I ka numrat, nuk i kanë numrat

Opinione

I ka numrat, nuk i kanë numrat

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 26 korrik 2017 Në ora: 13:26
Engjëll I. Berisha

 “I kemi numrat, nuk i kanë numrat” është fjala më e urryer këtyre ditëve, sepse, të varet fati ynë prej një numri më shumë, e të gëzohen tjerët për një numër më pakë, më duket jetë e llogoreve, ku njerëzit thirren me numra, apo fati ynë mbetet si në lotari të një numri.

Në këtë rast, kush e di, për një numër më shumë apo më pak, a shpëton Kosova? Ka zëra që thonë, se për një numër më pak shpëtojmë nga e keqja! Kushedi si do ta shkruajmë historinë nesër, kur vetëm për një numër kemi shpëtuar? Ku qëndron absurdi, tek lotaria me numra, apo tek pesha e fajit të vetë votuesit.

Në Kosovë bën mot më vapë. Bëhet dasmë anëkënd me mërgimtarë që janë duke e ruajtur lidhshmërinë e fatit, natyrisht edhe ndaj Atdheut, me martesa e me traditën e ushqimit. Thonë se krahas flamurit kombëtar do ta varim edhe flamurin e shtetit prej nga e marrim bukën e përditshme. Thonë, edhe sivjet erdha se në mot do shkojë tjetërkund për pushime. Thonë, se këtu nuk po funksionon shteti, kushedi çka thonë tjetër, apo çka nuk e lënë pa folur.  Secila dasmë që bëhet, të paktën nëntëdhjetë përqindë  njëri nga çiftet e braktisë Kosovën.

Edhe bëjnë dasmë, edhe vallëzojnë dhe derisa ngritin gotat  nuk mund ta braktisin mendimin ndaj situatës politike. Edhe pse dëshpërimi që e hasin që në Mërdare e gjetiu i bën të lëshojnë shpoti, zemra nuk ua thotë ta braktisin këtë tokë të trashëgimisë familjare. E që ta shpëtojmë zemrën e tyre, ta forcojmë shtetin, ku ka mbetur krejt edhe pakëz dashuri e kanosur.

Adhurimi ndaj subjekteve politike, ti duash apo mos ta duash,  manifeston me druajtje, me frikë, me mos besim. Druajtja dhe problemi shoqëror në marrëdhënie më tjerët është sindrom jetësor e jo vetëm politik në Ballkan, përderisa këshillat psikologjike thonë se duhet ristrukturuar atë shoqëri që prodhon druajtje për tu çliruar brezat nga frika, ku tek ne ka shekuj që na bën presion.

Çfarë alarmi na duhet më shumë, se tani për lendinë ka dalë se politika është stërngarkuar nga fragmentarizmi  dhe jokoherenca e tregut demokratik. Ngase, jo vetëm liderët, por edhe bishtat e partive, me ndihmën e rrjeteve sociale, kuloareve, bëjnë neveri me fjalët që po bëhen lojëra të fëmijëve “ I kemi numrat, nuk i keni numrat”.

Sloganet e portaleve po bëjnë nxehtësi politike edhe ashtu vapë e pa përballueshme. Vërtetë e kërkojmë heroin, por, heroi me një numër më shumë a më pakë,  nuk do të ishte edhe aq fatlum  për ta udhëhequr një vend që ka problem të prodhojë patate,  pastaj edhe ku ti tregtojë ato. Ka problem tua joshë vendin vendasve, e lëre më vizitorëve. Më i rëndësishëm na duket në shoqëri një deputet që flet me gjuhë urrejtje e të fëlliqtë, se sa një ekip mjekësor që bëjnë mrekulli edhe pa pasur penj të lidhin plagën.

Krejt çka është  më e dhimbshme

A i duket kujt e dhimbshme se në listat e votimeve, vetëm nga mandati i kaluar, mungojnë më shumë se njëqindmijë votues të rinj që e kanë braktisur vendin  nga dëshpërimi? S’ka rëndësi kush u ngrit e kush u zbrit. Rëndësi ka se këtë hendikep mendor e ka shkaktuar pasiguria, që është bërë neveri e ndjenjave me emocionin. Pastaj votuesi po bëhet gjithnjë e më i ftohtë, që në një prizmë më dukët më mirë i ftohtë se i dhunshëm. Dhe, shih ti derisa votuesi po distancohet nga emocioni, ka subjekte që duan ta nxehin masën me protesta.

E kërkojmë heroin?

Sado që historinë e kemi të mbushur me heronj, na duhet heroi i sotëm.  Edhe pse tek ne  heronjtë ngritën për një  ditë, dhe bien brenda orës. Sa keq, heroin nuk e zë nata as në monument, ngase del dikush që e rrënon.

Kosova, e bile pa ndryshime të mëdha  te vendet në rajon, zgjidhja e problemeve të ndërlikuara varet nga ajo kush e kontrollon frikën.  Deri më tani, udhëheqësit  tanë, shumicë,  janë ngritur dhe kanë rënë në efektshmerinë e kultivimin e frikës.  Pra problemet janë kornizuar  dhe janë zgjidhur vetëm me formulën që e kanë shkruar vetë për ta pasur edhe çelësin e zgjidhjes.  Sado që kohëve të fundit kemi ardhje në politikë, frymë ndryshe, të gjithë vijnë me alarme për frikën, me frikën ose vetë frika. Frika është pasiguria. Pos për bukën e përditshme kemi nevojë edhe për sigurinë, për edukimin e duhur dhe sigurinë e shëndetit publik. Krejt kohën sa bënin fushatë, më së paku është folur për shëndetin publik edhe pse kemi mjek të mirë bile sa të duash.

Lëreni patatet, se bile ato i hamë edhe pse fermerët pësojnë. Ne po e kërkojmë heroin. heroi ynë ngritet vetëm me një numër më shumë, ose rrënohet për një numër më pakë.

S’ka rëndësi as beteja, as pesha, as virtyti, as ngritja intelektuale. Nëse Heroi i Parë bie për një numër më pakë, a do të ngritet Heroi i Dytë po nga ai numër? Edhe ky heroi u numrave!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat