Shi e vdekje, në kufi refugjatët kalonin çaste dramatike

Opinione

Shi e vdekje, në kufi refugjatët kalonin çaste dramatike

Nga: Gani Mehmetaj Më: 13 gusht 2017 Në ora: 09:10
Gani Mehmetaj

Si s’pushoi ditë me radhë shiu e shqota, si nuk i tregoi hiret e veta pranvera, po e bëri Zoti kohë të tillë që s’mbahej në mend në këtë fillim pranvere. Shqotë e shi nëpër Bjeshkët e Nemuna, shqotë e shi nëpër luginën e Hanit të Elezit, ftohtë e acar maje mali, ndërsa kolonat e refugjatëve ecnin të kërrusur e të bërë gati dyfish nga shiu, nga të ftohtit e uria. Shi e shqotë nëpër bjeshkët e Pashtrikut, ku strukeshin mijëra refugjatë. Sa s’kishte nisur përmbytja biblike.

Përtej Grykës së Kaçanikut shiu gati i mbyti mijëra refugjatë që prisnin mëshirën e policëve të pamëshirë maqedonas që të kalonin në Shkup apo qytetet e tjera shqiptare. Njerëzit, sidomos të moshuarit e foshnjat, nuk e përballonin tërbimin e natyrës, vdisnin në mungesë ilaçesh, të paushqyer e të mërdhirë nga shiu që s’pushonte ditë e natë. Mbinë varret e para në Luginën e Refugjatëve...     

Në anën tjetër luftimet nëpër zonat e kufirit Kosovë-Shqipëri vazhdonin me intensitet të shtuar. Formacione të armatosura të shqiptarëve depërtuan në territorin e Kosovës, duke luftuar kundër armikut. Pati të vrarë e të plagosur. Raportimet e medieve jepnin shifra e qasje të ndryshme. Disa gjëra ekzagjeroheshin, të tjera sikur minimizoheshin. Bombardimet e aeroplanëve të NATO-s vazhdonin natën e ditën.

 Kur u dha lajmi për vrasjen e Salih Çekut, m’u duk se m’u shkëput diçka nga kraharori. Një informacion na erdhi se ai është goditur me snajper armik. Tjetri se ra në luftimet e rrepta. Salih Çekun e njihja qysh më parë. Për herë të fundit e kisha takuar në redaksinë e gazetës Rilindja, në Cyrih, ku erdhi me Hafiz Gagicën. Pastaj nuk e pashë më. Disa muaj më parë më treguan një gjysmë informacioni se ka depërtuar në Kosovë dhe udhëheq ushtarë në luftë, duke goditur forcat serbe. Por lajmet për të dhe të tjerët që ishin me të ishin tejet të kursyera. TV Shqiptar, bënte seleksionimin e raporteve që transmetoheshin. Çeku gjithnjë kishte vepruar në mënyrë të heshtur, nuk i duhej pompa as reklama. Prandaj se si më erdhi kur raportimet nga fronti lajmëronin se gjatë luftimeve u vra Salih Çeku. Ai i takonte grupit të burrave që u përgatitën në kazermat shqiptare së bashku me Adem Jasharin.

Një herë mendova se mos është gabim, por më vonë e vërtetova nga burimet e tjera, sepse ndërkohë kisha disa numra celulari të oficereve ndërlidhës të FARK-ut në front. Ata shpesh më njoftonin brenda kompetencave të tyre për zhvillimet në front. Kur e pyeta oficerin në Koshare, njëri nga këta ushtarakët, ma konfirmoi duke mos e fshehur shqetësimin.

Në luftime u vra edhe Agim Ramadani, oficer i cili udhëhoqi luftimet në terren. Ai para se të shkonte në luftë jetonte në Zvicër, ku e pati edhe familjen. Kishte qenë disa herë në redaksinë tonë.  

Edhe formacionet e armatosura shqiptare në terren ishin të ndara. Njëri formacion i takonte FARK-ut, formacion me pretendime të ushtrisë së rregullt të Republikës së Kosovës, ndërsa tjetri grupeve të majta, por që mbështeteshin nga Qeveria shqiptare, me kryeministër Pandeli Majkon. 

Raportet bënim me dije edhe për konfrontime të ashpra në mes të këtyre grupeve. U vra në pritë, në kryeqytetin shqiptar, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi.

U bënë edhe vrasje të tjera tinëzare në prita.

Katastrofa humanitare

Pamja e fëmijës së vogël flokëverdhë, me sy të kaltër, të pastër, që e mbante për dore nëna, e cila në gji mbante foshnjën, në kolonën e gjatë të refugjatëve, e pushtoi botën. Ecnin në njëshkolonën e pafund një monopati. Kjo pamje e televizioneve më të fuqishme të botës përsëritej shpesh. Në Evropë po bëhej shpërngulja më e madhe në pesëdhjetë vjetët e fundit.

Mijëra refugjatë binin e gdhiheshin nëpër bjeshkë, rogë mali apo shtrojera në të ftohtit e marsit. Pamjet që transmetoheshin nëpër televizione të tronditnin. Bota bashkëkohore që nga koha e shpërnguljes së hebrenjve s’ kishte parë gjenocid të këtillë. Çdo gjë dukej si në bibël: në njërën anë kolonat e gjata të fëmijëve e grave, në anën tjetër ushtarët e policët serbë të tërbuar si bisha që ndalnin kolonat, shkëpusnin njerëz nga grupi, i pushkatonin apo i merrnin me vete.  

Zviceranët  nisën grumbullimin e ndihmave humanitare. Në televizione, gazeta e institucione të ndryshme, në rrugë e vetëshërbime, i bëhej thirrja popullatës për ndihma humanitare refugjatëve shqiptarë. Në lajmet qendrore jepnin rrëfime e pamje për katastrofën humanitare. Jehona e kësaj thirrjeje te popullata zvicerane qe e madhe, tronditja me pamjet televizive emocionuese. Ata ua qanin hallin refugjatëve. Ata ishin popull praktik. Nëpër shitore, vetëshërbime të mëdha e shoqata humanitare, u bë një kënd i veçantë, ku mund të jepje veshmbathje, sende të tjera për përdorim të përditshëm. Paratë grumbulloheshin nëpër xhirollogaritë e veçanta. Brenda një kohe të shkurtër u mblodhën miliona franga zvicerane.

Gjendja në terren paraqitej e mjerë. Raportet nga terreni e plotësonin informacionin e parë për gjendjen e popullatës së shpërngulur. Mijëra refugjatë i ngujuan afër kufirit Kosovë-Maqedoni. Njësitë policore maqedonase nuk i lejonin të futeshin brenda territorit të tyre, policia serbe i kishte dëbuar nga vendi i tyre. Binte shi biblik, sikur të paralajmëronte përmbytjen.  Njerëzit s’kishin mbulojë as çadra, lageshin në shi, binin e zgjoheshin me shiun e ftohtë sipër, pa pasur mundësi të mbroheshin. U mungonte ushqimi, veshmbathjen e kishin të vajtueshme, policia e ushtria serbe nuk u dhanë kohë të fusnin në këmbë as këpucët, me pantofla dhome i dëbuan. Televizionet jepnin pamje trishtuese nga Bllaca, vend i vogël, ku silleshin në rreth mijëra refugjatë, fëmijë, pleq e gra, që s’dinin nga t’ia mbanin. Në Maqedoni nuk i lejonin, mbrapsht s’mund të ktheheshin. Dhjetëra sish po vdisnin nga kushtet  e rënda, nga sëmurjet e pafuqia ta përballonin këtë shi të acartë. 

Asnjëherë nuk e nxitën më shumë urrejtjen e botës demokratike policët maqedonas sesa ato ditë me sjelljen e tyre brutale. Pamjet televizive tregonin turmën e madhe të pafund të refugjatëve që përpiqeshin të dilnin përtej kufirit. Donin të shpëtonin nga ferri i Bllacës, vend i braktisur që do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Asnjëherë nuk u tregua më e urryer qeveria maqedonase sesa ato ditë kur bënte tregti me fatin e mijëra refugjatëve. Refugjatët vdisnin, maqedonasit prisnin.

Raportet e tjera ishin edhe më dramatike: mburoja njerëzore kundër bombardimeve të NATO-s, mijëra të vrarë për disa ditë, kampe përqendrimi ku përdhunoheshin femrat, keqtrajtoheshin burrat e denigroheshin fëmijët. Lajmet e ditës të çmendnin, imazhet të tronditnin, s’mund t’u shmangesha, sepse duhej të bëja gazetën për nesër, nuk i ikja dot kësaj tragjedie, sepse ata ishin njerëzit e mi.

Sikurse shumica e shqiptarëve nuk e dija si është fati i familjes. Më thanë se pjesa e familjes nga Prishtina, rropateshin në Malësinë e Gollakut, në katundin Mramor a gjetiu.  Për vëllezërit e motrat në Pejë nuk e dija saktësisht asgjë. Disa  raporte telefonike nga qyteti tregonin për djegien e gjysmës së qytetit, boshatisjen e pjesës më të madh të lagjeve, mizorinë e policëve e civilëve serbë. Flitej për qindra të vrarë. Një burim tjetër na thoshte se kolona e refugjatëve ngjitej Bjeshkëve të Nemuna drejt Rozhajës, qytet kufitar i Malit të Zi, banuar me shqiptarë e boshnjakë, ku kolonat e para do të kalonin natën. U lajmëruan grupet e para të refugjatëve. Policia serbe ndalonte njerëz nga kolona, fati i të cilëve nuk dihej, dikush tha se kishte parë kufoma rrugës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat