Patriotizëm po, por pak më tepër profesionalizëm!

Opinione

Patriotizëm po, por pak më tepër profesionalizëm!

Nga: Lirim Begzati Më: 25 maj 2017 Në ora: 19:01
Lirim Begzati

Vërehet se shtohen komentimet mbi nevojën e ndryshimit të paevitueshëm të disa strategjive politike për definimin e kriterëve të besimit të posteve me përgjegjësi të larta. Një perceptim ky pozitiv i cili duket se bazohet në disa indikatorë që tregojnë se për çfarë cilësie pune dhe kontributi politik dëshirojmë që të kemi në të arrdhmën në Maqedoni. Përforcimi i një vetëdije në këtë drejtim tregon ndërkohë edhe peshën e nevojave të afirmimit të vlerave të profesionalizmit të mirëfilltë, sidomos në kohërat e vështira.

Interesi i përgjithshëm apo nevojat reale të popullatës kërkojnë pra të bëhen avancime dhe reforma, të largohemi nga krizat e njëpasnjëshme, lë largohemi nga përvojat e hidhura dhe të ecët përpara. Nuk diskutohet aspak fakti se kjo mund të realizohet vetëm përmes një pune dhe përkushtimi më të ndërgjegjshëm dhe më profesional.

Edhe disa pikëpamje politike të shprehura kohëve të fundit nga bartësit e disa përgjegjësive për formimin e qeverisë, transmetojnë një mesazh shpresdhënës për ndryshimin e kriterëve për akordimin e roleve dhe posteve me përgjegjësi. Mesazhet e tilla përcjellin edhe të tjera të ngjajshme, që çojnë në drejtim të një deduktimi logjik se kërkohet parasegjithash nga faktorët politikë që të punojnë më seriozisht për përmirsimin e standardeve jetësore dhe ngritjen e nivelit të perspektivave për konsolidimin e vendit, duke lënë kështu anësh «egoizmin» e tyre kryesisht politik dhe partiak.

Konteksti i tillë i krijuar imponon tek protagonistët politikë disa reflektime më serioze në krahasim me disa veprime të së kaluarës. Analizat e këtij lloji mbajnë si pasojë një alergji të theksuar ndaj kriterëve të së kaluarës, sipas së cilave, përgjegjësi të larta iu jepeshin vetëm adhuruesëve të flaktë partiakë apo vetëm «ushtarëve» të mirë të një politike të ashtuquajtur patriotike që shpesh e ka patur vështirë të afirmohet në momentin dhe në vendin e duhur.

Për një sërë kërkesash që prezantohen në opinion, përfshirë edhe ato të platformës, dhe që synojnë jetësimin e disa të drejtave legjitime për arritjen e një ekuilibri të barazisë ndëretinike dhe në interes të gjithmbarshëm, nuk mund të shpresohet në konkretizimin e tyre përmes imitimit apo aplikimit të sistemit të politikave të deritanishme, tashmë të dështuara. 

Si pasojë e realitetit të ri të krijuar, edhe uniteti ndërpartiak shqiptar është tejet i nevojshëm. Nëse kalkulimet e partive politike shqiptare fokusohen vetëm në baza «matematikore» dhe sipas interesave të tyre të ngushta ekskluzivisht partiake, nuk besohet aspak se strategjitë e tilla do të kurrorëzohen me suksese. E kuptueshme kjo pasi që, asnjë parti politike shqiptare nuk posedon sot potencialin dhe konforin e mjaftueshëm për me ushtruar njëfarë supremacie të pakushtëzuar ndaj të tjerëve. Vetëm një ndërlidhje më e fuqishme ndërpartiake e tyre mund të përforcojë potencialin dhe statusin e tyre, e asgjë tjetër. Në këtë kontekst, edhe anashkalimi i interesave kryesisht partiake dhe privilegjimi i afirmimit të profesionalizmit të kuadrove do të luajnë një rolë kyqë në rezultatet e proceseve të mëtutjeshme.

Skena politike e Maqedonisë, edhe mëtutje ka me u përballur me shumë sfida të njëpasnjëshme dhe të natyrave të ndryshme, siç janë, reagimet e dështuesëve dhe humbësve, pasojat e akteve të dhunës në parlament, shfaqja e nacionalizmit të tërbuar, etj. Të gjitha këtyre sfidave, natyrisht se mund t’iu përballohet më lehtë vetëm përmes mençurisë së veprimit, koezionit ndërpartiak dhe mbrenda qeveritar, duke i’a shtuar kësaj edhe nevojën e shkallës më lartë të profesionalizmit të personave që do të implikohen në proceset madhore vendimmarrëse dhe të reformave që n’a presin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat