Intermexo në mes të dy luftërave - Rezistenca kroate dhe masakrat e Bosnjës

Opinione

Intermexo në mes të dy luftërave - Rezistenca kroate dhe masakrat e Bosnjës

Nga: Gani Mehmetaj Më: 27 korrik 2017 Në ora: 13:29
Gani Mehmetaj

Para shkëputjes së Kroacisë nga Jugosllavia, presidenti kroat Franjo Tuxhman pati takime me Rugovën. Duke u nisur nga përvoja historike, shkëputja e Kroacisë, po edhe lufta atdhetare kroate shikohej me simpati, ashtu sikurse u ndoq me simpati lufta e suksesshme e Sllovenisë për shtet të pavarur. Kroacinë e patëm aleatin historik të dëshmuar, por edhe sllovenët na mbështeten në disa faza të fillimit të rezistencës. 

Në të dyja këto luftëra morën pjesë shqiptarët në anën e vendësve. Mirëpo, për dallim nga sllovenët të cilët nuk kërkuan sakrifica të shqiptarëve më shumë sesa që ishin të gatshëm ata, pra u mobilizuan për luftë ata që e ndienin veten shtetas sllovenë, me kroatët puna qe më ndryshe. Kroatët u përcaktuan për luftë, sepse gjasat e tyre për fitore ishin shumë më të mëdha, ndërkaq Serbia nuk qe e gatshme të tërhiqej paqësisht si në Slloveni, në Kroaci pretendonte pjesë të tëra të territorit. 

Prandaj, shkëputja nga Jugosllavia pritej me luftë të ashpër e masakra të papara, sepse serbët paralajmëruan se do të tregoheshin të pamëshirshëm ndaj kroatëve “të pabesë”, sikurse i quanin me mllef. Në të njëjtën kohë shkumëzonin: aty ky kishte një serb të vetëm, aty shtrihet territori serb! Gjermania e Austria treguan vendosmëri që ta mbështesnin në të gjitha planet shtetin e ri. 

Situata në Kosovën, “aleate” e Kroacisë, paraqitej ndryshe. Që në fillim të veprimtarisë politike, Rugova u ballafaqua me problemin fondamental të përcaktimit të tij politik: luftë a paqe. Ballafaqohej me provokime të ndryshme. Shqiptarët bënin rezistencë në mënyrë paqësore, kurse Milosheviqi me policinë e ushtrinë jugosllave ua kthente me vrasje e rrahje brutale të popullatës. Republikat tjera tashmë ishin organizuar për t’iu kundërvënë ushtrisë jugosllave, një herë i tërhoqën njerëzit e tyre nga kreu i federatës dhe organeve të tjera qendrore, pastaj i propozuan kreut ushtarak jugosllav e Milosheviqit federatë asimetrike, por kur serbët nuk pranuan, sllovenët e kroatët e shpallën pavarësinë. 

Lufta e egër nisi në Slloveni. Qindra ushtarë shqiptarë mbetën peng nëpër kazermat e ushtrisë jugosllave me uniforma jugosllave. Sipas skemave të teatrit të absurdit ata u gjendën në vendin e gabuar e në kohën e gabuar me uniforma të ushtrisë armike Rrezik të vriteshin në një luftë që nuk ishte e tyre, por e kombeve sllave që luftonin kundër njëri-tjetrit, përkatësisht që donin të pavarësoheshin nga një shtet mujshar, sikurse qe Jugosllavia e mbizotëruar nga serbët. 

Sllovenia e menaxhoi mirë situatën.Lufta nuk zgjati shumë, por sllovenët patën aleatë të fortë Austrinë e Gjermaninë. Ndihma e tyre i shpëtoi nga ndonjë masakër e madhe.

Ushtria jugosllave u tërhoq me turp, por ngeli në Kroaci, ku po ashtu përgatitej një luftë e madhe e frikshme. Të dyja palët i dinin pasojat e fillimit të luftës, oficerët serbë në kreun e ushtrisë jugosllave tashmë e shpallën gjendjen e luftës, duke mobilizuar të gjitha forcat në terren dhe duke dërguar forca të reja nga Beogradi. 

Kroacia e kërkonte ndihmën tonë, ndërsa ushtarët, e sidomos oficerët shqiptarë që në fillim premtuan se do të luftonin në anën kroate, në luftën atdhetare, sikurse e quanin kroatët. Oficerët dhe punëtorët shqiptarë që jetonin kohë të gjatë në Kroaci e pranonin shtetin kroat, krijuan familje, prandaj donin ta mbronin çerdhen e tyre. Ndërkaq, ushtarët e rekrutuar nga armata jugosllave s’kishin ç’kërkonin në këtë luftë që nuk ishte e tyre. Ata kërkonin të ktheheshin në vendlindje, ose t’ia mbathin në Perëndim, ashtu sikurse bënë ushtarët shqiptarë në Slloveni. 

Ushtarët shqiptarë mbetën peng i të dyja palëve: i kroatëve, që kërkonin t’i aktivizonin në luftë kundër Jugosllavisë dhe i serbëve që donin t’i nxisnin kundër kroatëve. Shumica hodhën uniformat dhe u demobilizuan. Pakica mbeti brenda, duke e përjetuar ferrin e luftës, të një beteje që realisht nuk ishte e tyre, pavarësisht se serbët ishin armiku i tyre i përbashkët. Shqiptarët e mobilizuar dhunshëm në ushtrinë jugosllave donin të ktheheshin në vendlindje, te familjet e tyre. 

Por ajo që brengoste edhe më shumë ishte fakti se kreu shtetëror kroat përpiqej me të gjithë mekanizmat të fuste Kosovën në luftë, në mënyrë që Serbia, përkatësisht Jugosllavia të hapej në dy fronte: në veriperëndim me Kroacinë dhe në jug me Kosovën. Atmosferën e luftës e të mbështetjes e prisnin nga njerëzit që i përgatitën me kohë, apo u premtuan. Ndërkaq, aventurierët e luftës në mesin e shqiptarëve nuk ishin të paktë, sidomos ata që jetonin në Kroaci, apo që financoheshin në një mënyrë apo tjetër nga shteti i ri kroat. Tuxhmani e ftoi sërish në bisedë Ibrahim Rugovën, duke i bërë presion që të hapte frontin e jugut. Mirëpo, ishte e pritshme nga ata me mend në kokë që Rugova nuk do të futej në një luftë, të cilën do ta humbiste në ditët e para. Ndërkaq, pasojat e kësaj aventure parashikoheshin që në fillim. 

Në anën tjetër presidenti Rugova nuk mori asnjë premtim nga aleatët, përkundrazi i bëheshin vërejtje nga Britania e Madhe e nga SHBA-ja të mos futej në asnjë aventurë që do t’i kushtonte popullatës shqiptare. Kursi i fillimit duhej të ndiqej edhe më tej, pavarësisht presioneve të brendshme e presioneve të jashtme. 
“Jemi lodhur nga dhuna e vazhdueshme, populli e ka humbur durimin, mund të ngrihet në kryengritje”, i tha Rugova një delegacioni britanik pak kohë pasi mbaroi lufta në Slloveni. 

“Keni kapacitete ushtarake e ekonomike që t’i rezistoni ushtrisë jugosllave së paku shtatë muaj?”e pyetën diplomatët e rryer nga ishulli. 

“Jo, kapacitete të këtilla nuk kemi as për shtatë orë, sepse para shumë vjetësh Jugosllavia e shpërndau Mbrojtjen Territoriale të Kosovës, i degdisi oficerët nëpër republika tjera e mori tërë armatimin, përderisa republikave të tjera ua la”, ua ktheu Rugova i habitur me kalkulimet e miqve ndërkombëtarë. 

“Atëherë mos u fusni në aventurë të rrezikshme”, i preferuan diplomatët, duke e këshilluar të vazhdonte politikën paqësore, e cila e bëri të njohur në botë dhe e shpëtoi popullatën shqiptare nga ndonjë plojë e madhe.

Thonë se Rugova nuk e përmendi luftën deri në takimin tjetër me Bill Klintonin, presidentin e SHBA-së, ku po ashtu kërkoi mbështetje për një rezistencë aktive. Mirëpo, sërish nuk e mori këtë mbështetje, përkundrazi edhe ai ia këshilloi politikën e tij të suksesshme të paqes. 

Ndërkaq, aventurierët e luftës nisën të nxjerrin brirë, disa prej tyre i kthenin ushtarët shqiptarë që lufta i kishte zënë në Kroaci sërish në front, në vend se t’u jepnin udhë në Perëndim, ashtu sikurse bënë sllovenët, duke mos i penguar organizimet shqiptare që t’i dërgonin ushtarët e tyre të demobilizuar në Zvicër e në Gjermani. 

Konfrontimi Tuxhman-Rugova u bë i ashpër, nisën akuzat e kundërakuzat, nisën edhe fyerjet, u zbeh simpatia e ndërsjellë kroato-shqiptare për disa kohë, nisi luftë e fshehtë propagandistike. Një grup gazetarësh nga Radiotelevizioni i Prishtinës, me mbështetjen e një biznesmeni nisën transmetimin e një emisioni disa minutash në Radio Zagreb. Kur u acaruan raportet kroato-shqiptare, përkatësisht Tuxhman-Rugova, emisioni shqip nisi të ftonte shqiptarët e Kosovës në luftë, duke u përpjekur t’i prekte në dinjitet, në trimërinë “proverbiale”, madje njëri prej tyre në komente merrte shembullin baritor të të zotit me qenin kur ia ngacmojnë se si e mbron me gjakun e vet. Natyrisht pati kundërreagime. Flitej se shumë oficerë e shqiptarë të vendosur në Kroaci luftuan heroikisht. Disa u vranë, por ata luftuan të vetëdijshëm pse e bëjnë këtë. Natyrisht edhe hakmarrjet e ushtrisë jugosllave ndaj shqiptarëve në Kroaci, kur i zinin, ishte e tmerrshme. Ushtria jugosllave shoi disa familje shqiptare nëpër qytete të ndryshme kroate. Janë të njohura masakrat serbe ndaj popullatës kroate e shqiptare në Vukovar, masakrat në disa katunde të tjera kroate etj. Disa nga betejat më të lavdishme kroate thuhej se i udhëhiqnin oficerët shqiptarë. Ndërkaq, dhjetëra ushtarë të rekrutuar ranë viktima, sepse dikush në një mënyrë apo tjetër i detyroi. I paçin në qafë! 

Një grup ish-politikanësh projugosllavë u vunë në anën e luftës, por fatbardhësia e shqiptarëve qe se ata nuk patën ndikim në opinion. Edhe grupet majtiste propagandonin luftën, pa i peshuar gjasat për fitore. Kur e kundërshtoi Rugova, presidenti kroat ia numëroi përparësitë e shtetit të tij që nuk i kishte vendi i Rugovës. Kroacia pati ekonomi më të qëndrueshme sesa Serbia, ka Mbrojtjen Territoriale të organizuar, policinë e organizuar, në të cilën asnjëherë nuk ndërhyri Jugosllavia. Kosova edhe popullatën e kishte dy herë më të vogël sesa Kroacia. Por kroatët prisnin që në luftë do të futej edhe Shqipëria, e cila doli e varfër dhe e dërmuar nga diktatura më mizore në Evropë, me përpjekje që të braktisnin të gjithë vendin po ua lejuan shtetet perëndimore. 

Kroatët e bënë luftën, treguan heroizma e guxim. Natyrisht patën edhe humbje të mëdha e katunde të djegura. Por kroatëve u ndihmuan në mënyrë të pakursyer Gjermania e Austria, nuk ua kurseu ndihmën as SHBA-ja. 

Aventurierët shqiptarë të luftës nuk patën sukses në këtë rast, ose ndikimi i tyre qe i papërfillshëm. Megjithatë nuk u dorëzuan, ata donin që përmes luftës të dilnin në pah, të dukeshin dhe të krijonin emër. 

Aventurierët e luftës nisën të ngrenë krye sërish para dhe pas Konferencës së Dejtonit. Lufta në Bosnjë e Hercegovinë sikur nuk i entuziazmoi në shkallën në të cilën ishin të entuziazmuar nga kroatët. Por kur nisën bisedimet e treshes së luftës Tuxhman-Izetbegoviq-Milosheviq, aventurierët e luftës dhanë kushtrimin, nuk e nisnin vetë asnjë nismë, nuk e shkrepnin asnjë pushkë, por ia kërkonin Rugovës ta shpallte luftën, ose të mobilizonte njerëzit për luftë, megjithëse po ata njerëz që i bënin presion për luftë nuk ia pranonin postin e as rezultatet nga zgjedhjet presidenciale, mu siç ia mohonte këto gjëra Milosheviqi. 

Adem Demaçi, njëri ndër figurat më kundërthënëse dhe më të paparashikuara, të cilit asnjëherë nuk i priste sakica në një vend, filloi të propagandonte rezistencën aktive, por me një çmim të lartë. Një herë tha pse të mos e kthejmë Radio Prishtinën, që e pushtuan forcat serbe. Por mund të vriteshin shumë njerëz, ia kthyen përgjigjen njerëzit përreth.

“Ani çka, nëse vriten 20.000 njerëz, s’ka gjë”, citohet të ketë thënë ai. Por as atëherë nuk është e sigurt se do ta mbajmë radion, thuhet t’ia ketë kthyer përgjigjen tjetri. 
Herën tjetër në një mbledhje me strukturat politike të LDK-në ka bërë ftesë për luftë të përgjithshme. Mund të vriten shumë njerëz, prapë i tha dikush më i arsyeshëm. S’ka gjë po u vranë 300. 000 njerëz, prapë është përgjigjur ai, thuajse njerëzit qenë patate e mund të mbinin kur t’i mbillnim. 

Shumica i kishin të freskëta masakrat në Bosnjë e Hercegovinë, ku Srebrenica qe vetëm njëra nga to, shumë e dinin se Beogradi ka mllefe e tërbime më të mëdha kundër shqiptarëve të Kosovës, prandaj ishin të vetëdijshëm se çfarë mund t’i priste po u futën në luftë, sipas këshillave të Demaçit.

Ajo që binte në sy ishte aleanca e çuditshme e grupeve të majta enveriste e titiste, të cilat deri dje e shihnin njëri-tjetrin përmes tytave të pushkës, kurse tash flirtonin si adoleshentë. Megjithatë Rugova vazhdonte politikën paqësore, ndërsa në fshehtësi ushtronte të rinj e burra në Shqipëri e kampe të tjera të fshehta. Ai e formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme, shpërndau informatorë në terren, por edhe në territoret shqiptare. Predikonte paqen, por bëhej gati për luftë brenda mundësive në një territor tërësisht të okupuar. 

Përpiqej të bënte mekanizmat e shtetit funksional, brenda kornizave të shtetit të okupuar, ku mbikëqyrej dhe ndiqej nga tërë ushtria e policia serbe, përgjohej nga shërbimi sekret, ndërsa duhej të ruhej nga grupet e majta, të cilat në vend se ta përkrahnin, sepse thoshin se janë sakrifikuar për këto ideale, nisën të vepronin nën rrogoz me ish- ndjekësit e xhelatët e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat