Jehonat e Lugut të Drinit

Opinione

Jehonat e Lugut të Drinit

Nga: Ndue Dedaj Më: 8 gusht 2017 Në ora: 11:12
Ndue Dedaj

1. Drini është “Danubi” shqiptar, që përshkon 335 kilometra gjatësi, i përbërë nga Drini i Zi që rrjedh nga Struga (Ohri) e Drini i Bardhë nga Peja. Ky lumë idilik, profetik nuk mund të mos rridhte njëhëresh nga Jugu dhe Veriu i trojeve shqiptare. Edhe kur kufijtë mes shqiptarëve ishin të mbyllur, Drini ishte i vetmi që nuk mund të pengohej nga qeveria e ish - Jugosllavisë ta kalonte kufirin amë. Asnjëlloj dige politike e Fuqive të Mëdha apo federative nuk mund ta ndalte turrin e tij drejt Adriatikut. Banorët e dy anëve të Drinit e kanë patur lumin pjesë të ekzistencës së tyre. Ai është vetë historia e tyre e pakëputur, që nuk mén asnjëherë. Nga “Adriatiku në Drin të Zi” është libri i një udhëtari europian në fillimet e shekullit XX, inxhinierit Karl Shteinmetz. Janë shkruar po ashtu shumë poezi për Drinin nga bregdrinasit, lugdrinasit, anëdrinasit, por vlen mbase sa të gjitha distiku lasgushian: “Duke nisur udhëtimin mespërmes në Shqipëri/ Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shën Naumi”. Lumi e ka lënë emrin e tij në disa toponime trojesh e trevash, duke filluar nga Lugu i Drinit e Podrimja në Rrafshin e Dukagjinit te Zadrima e Balldreni (Balli i Drinit) në rajonin Shkodër-Lezhë.

Ishte koha e kryengritjeve të mëdha të Pavarësisë në Kosovë e Isa Boletini promotori i lëvizjes kombëtare në ato anë. Kronikat shënojnë se nga Lugu i Drinit u mblodhën 400 vullnetarë, të cilëve iu priu At Engjëll Palaj. Nuk ishte hera e parë që një meshtar vishte rrobën e luftëtarit të lirisë e nuk do të ishte as e fundit. Rrethanat historike kishin qenë të atilla që këtë fat kishin patur dhe Pjetër Bogdani, Prend Doçi, Nikollë Kaçorri etj. Shqiptarët pavarësisht besimit ishin bashkë përballë pushtuesve. Edhe një emër tregon shumë, Lisi i Haxhi Zekës, në oborrin e kishës së Zllakuqanit. Ishte vendosur ndërtimi i kishës së re në vitin 1897, por nuk linin qeveritarët turq. Atëherë kësaj pune i del përzot kreu i lëvizjes atdhetare Haxhi Zeka, duke deklaruar se do të ndërtohej ai tempull i shenjtë dhe se do ta mbronte ai me luftëtarët e tij. Bash për këtë mirësi besimtarët katolikë mbollën lisin në emrin e tij. Drurët simbolikë i kanë ndjekur gjithnjë njerëzit në zë të kombit, ata kanë gjethuar dhe kur ata vetë kishin vdekur. Në emrin e Haxhi Zekës së Kuvendit të Pejës është kulla e tij e gurtë, një mulli i motshëm pejan e deri Univeristeti i Pejës në ditët e sotme. Një tjetër fugurë e përmendur e atyre kohëve është ajo e bajraktarit Sadik Rama nga Gjurgjeviku, për të ardhur më vonë te luftëtari Ndue Përlleshi i Klinës etj. Lugdrinasit rrëfejnë me emocion për pajtimin e gjaqeve në hijen e Lisit të Haxhi Zekës në Zllakuqan, në Lug të Beranit, Verrat e Llukës etj. Këtu u falen 36 gjaqe, paçka besimit fetar të atyre që falnin, pasi pajtimi ishte ideal kombëtar. Erdhën dhe nga Drenica e Rugova e bënë pajtimin këtu në Zllakuqan, tregon Antoni, njëri nga veprimtarët e pajtimit të 90-s. Është një histori për të cilën ata nuk mund të flasin pak. Përmendin emra, data dhe vende pajtimi. Anton Çeta. Ramiz Këlmendi. Dom Lush Gjergji. Ndër ngjarjet e bujshme ka qenë ajo e faljes së disa gjaqeve nga familja e nderuar Demaj (Klinë), ku luajti rol dhe profesori Marjan Demaj, sot rektor i Universitetit të Prishtinës.

Fshati Zllakuqan (me gjasë nga: Zalli i Kuq) është dhe qendra historike e Lugut të Drinit të Bardhë, i përbërë nga disa fshatra të komunës së Klinës. Diku në bllokun tënd të shënimeve ke shkruar: “Sa herë shkon mes krijuesve, studiuesve dhe arsimtarëve të Lugut të Drinit, është e pamundur të kthehesh pa një dorë libra dhuratë, një zakon i hershëm ky i njerëzve të letrave”. Por në këtë anë të Drinit ky gjest ka një kuptim të dyfishtë, jo vetëem të leximit, por dhe të nderit të librit. Na tregojnë se në dekadën e fundit të shekullit XX libri ka qenë heroi i rezistencës së këtij vendi. “Disa kamionë me libra në gjuhën shqipe u ngarkuan në libraritë e Lugut të Drinit dhe u dërgun në fabrikën e letrës në Lipjan”. Nuk ishte hera e parë që shqiptari gjendej i kërcënuar me zhbimjen e kujtesës së tij të shkruar. “Të digjet çdo letër në gjuhën shqipe”, ishin dikur fermanet e pushtuesve otomanë.

2. Është data 25 korrik 2017. Njerëzit e Lugut të Drinit janë mbledhur në një manifestim përkujtimor të veçantë. Kremtohet 120-vjetori i hapjes së shkollës shqipe të Zllakuqanit nga At Shtjefën Gjeçovi, asokohe famullitar i ri. Zbulohet me këtë rast një memorial në gur kushtuar shkollës pioniere të kohës së Rilindjes, në gjurmë të shkollave mesjetare të Stubllës së Karadakut, Gjakovës, Prizrenit etj. Të gjithë duan të thonë diçka në këtë ditë të shënuar. Artistët përmes aktrimit poetik, studiuesit përmes dëshmive të arkivave, rapsodët me anën e një këngë te re kushtuar “Pjetër Bogdanit”, fëmijët duke kërcyer ritmet e valleve popullore të trevës. Shkrimtari dhe studiuesi i njohur i letërsisë Prend Buzhala, 65-vjeçar, arsimtar i devotshëm që ka mbajtur në duar prangat serbe, është gjithnjë pikë referimi për organizimet kulturore në Klinë e më gjerë. Ai e mirëpriti propozimin e profesorit të gjimnazit të Klinës Pal Canaj për ta përkujtuar shkollën e dikurshme dhe kështu rrethi i të interesuarve për këtë veprimtari u zgjërua me studiuesin Mikel Gojani, veprimtarin Dodë Ndrecaj, publicistin Lekë Mrijaj, veteranin e UÇK-së Nik Frroku, poetin Don Bardhec Zymi, meshtarin e Gllogjanit Don Pal Tunaj, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të famullitarit të Zllakuqanit Dom Izak Doda, pasardhës i At Gjeçovit në kishën ku frati i shquar shërbeu atë fund shekulli XIX. Drejtori i Zyrës për Arsim i komunës së Klinës, poeti Hajdin Morina, në kumtesën e mbajtur në sesionin jubilar të organizuar me këtë rast, paraqiti kronologjinë dramatike të shkollës shqipe në kësaj treve përgjatë 120 viteve. Kumtuan dhe studiues të ardhur nga Prishtina, Tirana, Mirdita etj. Shumë “fise” të këtushme, na thonë, kanë lidhje të hershme gjaku me mirditorët, duke mbajtur të njëjtët mbiemra, aq sa Klina thirret ndryshe “Mirdita e Vogël”. Prekë Gjeta, historian dhe ish - kryetar i komunës, flet rreth këtij migrimi të ndërsjellë të Rrafshit të Dukagjinit me Mirditën etj. “Ishim tanët, të shtëpisë, sikur venim nga Klina e Gjakova e ngulnim në Orosh, Fan, Kaçinar etj., sikur vinim nga andej e ngulnim në kato anë”.

32 mijë banorë ka komuna e Klinës dhe vitet e fundit e ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukrurën e qytetit dhe të fshartave që lidhën me Pejën. Komuniteti lugdrinas bën një jetë kulturore aktive, falë dhe klubit të letrarëve “Vorea Ujka”, kryetar i të cilit është poeti Gjon Gjergjaj, i cili kullën e vjetër të familjes së tij në Krushë të Vogël e ka kthyer në një muze të rrallë të sendeve antike. Piktori Idriz Berisha hap ekspozita në Prishtinë, Lezhë etj., por nuk e lëviz studion e tij nga vendlindja. Ismet Krasniqi nuk i ndahet dramës dhe teatrit, pasionit të tij të hershëm, si dhe shkrimit të librave. Suzana Gergji, zyrtare komunale e Arsimit, kohë më parë ka qenë në një veprimtari në Rrëshen, kushtuar Ndrecë Ndue Gjokës, normalistit të Elbasanit, i cili në vitin 1041 emërohet mësues i shkollës së Zllakuqanit, ndër rreth 200 arsimtarë të ardhur nga Shqipëria, njeriu që pas Luftës do të bëhej i njohur për hapjen e 50 shkollave në vendlindjen e tij, Mirditë. Dikush kujtohet për arsimtarin veteran Frrok Gojani. Dikush tjetër për Dom Pjetër Berishën. Ngjarjet që i bëjnë krenarë njerëzit fisnikë të Lugut të Drinit nuk kanë të mbaruar. Në vitin 1982 Nënë Tereza viziton famullinë e Zllakuqanit dhe Prend Buzhala ka publikuar fotografi të bëra me atë rast.

Lugu i Drinit mbaron dikur si shtrirje, por Drini nuk ndalet në rrugëtimin e tij nëpër Rrafshin e Dukagjinit drejt Prizrenit. Si një kalorës i përjetshëm shtegtimtar mes Sharrit dhe Pashtrikut. Ti e ndjen se të duhet dhe një ndalesë tjetër gjeçoviane. Prej 45 vitesh në Zym organizohen çdo vit “Takimet e Gjeçovit”, nismë e gazetarit e shkrimtarit Frrok Kristaj, së bashku me studiuesin vendas Nikollë Kërhanaj dhe famullitarët e kohëpaskohshëm. Zymi gjithashtu ka një obelisk të gurtë me mbishkrimin “Abetarja e Zymit 1900”. Abetarja unike ruhej në Tiranë në Arkivin e Shtetit dhe falë interesimit të këtyre intelektualëve është botuar në vitin 2013.

Jehonat e largëta të buzëdrinasve vijojnë të dëgjohen, aq më tepër ato bashkëkohore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat