Pas 18-të vitesh në Veriun e Mitrovicës!

Opinione

Pas 18-të vitesh në Veriun e Mitrovicës!

Nga: Kimete Berisha Më: 29 maj 2017 Në ora: 20:19
Kimete Berisha

1. A me shku, a mos me shku' !

Pas 18-të vitesh, do ta shoh vendin ku e kalova fëmijërinë dhe rininë time, ku e kalova moshën më të mirë.

Duke e kaluar Urën e Ibrit, me dy mendje dhe gjysmë zemre!

2. Si ai gjakovari kur është ulur në iphonin e tij dhe pasi është mbështetur për karrigie i ka kërcitur diçka pas shpine dhe i është lutur Zotit t'i jetë thyer kurrizi e jo iphoni në xhepin e pasëm...edhe unë si gjakovari i shkretë mendje te iphoni im i ri  duke e 'harruar' përkohësisht jetën time.

E paramendoja se do të na sulmonin serbët sapo të na identifikonin që jemi shqiptare, nëse s'do të na vrisnin (qysh e kanë zanat) eventualisht, do të na merrnin çantat dhe mos pyet...iphoni në çantë.

3. Sa shumë vite kam ëndërruar të kthehem në lagjen e fëmijërisë. As s'është më videoklubi 'Meritoni' ku merrnim kaseta (edhe me Van Damin), as s'ish më Dafina në dritaren e banesës së saj, as Shqipja, as Vjollca, as Merita, as Bekimi, as Ferkiu...as Habibja e Nita. Askush. 

As nënat tona që mbledhnin manaferra te 'Dudi kërrshi' dhe na bënin me to reçelin më të mirë...
asnjë zë shqip, asnjë shenjë shqiptare, askund.

Shumë prej nesh, në një ose në një mënyrë tjetër kanë vdekur.

4. Dyqane të vjetra; vetura të vjetra, trotuare të shkatërruara; vajza të veshura pa shije që pinin cigare para dyqaneve të ngushta dhe të shëmtuara.

Meshkuj të mërzitur që flisnin me zë të lartë në telefon. 

Pak fëmijë, dhe disa pleq.

Perimet e pemët shiteshin në xhade, ndërsa rruga kryesore ish zënë me saksia çimentoje. 

Njësoj sikur t'ia zësh vetes korridorin e shtëpisë apo mesin e dhomës me lule të plastikës dhe me saksia.

Vetëshërbimi i parë dhe vetëshërbimi i dytë, ishin të mbyllur. 

Gati çdo dyqan ish i mbyllur dhe i falimentuar. S'sheh asnjë dyqan që bën dritë. 

Terr dhe perde të vjetra.

Jeta në veriun e Mitrovicës duket e zymtë, e izoluar dhe pa të ardhme.

5. Para hyrjes së banesës, në stacionin e fundit të autobusëve.

Këtu luanim 'ema e sesa' dhe me konop. 

Më duket se kush s'ka luajtur më shumë dhe më gjatë se unë. 

Shumë kam përtuar të rritem.

Sa herë fshiheshim këtej kur luanim fshehtas. 

Sa të lumtur ishim, në këtë vend që paska qenë kaq i shëmtuar.

Sa shumë shqiptarë ishim.

6. Sa herë kam parë ëndërr se si po bie nga ballkoni më i lartë dhe rrëzohem e po bie poshtë bashkë me ballkonin.

Sa herë kam ëndërruar të vijë këtu veç edhe një herë dhe ta shoh ballkonin ku pinim kafe dhe çaj, ku dëgjonim muzikë me zë të lartë, ku flisnim shqip.

Këtu, në këtë oborr kam mësuar ta ngas biçikletën e shoqes më të mirë të fëmijërisë, Sherës...S'kanë munguar rastet kur kam provuar ta hudh qesen e bërllogut nga ballkoni drejt në shportën e mbeturinave.

Kur ndodhte dhe bënim ndonjë 'aeroplan' prej letre dhe i jepnim 'krah' nga ballkoni, babai na detyronte që për një 'aeroplan' t'i mbledhim të gjitha letrat që i kishin hudhur të tjerët.

Po 'i shihni duart që s'po më 'rrinë' rehat? Vazhdimisht jam përpjekur ta bëjë simbolin e shqiponjës, po s'guxojsha.

7. Të gjithë ata shqiptarë të veriut, që kanë ëndërruar qe 18-të vjet (si unë) ta vizitojnë shtëpinë e tyre, prej nga jemi përzënë me dhunë nga serbët, dhe nuk kanë arritur ta realizojnë dëshirën e tyre, u them që të mos u mbetet merak.

Sepse, asgjë nuk do ta gjejnë më në vendin e vet. 

As kafiteritë, as diskotekat, asgjë, as shkallët s'janë të mbushura me të rinj që e ngucin dhe e fuan njëri-tjetrin.

Shkret! Çdo gjë duket primitive, e braktisur, e vjetër, e trishtuar dhe shkret.

Kurrë, për asnjë çmim nuk do të jetoja më aty, në atë vend të shëmtuar, të frikshëm, të izoluar dhe të ftohtë.

P.S. Me siguri që jam e para gazetar e krisur që pa mbrojtje dhe vetëm me nënën time përdore shkova në fund të Mitrovicës, te soliteri i madh, dhe stacioni i fundit në Veri! 
Nuk është kjo trimni, është 'ku rafsha-mos u vrafshs'!

Image
29 Maj 2017, Mitrovicë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat