Gjeopolitika dhe përsëritja e historisë

Opinione

Gjeopolitika dhe përsëritja e historisë

Nga: Burim Breznica Më: 20 korrik 2017 Në ora: 09:57
Burim Breznica

Profesori i njohur amerikan F. Fukuyama në fillim të viteve 1990-ta kishte lansuar tezën e tij të njohur ”Fundi i historisë” (F. Fukuyama, The end of History and the Last Man, 1992, Penguin p.) përmes së cilës ai argumentonte se me rënien e ish Bashkimit Sovjetik, demokracia liberale përfundimisht kishte fituar duke eliminuar pra sistemin komunist  si sistem të vetëm konkurrues politik dhe ekonomik. Fukuyama vazhdonte argumentimin se demokracia liberale si sistem që kishte sjellur zhvillim ekonomik përmes ekonomive të tregut, pastaj shtetit të së drejtës, lirive individuale, mundësive për edukim cilësor dhe krijimin e shteteve me mirëqenie ekonomike do të dominonte botën në të ardhmen.

Shumë analistë perëndimorë mendojnë se në shekullin e 21 janë shfaqur pakënaqësi në shumë vende me demokraci liberale dhe liderë popullistë janë ngritur përmes “sistemit të tyre të ri të demokracive joliberale” që nuk respektojnë zgjedhje fer dhe të lira demokratike, nuk respektojnë gjykatat e as të drejtat individuale të qytetarëve. Si shembuj mund të përmenden Rusia, Venezuela, Turqia, Tajlanda etj. Por edhe në vendet perëndimore me traditë demokratike janë paraqitur probleme dhe sfidime te demokracive liberale përmes partive kundër të huajve, pabarazisë ekonomike dhe refugjatëve të shumtë nga vendet e lufterave e vecmas nga Siria si psh në Francë, në Angli,  në Holandë, në SHBA, në Finlandë etj.

Në librin “Rikthimi i historisë..”, profesorja J. Welsh (The Return of History: Conflict, Migration, and Geopolitics in the Twenty-First Century, House of Anansi Press, 2016) shkruan se nuk kemi një fund të historisë sic thotë Fukuyama por kemi një rikthim të historisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo përmend rikthimin prapa në ligjin ndërkombëtar psh në konfliktin e Sirisë ku nuk ndahen civilët nga luftëtarët dhe civilët vuajnë dhe vrahen më së shumti si pasojë, duke krahasuar vuajtjet e tilla me ato të civilëve në luftën e parë dhe të dytë botërore. Një tjetër shembull është përdorimi i helmeve kimike gjatë luftës së dytë botërore  (në kampe përqëndrimi psh dhomat e gazit) dhe aktualisht në Siri. Tjetër fakt është psh sipas J. Welsh se mbi 65 milionë njerëz në botë janë refugjatë apo të zhvendosur nga vendet e tyre të origjinës!

Rikthimi i Luftës së Ftohtë dhe interesave gjeopolitike të shteteve

Tashmë shumë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare argumentojnë se kemi një rikthim të Luftes së Ftohtë në botë. Kjo mund të konkludohet nga roli dhe aktiviteti i Rusisë në sferen globale. Politika e Putinit është të ketë kontroll të fortë pushteti në Rusi dhe të zgjeroj ndikimin rus në vendet përreth dhe në arenën ndërkombëtare. Duke vepruar kundër ligjit ndërkombëtar, rusët janë përzier dhe kanë ndërhyrë ushtarakisht kundër Gjeorgjisë, më herët edhe kundër Cecenise, pastaj duke organizuar aksione të ndryshme kundër Ukrainës në Krime (përmes dërgimit të njësive speciale dhe atyre lokale sipas shtypit ndërkombëtar) dhe në fund edhe aneksimit të Krimesë. Intervenimi rus në Siri ishte gjithashtu shenjë e qartë e rikthimit të Luftës së Ftohtë. Në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, shteti rus ndërhyri ushtarakisht atje për të përkrahur një diktator brutal që vriste popullin e vet, dhe për të mbrojtur interesat e veta por edhe për të sfiduar fuqitë perëndimore dhe interesat e tyre në rajon. Të tjera dëshmi janë sjellja ruse në vendet baltike, pastaj provokimet me avionë dhe nëndetëse afër vendeve fqinje (sic ishte rasti i nëndetëses ruse në ujërat e Stokholmit para një viti, sipas shtypit suedez) por edhe përzierja ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, sulmet kibernetike dhe propaganda e tyre kundër liderëve liberal perëndimorë etj. Të gjitha këto veprime ngjajnë shumë me veprimet ruse gjatë Luftës së Ftohtë vetëm se tani është kohë tjetër dhe me vende e aktorë tjerë. Edhe Kina në këtë drejtim është kthyer te politikat për dominim dhe sfidimi i balancit të forcës në Azi dhe sjellja e tyre në Detin jugor të Kines është një zhvillim gjeopolitik në atë drejtim.

Gjeopolitika në Ballkan

Në historinë e vonshme të Ballkanit historikisht  janë ndeshur tri perandori për dominim. Ato ishin Perandoria Osmane, Austro-Hungaria dhe Rusia Cariste. Gjersa aktualisht Turqia dhe Rusia synojnë të shtrijnë ndikimin e tyre në Ballkan por tani kemi Perëndimin  që është aktor global më i fuqishëm e që udhëhiqet nga SHBA-të dhe BE-ja. Kemi parë tentimin dhe përzierjen ruse për grushtet në Mal të Zi, pastaj perkrahjen e tyre për Gruevskin dhe tentimin e destabilizimit të Maqedonisë si dhe përkrahjen dhënë Serbisë në fushën ushtarake dhe në ndërtimin e një  “qendre humanitare” ruse në Nish. Por edhe përmes lobimit kundër njohjes së Kosovës dhe përmes bllokimit të disa vendimeve më rëndësi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së etj. Hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë por së fundi edhe e Malit të Zi në NATO ofron më shumë siguri dhe stabilitet për Ballkanin. Pastaj prezenca e NATO-s dhe FSK-së në Kosovë si dhe angazhimi i SHBA-ve dhe BE-së në Ballkan ofrojnë siguri dhe shpresë së së paku në Ballkan do të pengohen tendencat dhe aktivitetet ruse për rikthim global në një luftë të re të ftohtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat