Le Figaro (30 Nëntor 1912): Shkresa e Ismail Qemalit drejtuar Markezit të San – Giuliano-s

Historia

Le Figaro (30 Nëntor 1912): Shkresa e Ismail Qemalit drejtuar Markezit të San – Giuliano-s

Aurenc Bebja Nga Aurenc Bebja Më 5 gusht 2017 Në ora: 08:04
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Gusht 2017

Gazeta prestigjoze franceze, «Le Figaro », ka botuar të shtunën e 30 nëntorit 1912, në faqen n°2, shkresën diplomatike të Ismail Qemalit drejtuar asokohe Antonino Paternò – Castello-s (1852 – 1914), Markez i San – Giulianos dhe ministër i jashtëm i Italisë.

Çfarë kërkonte udhëheqësi shqiptar ndaj zyrtarit italian? Në vijim do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Romë, 29 Nëntor

Kryeministri i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, Ismail Bej Qemali, i ka dërguar Markezit të San Guiliano-s, shkresën në vijim :

« Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë të të gjitha trojeve shqiptare, pa dallim feje, e mbledhur sot në qytetin e Vlorës, sapo shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë dhe formoi një qeveri të përkohshme përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave dhe ekzistencës së popullit shqiptar – i kërcënuar me shfarosje nga ushtria serbe – si dhe përgjegjëse për çlirimin e tokës kombëtare të pushtuar nga ushtritë e shteteve aleate.

Duke i sjellë në vëmendje Shkëlqesisë Tuaj rrëfimin e sipërm, kam nderin t’i lutem Qeverisë së Madhërisë së Tij Mbretërore që të njohë këtë ndryshim politik jetësor të Kombit Shqiptar. Shqiptarët, duke u bërë pjesë e familjes së popujve të Evropës Lindore për të cilën janë krenarë si paraardhës të saj dhe duke ndjekur vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike e të jenë element stabiliteti, janë të bindur se qeveria e Madhërisë së Tij Mbretërore dhe e gjithë bota e qytetëruar do t‘u rezervojnë atyre një mikpritje të ngrohtë duke i mbrojtur kundër çdo sulmi të ekzistencës së tyre kombëtare dhe kundër çdo copëtimi të territorit të tyre.»

Le Figaro (30 Nëntor 1912) : Shkresa e Ismail Qemalit drejtuar Markezit të San – Giuliano-s

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat