Zgjedhjet e para presidenciale – Rugova president

Opinione

Zgjedhjet e para presidenciale – Rugova president

Nga: Gani Mehmetaj Më: 26 korrik 2017 Në ora: 13:31
Gani Mehmetaj

Në fushatën e parë për zgjedhjet presidenciale përpiqeshim ta imitonim stilin e spektaklit amerikan, megjithëse këto zgjedhje i bënim për herë të parë. Dallimi tjetër i madh ishte, se ne jetonim e vepronim nën okupimin më mujshar në Evropë, ndërsa amerikanët jetonin në shtetin më demokratik. Përgatitjet për zgjedhjet e para presidenciale ishin plot ethe, ashtu si ishim në ethe me fillimin e themelimit të partisë dhe atëherë kur anëtarësonim njerëz në LDK. 

Zyrat zienin, delegacionet e huaja vinin njëra pas tjetrës, dikush i priste në aeroportin e Shkupit, dikush dilte në kufijtë tjerë, varësisht se nga vinin ndërkombëtarët. Të gjithë veprimtarët e morëm me entuziazëm këtë punë, entuziazëm që nuk e patëm kurrë më parë, nuk e patëm as më vonë. Entuziazmi na mbërtheu të gjithëve që nga shërbimi teknik e deri te kreu i LDK-së. Njerëzit megjithatë druanin për ndërhyrjet e policisë serbe. E vetmja shpresë se do të kalonim më lehtë qe fati ynë, kur erdhën shumë gazetarë të huaj, të cilët fotografonin, intervistonin e xhironin. Ndërkaq, nata qe më e frikshme dhe më me pasoja, larg syve të gazetarëve e dëshmitarëve të hante terri. 

Sesi na dukeshin zgjedhjet e para në vendin, ku ne silleshim si të qe i çliruar. Na rrëmbeu ndjenja në mes të euforisë së tifozëve të sportit dhe karnavaleve latino-amerikane.

Sa nuk dilnim në rrugë të vallëzonim nën tingujt e sambas. Gjithë kohën na ndiqnin prapa policët serbë. Silleshin skutave, meqë prania e vëzhguesve e gazetarëve të huaj, i frenonte të dëshmonin pushtetin e shkopit e të grushteve. Mbaj në mend kur një grup i katundarëve serbë, të ndihmuar nga policët e tyre, i dërmuan gazetarët e “Rilindjes: në një udhëkryq në mes të Klinës e Pejës, me hunj gardhi e shkopinj bejsbolli. Kolonët serbë silleshin mizorisht ndaj nesh. Ashtu i ndërsenin. 

Edhe në këto rrethana njerëzit çuditërisht i jepnin guxim vetes. Organizimi i zgjedhjeve funksiononte mirë, kutitë e votimit u hapën me kohë, njerëzit punonin në të gjitha segmentet e këtij mekanizmi gjigant pa asnjë shpërblesë, madje nuk jam i sigurt e blinin vetë drekën, ndonjë byrek a qofte, apo ua sillte dikush. Të gjithë ishin të emocionuar, sepse jam i sigurt që ashtu sikurse unë as ata kurrë më parë nuk votuan, meqë kurrë më parë nuk i ftuan në votime, ose atëherë kur i ftuan nuk shkuan në zgjedhje. Zgjedhjet në komunizëm bëheshin me kandidatë të përzgjedhur në komitet, fitonin ata që donin pushtetarët e jo ata që mund t’i votonte popullata, prandaj pakkush shkonte në këto votime. 

Më morën me makinë të LDK-së para shtëpisë për të shkuar në vendvotimin, ku duhej të votonte presidenti Rugova. Euforia mbizotëronte para selisë ku do të votohej, njerëzit duartrokisnin, pati shtyrje, tollovi, mezi arriti të futej brenda Rugova me përcjelljen e tij. Sesi më vinte kur e shihja turmën që shtyhej për ta parë kryetarin, sesi më dukeshin kur i shikoja nga afër. Ndryshe nga sa isha mësuar t’i shihja. 

Zgjedhjet u bënë domosdoshmëri, meqë kaloi një kohë që kur u formua LDK-ja, u formuan edhe disa parti tjera, të cilat po ashtu kandidonin për zgjedhjet e Kosovës, shtet të pavarur e demokratik, sikurse e proklamoi Rugova, ndërsa e përsëriste shpesh në konferencat e shtypit e në intervista me gazetarë të huaj. Pos që isha pjesë e mekanizmit të organizmit, raportoja për radio të huaja, kështu që më duhej njëkohësisht të dërgoja një raport sa më parë, ndërsa tjetrin në mbrëmje, kur të mbylleshin kutitë e votimit, por edhe kur të bëhej bilanci i punës së ditës. Druhej për ndërhyrje të policisë jashtë kryeqytetit, ku gazetarë të huaj kishte më pak, ose fare, sepse shumica u përqendruan në Prishtinë. 

Kohë më parë Kosova e përpiloi Kushtetutën me sistem presidencial, sipas modelit amerikan e francez. Zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare, duhej të kurorëzonin disa vjet të krijimit të përvojës demokratike në raportet ndërshqiptare, në ballafaqime e sprova nga më të ndryshmet. Gjakonim e përpëliteshim, vuanim e përpiqeshim të respektonim normat pozitive të shtetit të ri “paralel”, sikurse e quante shtypi. 

Krahas LDK-së në zgjedhje bënte garë edhe Partia Fshatare e Kosovës, parti më program të qartë e të konsoliduar, mirëpo rrethanat e veprimit nuk i ofronin shumë mundësi. Partia Fshatare e Kosovës sikur të vepronte në rrethana normale do të mblidhte rreth vetës shumë militantë, sepse gjysma e popullatës në Kosovë ishte nga katundi, apo merrej me bujqësi. Në rrethanat e okupimit ndikimi i kësaj partie në fshat qe i vogël, nuk mund të ndikonte në mirëqenien e tyre. Ndërkaq, Hivzi islami, i cili i printe kësaj partie që emër i njohur. 

Qe krijuar një opozitë e LDK-së jo nga Partia Fshatare e Kosovës, që ishte i afërt me LDK-në, por nga ish-strukturat komuniste, të përcaktimit jugosllav, të cilët, në mungesë të ideve e koncepteve kreative, në mungesë guximi që nuk e patën kurrë, përpiqeshin të bënin ngatërresa nga më të ndryshmet. Ato parti të vogla me anëtarësi sa një autobus pesëdhjetë vendesh, në vend se të bënin kërkesa më të avancuara sesa LDK-ja, duke u hapur rrugë kërkesave maksimale, bënin kthim prapa në kërkesa. Ata nuk kërkonin pavarësi as bashkim kombëtar, ata kërkonin autonomi, të ngushtuar a të zgjeruar, esenca qe e njëjtë, mjaftonte që ata të ishin në ballë të këtyre institucioneve të autonomisë. 
Ndërkaq sipas sjelljeve të tyre, jam i sigurt se në majat e kësaj autonomie e shihnin veten, të sigurt se partia më e madhe nuk do të pranonte autonomi. Individë e grupe mbanin qëndrim tejet kritik ndaj veprimtarisë së LDK-së, jo pse donin ta avanconin, por sepse nuk i zgjodhën në mekanizmat e partisë për arsye të shumta. Në një shoqëri që përpiqej të kultivonte tolerancën e demokracinë, gjerat e tilla ishin të zakonshme. Por ata nuk ofronin mundësi më të mirë, përkundrazi ofronin majtizmin liberal, sikurse e quanin ata komunizmin e ri, me njerëz të vjetër, ndërsa shqiptarëve u erdhi në majë të hundës komunizmi dhe neokomunizmi, ofronin robëri të re, në kuadër të Jugosllavisë. LDK—ja dhe alternativa shqiptare ofronte tri opsione, ndër të cilat më e pranueshmja ishte pavarësia e Kosovës. 

Nuk ishin shumë ata që e kritikonin programin e LDK-së, por u bënë të zhurmshëm, me artikuj që i botonin në shtypin shqiptar e në shtypin serb. Bashkësia ndërkombëtare ende nuk përcaktohej për pavarësinë e Kosovës, për bashkësinë ndërkombëtare parësore u bë ndalja e dhunës serbe, pastaj bindja e të dy palëve për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Ndërkaq, pikërisht kur flitej për këto bisedime ishin UJD-istët e djeshëm, partia e të cilëve u shpartallua, ata që përpiqeshin të ishin në kreun e tryezës, të vetëdijshëm se bashkësia ndërkombëtare nuk do të futej për së ngushti. 

Në një takim të përbashkët të të gjitha subjekteve politike para shpalljes së zgjedhjeve presidenciale u paraqitën opsionet për pavarësi me paralajmërimin për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Subjektet e individët projugosllavë dolën në mënyrë demonstrative, duke akuzuar Rugovën e LDK-së se po nxisin gjakderdhje, luftë civile në mes të shqiptarëve e serbëve me kërkesat e tyre. 

Shumica votuan për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare, kështu që grupet e papërfillshme politike ithtarë të mosmbajtjes së zgjedhjeve, meqë arsyetonin se do ta provokonim Serbinë, mbetën me gishta në gojë, pa asnjë mbështetje. Pjesa e të burgosurve politikë që flirtonin në të dyja anët, ishin fatkeq, nuk e dinin nga t’ia mbanin: me LDK-në, ku morën poste, por kurrë nuk e konsideruan partinë e tyre, me titistët, me të cilët dikur i ndante gryka e pushkës, dhe me kastën e tyre që çdo përcaktim politik jashtë enverizmit e vlerësonin tradhti. 

Derisa ne shkonim nga vendvotimi në tjetrin, raportet nga terreni tregonin për shqiptarë që i kishin rrahur e plagosur. Policia serbe sillej “paqësisht” në kryeqytet, por në qytete e katunde sillej brutalisht. Megjithatë zgjedhjet u zhvilluan sipas parashikimeve, shumicën e vendeve në Kuvend i mori LDK-ja. Në atë kohë as që i shkonte dikujt ndërmend t’ia vidhte votat kundërshtarit. Më e rëndësishmja qe të zhvilloheshin zgjedhjet, të legjitimoheshin njerëzit që do ta përfaqësonin popullatën dhe të zgjidheshin organet ekzekutive. 
Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat