Ç’është, dhe çfarë kërkon të zgjidhë “Zgjidhja” e Kokëdhimës

Opinione

Ç’është, dhe çfarë kërkon të zgjidhë “Zgjidhja” e Kokëdhimës

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 28 prill 2017 Në ora: 11:20
Skënder S.Kapiti

Pse kanë dështuar funksionimi i partive politike, i politikës dhe i demokracisë në Shqipëri?

Armiku dhe të keqijat më të mëdha shqiptarëve po u vijnë nga partitë politike;  nga këto organizata të cilat veprojnë dhe shfrytëzohen në favor  të individëve apo të grupeve të interesave politike private; parti, të cilat, establishmenti apo elita politike e tyre: kombëtaren, publiken, shtetëroren dhe patriotizmin i shikojnë dhe i trajtojnë edhe ato si prona private.

Partitë politike shikohen si streha të sigurta garancie dhe sigurie për pandëshkueshmërinë e krimit, korrupsionit, tradhtive, parasë se pisët të trafikimeve të qenieve njerëzore, drogës, prostitucionit, të evazionit fiskal, të abuzimeve dhe të tenderimeve  korruptive; si agjenci politike për të rrëmbyer pushtet dhe të grabitjeve të pronave, të pasurive dhe të parasë publike etj., dhe, prej të cilave sponsorizohet edhe vetë partitë, ku përfitojnë kryesisht njerëzit më potent te establishmentit politik në Shqipëri të cilët bëjnë dhe urdhërojnë edhe ligjin nëpër gjykata si  edhe manipulojnë zgjedhjet dhe blejnë votat dhe pushtetin. Prandaj besoj se ka ardhur koha për ndërgjegjësim dhe zgjim nga letargjia dhe apatia  të shkaktuara prej opiumit mashtrues, të pabesë, manipulativ, hipokrit dhe korruptiv  të politikës së derisotme.

Lëvizja “Zgjidhja” e Koço Kokëdhimës lindi si rezultat i krizës së identitetit, besimit, dhe shpresës; erdhi si pasojë e devijimit nga programi social i lidershipit dhe i qeverisjes së Rilindjes së Partisë socialiste;  erdhi nga mos mbajtja e premtimeve para anëtarësisë së partisë dhe votuesve shqiptarë; erdhi si pasojë e mungesës së demokracisë së brendshme në PS; erdhi si reagim ndaj keqqeverisjes, kriminalizimit të  politikës shqiptare, nga korrupsioni, nga papunësia, eksodi dhe sidomos nga kanabizimi i politikës qeverisëse, i vendit dhe i masivizimit të kultivimit dhe trafikimit të drogës politike  me paratë e së cilës kërcënohet dhe rrezikohet shitblerja e votës.

“Zgjidhja” erdhi si  reagim ndaj koncesionit të pasurive kombëtare, pothuajse të gjithçkaje, e pothuajse edhe të shtetit . Ajo doli në skenën shqiptare politike  edhe  nga mos transparenca, abuzimi dhe keq menaxhimi i parasë publike, korrupsioni në investimet në punët  dhe në shërbesat publike si në arsim, shëndetësi e kudo në administratë.

Dhe është detyrë e çdo individi,  intelektuali dhe e jo indiferentizmit qytetar dhe politik që të vëzhgojë, të shprehë opinionin e tij dhe të reagojë për çdo ndryshim dhe për çdo alternativë politike që vjen si reaksion kundër dështimit, korrupsionit  e krimit të politikës pasi: politika sot është aktiviteti më i përhapur dhe pashmangshmërisht më i nevojshëm dhe më i prekshëm nga publiku përderisa ajo, pra politika, merret dhe premton se u shërben qytetarëve  të shtetit shqiptar prej të cilëve ajo kërkon votën  dhe pushtetin si dhe asaj se: politika e pushteti  mbahen dhe paguhen nga taksat e popullit; por edhe u besohet atyre administrimi i parasë, interesi publik  dhe shpërndarja e të mirave.

Askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj politikës sot përderisa ajo merr përsipër  dhe premton zgjidhjen e problemeve dhe të problematikave sociale; përderisa ajo premton punësim, mirëqenie; siguri ekonomike, sociale e politike ; shkollim, shëndetësi, stabilitet, qetësi, siguri, sundim të ligjit dhe të drejtësisë, ujë, drita, ndriçim, e pothuajse gjithçka. Dhe kur politika mashtron, gënjen, tradhton dhe korruptohet atëherë është detyrë  qytetare që të kundërshtohet dhe të veprohet demokratisht kundër politikës, duke dalë edhe lëvizje apo forca të reja politike për ta ndryshuar gjendjen në favor të interesit të përgjithshëm.

Nisur nga këto  fakte, them  se doli në skenën politike shqiptare edhe Lëvizja “Zgjidhja”  e Kokëdhimës  e cila duhet parë së pari si një risi e nevojës së konceptimit dhe të realizimit modern të demokracisë praktike në Shqipëri; duhet parë si një politikë expolitike, si antipolitikë  kundër  elitës dhe statu-quo-së politike  aktuale; si një nevojë për emancipimin dhe për kultivimin e kulturës së lirisë së zgjedhjes racionale individuale dhe të asaj “fillore” e cila lëviz dhe fillon nga baza, nga antarësia politike dhe opinioni publik; si një Lëvizje  për të bërë çmonopolizimin apo shpronësimin e partive duke minimizuar sa më shumë diktatin dhe kontrollin që kanë lidershipët apo “elitarët” lart në parti, në pushtet dhe në qeverisje për përzgjedhjen dhe për emërimet e kandidatëve.

Në Shqipëri dhe kudo në hapësirën shqiptare partitë politike shqiptare duhet të çmitizohen nga ajo që : Partia është  kryetari, dhe kryetari është partia”.

Mendoj gjithashtu se Lëvizja “ Zgjidhja” e reformatorit Kokëdhima lindi pasi në Shqipëri partitë politike dhe demokracia e tyre keq funksionojnë apo mirëfunksionojnë si autoritarizëm, me papërgjegjshmëri, me nepotizëm dhe me korrupsion.

Mes politikës së partive nga njëra anë dhe nga individët, shoqëria civile, shteti dhe institucionet e tij nga ana tjetër nuk ekzistojnë lidhje funksionale jetike në funksion të së mirës së përgjithshme.

Interesat e politikës dhe të politikanëve shqiptarë nuk janë në përputhje dhe nuk janë dhe nuk gjenden brenda interesave kombëtare dhe të publikut.

Establishmenti apo elita politike shqiptare e derisotme e ka privatizuar dhe monopolizuar shtetin dhe demokracinë; demokracia nuk gjendet në popull përveçse si demokraci e korruptuar dhe si mashtrim.

Estamblishmenti politik shqiptar apo më saktë sistemi pluropartitokratik gjithshqiptar ka dështuar në akumulimin si dhe për zgjidhjen e aspiratave kombëtare, demokratike, të progresit, mirëqënies dhe të integrimit si demokratik të brëndshëm dhe në atë të integrimit europian të shoqërisë shqiptare.

Këtu duhen kërkuar arsyet e daljes në skenën politike të Lëvizjes “Zgjidhja”.

Lëvizja e Kokëdhimës mendoj se erdhi si mospërputhje apo si një “përplasje” ndërmjet sinqeritetit dhe ndershmërisë së bazës  së PS-së, anëtarësisë së saj dhe e votuesit të dëshpëruar shqiptar në përballje me korrupsionin dhe me tradhtinë që atyre u është bërë nga lart, nga lidershipi dhe nga pushteti i tij.

Këtë antagonizëm apo kontrast të thellë politik ndërmjet bazës poshtë, anëtarësisë dhe zgjedhësve me establishmentin apo elitizmin e lidershipet e partive e kanë të gjitha partitë politike shqiptare, por këtë kundërshti dhe kontradiktë e vërejmë sidomos kur partitë shqiptare vijnë në pushtet, kur lidershipet e tyre matufosen dhe i mbyt zullumi dhe korrupsioni, pushteti dhe paraja dhe që  braktisin premtimet , partitë, popullin  dhe demokracinë sapo ato marrin pushtetin.

Pra, Lëvizja politike “Kokëdhima” apo “Zgjidhja”nuk duhet parë  vetëm si Lëvizje  brenda PS-së kundër  pseudoRilindjes së Edi Ramës por si një Lëvizje  kundër establishmentit politik shqiptar të tranzicionit në tërësi, establishment i cili mban peng demokracinë, shtetin, shoqërinë, patriotizmin dhe integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE, si një lëvizje kundër politikës së pengimit, bllokimit dhe kundër korrupsionit që kanë paralizuar sistemin, ligjin dhe drejtësinë.

Lëvizja “Zgjidhja “brenda Partisë Socialiste nuk erdhi pra rastësisht dhe vetvetishëm, por ajo lindi si një nevojë dhe si domosdoshmëri që e kërkon realiteti politik  dështak 25 vje?ar i këtij tranzicioni të tejngopur  me  kriza dhe problematika të rënda politike, ekonomike, demokratike dhe sidomos me një gjendje të rëndë sociale, mungese besimi dhe humbjeje shprese.

Por e veçanta dhe ndoshta si tipike duhet shënuar  fakti  se Lëvizja “Kokëdhima” apo “Zgjidhja”  erdhi nga brenda Partisë Socialiste e cila është në pushtet, dhe jo si lëvizje e opozitës politike apo e shoqërisë apatike e të paralizuar civile shqiptare, gjë që do të thotë se opozita aktuale politike  dhe shoqëria civile  shqiptare nuk kanë  dhënë akoma alternativë zgjidhjeje për të ndryshuar dhe përmirësuar as veten e vet, demokracinë brenda tyre, e jo më shtetin dhe shoqërinë.

Vetëm një opozitë e vërtetë demokratike e cila ta shohë demokracinë si ligj, si liri veprimi e mendimi, ku të pyetet e të vendosë anëtarësia për të zgjedhurit politikanë deputetë  dhe partiakë të saj, dhe jo dëshirimi, vullneti dhe lista verbale e kryetarit dhe e establishmentit politik në orën 12 të natës kur skadon afati; vetëm një parti e cila vlerëson kontributet, dhuntitë, talentin, profesionalizmin dhe sidomos ajo parti që vlerëson ndershmërinë dhe  patriotizmin: asaj force politike i duhet dhënë vota dhe besimi për të qeverisur shoqërinë dhe shtetin.

Një  Lëvizje  antielitë, antiestablishmet dhe analizë të thellë transparente dhe demokratike duhet ta kishte bërë Partia Demokratike e cila është prej 4 vitesh në opozitë në mënyrë që ajo t’ë kishte nxjerrë alternativën por edhe për të fituar besimin duke akumuluar pakënaqësitë dhe zhgënjimet e qytetarëve.

Partinë Demokratike e konsumoi shumë  rëndë qenia saj për tetë vite në pushtet: e konsumoi korrupsioni, papërgjegjshmëria dhe padrejtësia, mashtrimet dhe premtimet e pambajtura etj.,  dhe megjithatë, ajo nuk ka nxjerrë akoma as sot mësime nga pësimi i rëndë që mori me meritë në  zgjedhjet e vitit 2013, dhe për pasojë edhe shanset për të fituar zgjedhjet e këtij viti nuk i ka aspak.

Por kjo Lëvizje lindi brenda Partisë Socialiste në pushtet nga Kokëdhima, nismë që është si ajo e Donald TRUMP, i cili nga një republikan i thjeshte falë: guximit, talentit dhe përvojës së tij të suksesshme private ; por sidomos në sajë të funksionimit të përsosur të demokracisë së brendshme në Partinë Republikane, ai sfidoi brenda partisë rivalët e fortë dhe me përvojë të gjatë politike dhe u zgjodh si kandidat  për President i asaj partie: jo nga lart, jo nga elita partiake, jo nga establishmenti politik i saj, por, atë e zgjodhi anëtarësia e saj të cilin pastaj e votoi dhe e zgjodhi President të SHBA-ve votuesi amerikan, duke  bëre zgjedhjen e duhur.

Kokëdhima përbën një ndër ato rastet shumë dhe tepër të rralla në Shqipëri kur një individ , jo vetëm  si politikan, por njëkohësisht  edhe si një biznesmen i suksesshëm si ai, që të jetë edhe kaq shumë i përkushtuar dhe i interesuar për mirëqenien e përgjithshme, për të mirën publike.

Mendoj se Z. Ko?o  duke  parë situatën në Shqipëri, realitetin shumë të  zymtë,  edhe sot nën qeverisjen e Partisë Socialiste me Kryeministër E.Ramën, pasi ai i konsumoi  të gjitha përpjekjet e tij me lidershipin apo establishmentin aktual të PS-së për Reformimin e Partisë  Socialiste dhe të qeverisjes, atëherë ai shpalli platformën dhe programin e tij: të një Lëvizjeje e cila synon ?lirimin e mendimit ndryshe brenda Partisë; që  zgjedhjen dhe vendimmarrjet të bëhen nga anëtarësia dhe jo nga kryetari dhe establishmenti politik i saj; kërkon  transparencë dhe aktivizimin politik të elementëve potencialisht  më të aftë politikisht, profesionalisht, patriotikisht dhe  moralisht  dhe që PS ka më shumë se sa ?do subjekt tjetër politik  në Shqipëri për konsolidimin e shtetit, zhvillimin ekonomik, të demokracisë dhe të integrimit për të cilat populli shqiptar ia besoi PS-së qeverisjen me një besim shumë të madh si të një revolucioni demokratik para 4 vitesh në zgjedhjet e vitit 2013, sepse aq shumë ishte zhgënjyer  populli nga ish qeverisja e PD-së dhe e S.Berishës.

Vizioni i Kokëdhimës si më të rëndësishëm ka Zgjidhjen e kryeproblemit të demokracisë : atë të  realizimit  të zgjedhjeve të lira e demokratike, realizimi i të cilave konsolidon demokracinë,  sovranitetin e individit, shtetit dhe të shoqërisë: realizon dhe vë në funksion ligjin, drejtësinë, ndërtimin e shtetit ligjor dhe i hap rrugën e  përshpejton integrimin e Shqipërisë.

Partia Demokratike, elita apo lidershipi  i saj  as nuk ka treguar shenja serioziteti dhe reformimi dhe as ndjese publike edhe pse mbi supet e saj rëndon autorësia kryesore si shkaktare e kësaj gjendje të rëndë anarkie dhe të dështimit të demokracisë  si dhe  mos ndërtimi  e mosfunksionimi i shtetit modern me ligje dhe standarde demokratike shtet formuese pasi ajo e ka dominuar politikisht tranzicionin në Shqipëri.

PD  është autorja e instalimit dhe e montimit  të kulturës dhe praktikës së vjedhjes dhe e manipulimit të zgjedhjeve; autore e kapjes politike të shtetit dhe të drejtësisë; autore  e keqfunksionimit të sistemit dhe të mirëfunksionimit të korrupsionit gjë të cilën e ka pasuar dhe vijuar më pastaj edhe Partia Socialiste, dhe sidomos kjo qeverisja aktuale e saj, e Ramës dhe e rilindësve te tij.

Këtë kërkon si ndër më të rëndësishëm edhe z Kokëdhima që t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë dhe të çrrënjoset kultura e matrapazllëkut dhe manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri.

Pavarësisht se reformatori Ko?o Kokëdhima i cili shquhet për pjekurinë e tij të lartë morale tregohet shumë  mirënjohës dhe i moderuar kur shprehet se: “Ne jemi zgjidhja! Ju jeni Zgjidhja! Unë jam zgjidhja!”, vlerësoj  dhe gjykoj se ajo e cila e ka nxitur Z. Ko?o për të ndërmarrë këtë Lëvizje ka ardhur si rezultat i një studimi të detajuar prej tij të shkaqeve dhe të shkaktarëve prej të cilëve kombi, shteti dhe shoqëria vuajnë dhe e pësojnë vazhdimisht që prej 25 vitesh.

Këtë e tregon programi i Lëvizjes së iniciuar dhe të drejtuar prej tij, i cili jep Zgjidhjen e problematikave dhe të të pazgjidhurave të derisotme në Shqipëri prej të cilave vendi mbahet në një gjendje anarkie politike, demokratike, padrejtësie, korrupsioni, mos zhvillimi, trafikimi droge dhe qeniesh njerëzore, varfërie, papunësie, eksodi të vazhdueshëm dhe mos integrimi.

Ko?o  Kokëdhima është nxitur dhe motivuar për ndërmarrjen e kësaj Lëvizjeje nga shpirti revoltë i tij,  i këtij politikani patriot dhe intelektual të guximshëm për të mos u pajtuar me të keqen politike, ekonomike , sociale dhe demokratike e cila ka ardhur si rezultat i këtyre politikanëve keqbërës, të korruptuar dhe të papërgjegjshëm që e kanë sunduar dhe e sundojnë Shqipërinë, apo prej kësaj që tashmë quhet si elitë apo establishmet politik.

Gjithashtu kjo revoltë vjen dhe është si karakteristikë e individëve me përvoja dhe me trashëgimi fisnike, patriotiko-kombëtare, kulturore dhe intelektuale dhe me dhembshuri sociale, ndjesi shpirtërore dhe me tolerancë e pjekuri morale si dhe të njerëzve me integritet dhe të guximshëm intelektualisht dhe patriotikisht.

Është e drejta e votuesit që ta zgjedhë apo votojë   “Zgjidhjen” pasi tashmë ai është ndërgjegjësuar se: politika, elita apo establishmenti politik si ai i Majtë dhe i Djathtë i këtij tranzicioni kanë dështuar.

Duhet ndëshkuar politika dhe kjo elitë politike e sotme në të dy shtetet shqiptare e cila për patriotizëm ka pasur dhe vazhdon edhe sot të ketë : “Dashurinë” për ta vjedhur, grabitur dhe rrënuar shtetin dhe atdheun; për humanizëm dhe si demokraci ka pasur por edhe  ka: varfërinë, korrupsionin, mashtrimet, gënjeshtrat dhe tradhtinë ndaj shoqërisë dhe popullit.

 Elita politike shqiptare e këtij tranzicioni si përgjegjshmëri dhe si sakrifica ka pasur  dhe tregon gatishmërinë për të sakrifikuar të drejtën shtetërore, postet e detyrat publike si dhe individin, partitë , shoqërinë dhe interesin kombëtar  për interesa të ngushta personale, familjarë dhe klanore.

Kur themi në Shqipëri kuptojmë edhe Kosovën pasi as atje realiteti nuk është aspak  më i mirë. Edhe atje duhet një zgjim për një ndërmarrje të një Lëvizje politike  të tillë si kjo e Kokëdhimës në Shqipëri për emancipimin dhe demokratizimin e brendshëm të partive politike e cila i paraprin lirisë dhe demokracisë së vërtetë të tërë sistemit më pastaj.

Rinia shqiptare duhet t’i bashkëngjitet “Zgjidhjes” dhe  të mos e braktisë atdheun, dhe mos  ta kërkojë zgjidhjen dhe shpresën  në vendet e huaja; të mos emigrojë, por ta realizojë veten, shpresën, ardhmërinë, sigurinë dhe perspektivën në atdheun e vet. Pra, mendoj se është detyrë  e joindiferentizmit që çdo nismë të re, pa marrë parasysh se nga cila forcë politike ajo buron dhe aktivizohet, por që dhe përderisa ajo vjen  si një alternativë  apo premtim i cili  i shërben përmirësimit dhe interesit publik, ajo duhet përkrahur.

Por realiteti gjithpolitik  pluropartitokratik  shqiptar, realiteti i shoqërisë civile  tregon se ato nuk janë   emancipuar akoma me tolerancën dhe me pjekurinë morale të tolerimit të mendimit dhe të lirisë së tjetrit brenda partive politike dhe shoqatave dhe organizateve të shoqërisë civile.

Kjo gjë u vërejt së fundi edhe në agresivitetin e treguar si nga udhëheqja e lartë politike, lidershipi i PS-së dhe nga pushteti i saj i politikës së “gjuetisë së shtrigave”,  siç u pa rasti hakmarrës i ndëshkimit, dëbimit dhe brutalitetit antidemokratik e antikushtetues të shkarkimit të Kryetarit socialist të Qarkut të Vlorës, z. Sadrit Danaj, vetëm pse ai është përkrahës i Lëvizjes “Zgjidhja”.

Mendoj se përderisa Lëvizja Kokëdhima është një lëvizje politike me karakter dhe program të gjërë social, ajo nuk ka pse të qëndrojë  e kufizuar apo edhe e “kushtëzuar” dhe nën presion brenda një Force politike e cila është larg demokracisë së brendshme si dhe e larguar tejmase nga ideologjia dhe nga programi social që është karakteristikë e së Majtës, siç është  PS-ja aktuale.

Lëvizja “Zgjidhja” nuk duhet të kushtëzohet vetëm te elementi i anëtarësisë brenda PS-së , por ajo sikur të dalë forcë politike  më vete jashtë PS-së, si Lëvizje apo si parti politike, ajo do të jetë më e besueshme, më e pavarur dhe më e lirë dhe e hapur për të mirëpritur në gjirin e saj njerëz me pikëpamje ndryshe nga ato të establishmentit politik autokratik dhe apolitik e amoral të partive politike të derisotme në Shqipëri, të cilët, e gjejnë sovranitetin,  talentin , lirinë dhe vizionin e tyre të programi dhe Lëvizja “Zgjidhja”, si liri dhe zgjedhje racionale e individit të lirë.

Fatkeqësisht edhe mediat në Shqipëri nuk janë të paanshme dhe të lira, por ato janë nën diktatin dhe shumë prej tyre janë servile dhe mercenare të elitës dhe të establishmentit politik, të parasë dhe të materializmit ; media të cilat përpiqen që të pengojnë apo të eklipsojnë individët dhe lëvizjet progresive  dhe emancipuese që kërkojnë evoluimin dhe përmirësimin për ndryshimin  e statu quosë; media të cilat xhelozojnë dhe janë edhe ato egoiste kundër intelektualizmit, virtytit, guximit,  patriotizmit real dhe politikës pozitiviste; media që edhe ato janë të kapura nga establishmenti mercenaro-mediatik të cilat nuk i lënë hapësira ekspozimit të së resë dhe më të mirës progresive.

Por ndryshimi për në të mirë është i pashmangshëm dhe do të vijojë si përpjekje e pandërprerë e shoqërisë shqiptare; ndryshim të cilin e kërkon dhe e përshpejton moderniteti, zhvillimi, progresi, demokracia, patriotizmi  dhe integrimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat