Milan Pauniqi i Velikës, djall i kufinit, dorë e zezë e demarkacionit

Opinione

Milan Pauniqi i Velikës, djall i kufinit, dorë e zezë e demarkacionit

Nga: Ramiz Lushaj Më: 15 korrik 2017 Në ora: 16:16
Ramiz Lushaj

Milan Pauniq është “njeriu i kufijëve” të Malit të Zi, me 40 vite përvojë të uniformës ushtarake, me karierë deri zëvendësministër i Mbrojtjes (’91-’92), prej dy dekadash merret me kufinin me vendet fqinjë: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.Vëreni se si shteti i vogël i Malit të Zi ia përcakton madhërisht detyrën: kryetar i Komisionit për kryerjen e Demarkacionit dhe përcaktimit të kufirit shtetëror, përcaktimin e pikave kufitare, vendosjen e rregjimit të trafikut kufitar me vendet fqinje dhe zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

 “Dora e Zezë” e Pauniqit është tek problematikat e funksionimit me pengesa, vonesa e shumçka tjetër të pikave kufitare të Shqipërisë me Malin e Zi si Qafë Vranicë (bashkia Tropojë)-Plavë, Zogaj (Shkodër)-Hutaj (komuna e Tivarit), Grabom (Kelmend, Plavë-Guci)-Cem i Trieshit (komuna Podgoricë, etj.). “Dora e Bardhë” e Pauniqit është veç tek i vetmi vendkalim i përbashkët Muriqan (Shqipëri)-Sukobin (Mali i Zi), që u krye me financim të Bashkimit Europian.

“Dora e Zezë” e Pauniqit është edhe tek pika kufitare e doganore Kulla në veriperëndim të qytetit të Pejës, e ngritur në lartësi mbidetare 1.250 m, e cila është ma larg e ma ulët se ajo e Rrozhajës. Asokohe ndërkombëtarët (qershor 1999-shkurt 2000) pritonin prej rrugës malore me kthesa e ma së forti prej të ftoftit me borë, erë e ngrica për me u ngjit dekteri nelt malit në afri të simotres tyre të Malit të Zi. Kjo u ysht sipas traditës e në prapaskenë edhe nga pala malazeze. Shqiptarët e dehur nga Liria e Kosovës nuk e kryen detyrën Shqiptarisht. Malazezët e etur në lakminë e tyre për të gllabërue flliqanisht toka etnike shqiptare e kryen fort mirë detyrën ndaj shtetit të vet të vogël, që dikur në kohën e princave-bishop ishte edhe ma i vogël se 1.500 km2.

“Dora e Zezë” e Pauniqit është edhe tek pika e penguar e kalimit kufitar të Çakorrit që e lidh Pejën me Plavën si dhe tek mos hapja e qëllimshme e  pikës të kalimit kufitar të komunës të Deçanit me atë të Plavës, aty ku kalon rruga e penguar dhe e vonuar Deçan-Plavë.

 “Dora e Bardhë” e Pauniqit në kufinin me Kosovën (as me atë të Plavë-Qafë Vranicë të Shqipërisë) nuk ka me u shfaq kurrë deri në pikën e fundit të gjakut të tij, deri në grahmën e fundit të frymës së tij.

Unë e kam ndie prej babës e gjyshit tem e nga të tjerët në Shipshan e Malësi të Gjakovës që kur donin me e klasifikue dikand për keq i thoshin “shká Velike”. Atje, në Velikë, kam varre të të parëve të mi dhe unë kam varrë Velike. Na kanë msy në vrri e në bjeshkë velikët e kapicave të zeza dhe malësoret plisbardhë i kanë msy me shpata e pushkë në luginë e male të Velikës, deri tek kullat e tyre.

Velika është fshat i madh në komunën e sotme të Plavës e, përndryshe, është vendlindja e 60 vjeçarit Milan Pauniq, një derë kapedanësh, të cilët janë dëshmue me gjak e flakë kundër shqiptarëve nga Limi e Valbona deri tek Drin i Bardhë.

Në koft se doni me dit ma mirë për Milanin e Pauniqëve shfletoni veprën e tij të para pesë viteve: “Pauniqët nën Çakorr” (2012). Po në koft se doni me ditë ma tepër për Milan Pauniqin dvetni në shkollën fillore “Vuksan Raduniç” të Beranës (skej Plavë-Gucisë), shkoni në shkollën e njerëzve të ministrisë të punëvë të brendshme “Pane Djukiç” në Sremska Kamenica në Novi Sad të Serbisë, njihuni me shkollimin e tij (pas)universitar në Beograd e Sarajevë. Dhe gjithnji do të jeni të bindur se  ortodoksi malazez, Milani Pauniq i Velikës kurrnjiherë nuk ka me mendue e me punue për shqiptarët e Malit të Zi, të Kosovës e të Shqipërisë.

Milan Pauniq krejt trupin me inde e gjak, me sy e frymë e  ka në vijën e kufinit me Kosovën e me Shqipërinë, me duart shtrigane të shtrime për me gllabrue edhe një pëllëmbë toke, edhe 5 km tokë në thellësi të shtetit më të ri të botës, të Kosovës dardane shqiptare. Milan Pauniq është si “polic i shtrimë” në vijën e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.

Shteti i Malit të Zi e trajton dhe po e përdor Milan Pauniqin e Velikës si “shenjt të kufinit”, por për Demarkacionistët shqiptarë ai është “djalli i kufinit”, prandaj në Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi të mos jemi krejt engjëllorë shqiptarë përballë djallit sllav në ofensivë, të mos mbetemi “Demarkacioneviç”, të mos heshtim të lodhur e të mundur, por me diplomaci, politikë e traditë historike të mbrojmë tokat etnike shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat