Qytetarë, mos votoni sipas ndikimit të liderëve lokal të opinionit!

Opinione

Qytetarë, mos votoni sipas ndikimit të liderëve lokal të opinionit!

Nga: Azem Osmani Më: 29 maj 2017 Në ora: 18:20
Azem Osmani

Meqë jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore në Kosovë dhe në Shqipëri, e ndiej obligim të them disa fjalë për të kontribuuar sadopak në vetëdijesimin e elektoratit që të votoj sipas bindjeve të tij të cilat do t'i ketë fituar duke u bazuar nga informacionet e mbledhura prej shumë burimeve, si dhe nga gjendja në terren e efekteve të krijuara nga partitë në pushtet apo kandidatët e atyre partive.

Kërkoj që bindja e qytetarëve assesi të mos imponohet nga individë të porositur prej partive politike.

Individët e tillë të cilët tentojnë t'i imponojnë bindjet tek qytetarët, në terminologjinë shkencore të sociologjisë dhe të komunikimit quhen liderë lokal të opinionit.

Në një botë të civilizuar ku vetëdija shoqërore është në nivele të larta, as që mund të bisedohet për një dukuri të tillë, pasi atje, secili qytetar e krijon bindjen personale pa u ndikuar nga askush, por vetëm nga burimet e informacionit të mediave nëpërmes gazetarëve, analistëve, opinionistëve, apo drejtpërdrejtë nga terreni.

Shoqëria e jonë fatkeqësisht i përket ende një shoqërie me nuanca fisnore, ku familja si qelizë e shoqërisë, në shumicën dërmuese të rasteve është një familje patriarkale.

Në raste të tilla, liderët lokal të opinionit ushtrojnë ndikim në imponimin e bindjeve të qytetarëve për shumë çështje, e sidomos për bindje politike.

Këtë gjë e kanë në dijeni partitë tona politike, e sidomos ato të cilat kanë krijuar strukturat e tyre nëpër secilin cep të vendit. Ato në mënyrë dinake i aktivizojnë këta individë me influencë (liderët lokal të opinionit) për t'ua imponuar qytetarëve bindjen që t'i votojnë partitë apo kandidatët e caktuar.

Kush mund të jenë këta liderë lokal të opinionit?

Ata mund të jenë zakonisht kryefamiljarët, kryetarët e fshatrave apo lagjeve, njerëzit e shkolluar të rrethit ku jetojnë të cilët kanë autoritet, pjesëtarët e tjerë të familjes dhe farefisit që kanë po ashtu autoritet, miqtë, kolegët, përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të bizneseve, vet pjesëtarët e partive politike etj.

Individët e tillë tek qytetarët interpretojnë mesazhe të anuara duke shpifur për partitë apo individët kundërshtar të politikës pa asnjë fakt, dhe njëkohësisht duke i lavdëruar individët dhe partinë për të cilën është duke e realizuar atë mision jonjerëzor, të padrejtë dhe të dëmshëm për shoqërinë dhe shtetin.

Problematikën e liderit lokal të opinionit më së miri e kanë shtjelluar Lazarsfeld, Berelson dhe Gaudet në librin e tyre The People’s  Choice (1948). Autorët në fjalë kanë konstatuar për herë të parë se mediat nuk e kanë atë fuqi për të ndikuar dhe orientuar opinionin, sidomos kur ishte fjala për politikë, prandaj edhe kanë konstatuar se mediat në publik kanë efekte të kufizuara. Në studimet e mëvonshme është konstatuar se liderët lokal të opinionit kanë ndikim edhe në fusha tjera, përveç politikës, si në marketing, modë, art etj. Çështja kishte të bënte me zgjedhjet e asaj kohe në Amerikë, për të hulumtuar pastaj shkallën e influencës të personave me ndikim ndaj elektoratit në raport me mediat e asaj kohe

Dikush mund të thotë se çështja e studimit të liderit lokal të opinionit ka ndodhur në vitet e 40-ta në SHBA, dhe se ne tani si shoqëri ndodhemi në vitin 2017. Jam i bindur se secili nga ne, në realitetin tonë shoqëror, çdo ditë e nuhasim dhe e prekim dukurinë e lidhjeve tona familjare, farefisnore, miqësore etj. Askush nuk mund ta mohoj ndikimin e madh që e kanë individët e ndryshëm (liderët lokal të opinionit) në grupe të caktuara të shoqërisë tonë.

Zatën, kjo më ka shtyrë që si cak i hulumtimeve të mia shkencore të para disa viteve të jetë edhe roli dhe ndikimi i liderit lokal të opinionit në shoqërinë tonë. Terreni i hulumtimit tim ka qenë komuna e Podujevës. Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm, se gjendja shoqërore është pothuajse e njëjtë në të gjitha trevat shqiptare, me disa dallime të vogla që mund të ekzistojnë bazuar në specifikat rajonale. Ndërsa aspekti i hulumtimit të terrenit urban, rural dhe rural i thellë, si dhe i shtresave të tjera shoqërore janë marrë të gjitha për bazë në hulumtim.

Duke u nisur nga kjo, uroj që qytetarët tanë të cilët po jetojnë në botën e internetit, në botën e mediumeve të shumta tradicionale dhe mediumeve të reja, të cilët kanë arritur nivele të kënaqshme të arsimimit dhe edukimit, që ta marrin situatën e vet në dorë e të mos ndikohen nga individët e tillë. Secili qytetarët të vendos personalisht sipas bindjeve të tij të përfituara mbi bazën e informacioneve të besueshme, të cilat mund t'i marr nga shumë burime të informimit, e sidomos nga vet terreni, duke e ditur se ne jemi një shtet me popullsi dhe sipërfaqe të vogël.

Qytetarë të dashur, nuk guxon që influenca e Juaj personale të jetë më e fuqishme nga individi me ndikim, sesa influenca që vjen drejtpërdrejt nga mediat apo nga burime të tjera akoma më të besueshme!

Nuk dëshiroj që në këtë shekull lideri lokal i opinionit të ketë ndikim në votën tuaj për partinë dhe individin!

Nuk dëshiroj që të jetë edhe tani forca e ndikimit të këtyre individëve ndaj jush, sikur në hulumtimet e mia para disa vite më herët!

Nuk dëshiroj që ndikimi i tyre të jetë në nivelin 55 për qind, përkundër mediave me 43 për qind dhe të papërcaktuar me 2 për qind!

Qytetarë, mos votoni sipas ndikimit të liderëve lokal të opinionit!

*Individët e tillë të cilët tentojnë t'i imponojnë bindjet tek qytetarët, në terminologjinë shkencore të sociologjisë dhe të komunikimit quhen liderë lokal të opinionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat