë dhe shpresova se në muajin tetor, kur unë do të vija përsëri për pushime, do të shihja dhe dëgjoja zhurmën e eskavatorëve tek punojnë në rrugën kaq shumë të përfolur dhe kaq shumë të pritur. Por, ja që unë erdha përsëri në tetor të vitit 2016 dhe ç’do të shihja, veçse atë që kisha lënë.

Fshatarët thanë se kryetari kishte ardhur sërish në fshat dhe kishte dhënë sërish premtimin e radhës se pas një muaji vjen gjithë makineria rrugore dhe do të fillojnë më në fund punimet. Përsëri premtime. Premtim pas premtimi. Fjalë pas fjale. Me ditë, me muaj, me vite. Prit me muaj e prit me vjet, siç do të thoshte kënga. Pastaj sërish fjalë në gazeta, në radio, në televizione, por askund punë. Fjalë dhe vetëm fjalë. Dhe tash, sërish në prill të vitit 2017 asgjë e re.

Në fshatrat përrreth Ferizajt shtrohet zhavor, shtrohet asfalt, gjëmojnë eskavatorët, hapen rrugë, por tërrnasit vazhdojnë edhe më tutje të vuajnë barrën e dënimit dhe të ndëshkimit. Ata duhet të presin dhe vetëm të presin. Fshatarët deri tash edhe besonin, por tash si duket ky besim ka humbur. Në fushatën elektorale para katër viteve kryetari Sfarqa kishte premtuar rrugë, e rrugë ende nuk ka.

Mandati i tij katërvjeçar po përfundon. Citohen emra dhe personazhe të ndryshëm të kenë thënë fjalë për rrugën si: Lutfi Zharku, Fehmi Mujota, Muharrem Sfarqa, Gafurr Ilazi. Por nga gjithë ky mal fjalësh dhe thashethemesh, asgjë më tepër. Vokabulari më i përdorur që kishin dëgjuar fshatarët janë fjalët :prioritete, shpallje tenderësh, prishje tenderësh, ritenderime, kompetenca republikane, kompetenca ministrore, kompetenca komunale, divergjenca, mosmarrëveshje, ndarje interesash, përqindje e shumë të tjera, fjalë të cilat i kanë mësuar përmendësh tash edhe vetë fshatarët.

Po cila është e vërteta e këtij projekti, që s‘ po arrijnë ta mësojnë asnjëherë fshatarët e mospërfillur? Përse nuk u thuhet ajo e vërtetë drejt në sy? Ishte thënë përpara se paratë i ka siguruar ministria, se është shpallur tenderi, se është fituar tenderi, se është prishur tenderi se, se se…Edhe sa kësi se do të dalin dhe do të shqiptohen e do të shkruhen?.A janë tërrnasit qytetarë të barabartë të Ferizajt si edhe qytetarët e fshatrave tjera apo kanë statusin e të diskriminuarit?

Mjerisht vetë Tërrni nuk ka asnjë deputet dhe asnjë këshilltarë komunal për të qenë, i cili mund t‘ i adresonte problemet e fshatit në strukturat më të larta komunale dhe shtetërore. Se po të kishin pasur, siç kanë të tjerët, do të lulëzonin rrugët dhe rrugicat, siç po ngjet nëpër fshtarat tjera, për çka i urojmë dhe i përgëzojmë. Por tërrnasit të pranojnë statusin e të pabarabartit, nuk duan. Përse dhe kujt i paguajnë atëherë taksa ata? A thua taksapaguesi nuk paska të drejtë të vjelë edhe diçka nga taksat e veta?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat