Marrja peng e Rugovës

Opinione

Marrja peng e Rugovës

Nga: Gani Mehmetaj Më: 16 gusht 2017 Në ora: 08:04
Gani Mehmetaj

Okupimin e Presidencës së Kosovës dhe mbajtjen peng të presidentit Rugova të gjithë e përjetuam rëndë. Gati m’u zu fryma me lajmin e parë që e morëm. Ishim duke e përgatitur gazetën “Rilindja” së bashku me Avni Bulliqin.  Mezi i merrnim lajmet nga disa burime në Kosovë, sepse vendi ishte mbyllur hermetikisht pas fillimit të bombardimeve. Na erdhi lajmi se policia serbe është futur në godinën e presidentit Rugova dhe se ka marrë peng tërë familjen. E merrnim me mend tërbimin e policisë, e dinim urrejtjen që ndienin ndaj Rugovës. Athua si do t’i bëhej halli familjes së Rugovës? Si familjeve të tjera: peng e të terrorizuar. 

Më thirri me telefon Hafiz Gagica, kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani. Më tha i tronditur ”shihe kanalin gjerman!” E ndërrova kanalin, ndërsa ai vazhdonte të më tregonte për gjërat që i kishte mësuar.

Në televizion Rugova jepte një deklaratë, dukej si i droguar, duhej t’i kishin bërë diçka, ai nuk ishte vetja. Fliste si përçartë, i tronditur, megjithëse përpiqej ta mbante veten. Mezi i ndiqja këto pamje, ndër më të vështirat që pashë ato ditë, kur ekrani shpërthente me imazhe që s’ t’i bluante stomaku. Njeriu i parë i shqiptarëve, i zënë peng, i tronditur, gati i përhumbur, e detyronin të dilte para ekranit, të thoshte diçka, të jepte porosi, të kërkonte ndërprerjen e bombardimeve, kurse vite me radhë i pati ftuar natë e ditë forcat ndërkombëtare në Kosovë, kërkoi ndihmën e tyre në çdo konferencë shtypi e në çdo takim. Asgjë nuk merrej vesh, përderisa dikur qe aq i qartë, e i kuptueshëm. Familja sigurisht vuante brenda këtij shtrëngimi policor. Natyrisht e dija se kjo kërkesë e tij qe detyrim i dhunshëm, familja mund të pësonte.

Me Hafizin vazhdonim të bisedonim, të dy tejet të tronditur. Nuk ia hiqja sytë ekranit të vogël. Tërë ditën e përsëritën lajmin e marrjes peng të Rugovës. Dhanë pamje të turbullta, bënë komente nga më të ndryshmet. Zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shia, dhe shefi i NATO-s, Havier Solana, e komentuan marrjen peng të  presidentit të Kosovës, duke e bërë të qartë se fjalët e tij ishin fjalë të nxjerra me shantazhe të frikshme. Ata e dinin se çdo gjë që thoshte, e thoshte nën shantazhe. Ata ishin në anën e Rugovës, e kuptonin.  

Pastaj u bënë analogji me personalitetet e ngjashme në Evropë në të kaluarën, u përmend mbreti belg, që u mor peng nga gjermanët. Solana tha se deklarata e Rugovës nuk mund të merrej e mirëqenë, jepej nën presion të tmerrshëm. Ai u bëri thirrje zyrtarëve të Beogradit ta lëshonin Rugovën, në mënyrë që ai i lirë në ndonjë vend perëndimor le t’i thoshte ato që po e detyronin t’i thoshte. Natyrisht serbët nuk do ta lëshonin nga pengmarrja, në këtë mënyrë donin të mbanin peng popullatën shqiptare e opinionin demokratik në botë. Në anën tjetër donin të pengonin bombardimet e NATO-s në caqet ushtarake serbe në Serbi e në Kosovë.

Kreu i NATO-s, por edhe liderët perëndimorë u treguan njerëzorë, e kuptonin situatën. Ndërkaq një grup emigrantësh shqiptarë nga hotelet e Tiranës dhanë deklaratë monstruoze për kinse përgatitjen e njësitit për vrasjen e Rugovës. M’u duken si debatikët partizanë të filmave shqiptarë: Në emër të popullit je i dënuar me vdekje! Ajo mendësi me dashakeqësi po instalohej në të gjitha nivelet e grupeve të rezistencës që ishin nën kapelën e shërbimit të fshehtë shqiptar. Deklaratë më të dhunshme e më jonjerëzore s’kishte si bënte. Sikur e prisnin me gëzim pervers këtë fatkeqësi, e cila nuk qe vetëm fatkeqësi e presidentit Rugova, apo vetëm fatkeqësi e familjes së tij, por ishte fatkeqësi e shqiptarëve, të cilët vuanin brenda rrethojës së hekurt. Vuajtje e poshtërime të njëjta po përjetonin pjesa dërmuese e shqiptarëve. Duhej të dënoheshin me vdekje ata? Duhej të fyheshin në të njëjtën mënyrë?

Me gatishmërinë të hiqnin koka, ata donin të dilnin në skenë, të hiqnin qafe liderin e shqiptarëve, ndërsa Milosheviqi u ndihmoi shumë. Rugova u bënte hije grupeve të ndryshme, të pafuqishme të bënin diçka në terren, të paafta të mbronin katundet shqiptare nga policia serbe, të frustruar me pafuqinë e vet. Mllefin e zbraznin mbi njeriun, i cili fare mirë mund të strehohej si ata në hotele luksoze me familje a në shtrojera të sigurta. Por ai zgjodhi pasigurinë e vendit të vet, vendosi të bëhej pjesë e fatit të përgjithshëm me kombin e vet. S’kishte si vepronte ndryshe. Ai nuk pranoi t’ia mbathte duke e lënë popullin në duart e kriminelëve, megjithëse ai nuk u ndihmonte.  
Jehona e marrjes peng të Rugovës qe e madhe ndër shqiptarët. Thërrisnin me telefon në redaksi, emocionoheshin, ndonjërin e lëshonin nervat, binte në depresion, fliste përvajshëm: “Mori fund kombi, e humbën Kosovën, e morën Rugovën!”

Të tjerët solidarizoheshin me presidentin e tyre, ia qanin hallin, nuk mllefoseshin, përkundrazi bashkëjetonin, ai për ta ishte njeriu i tyre, i kapur rob. Popullit nuk i shkonte nëpër mend folklori, as nuk donte të shtihej, shumica e dinin se ai kalonte nëpër të njëjtat vuajtje nëpër të cilat kalonin ata, ose familjet e tyre në bodrume, nëpër pllaja mali, në kampe refugjatësh apo nëpër burgjet e shumta të Serbisë.     

Sërish folëm me telefon me Hafiz Gagicën. E pyeta për fatin e disa emrave të njohur, meqë kisha dëgjuar se grupet e para tashmë ishin vendosur në kampe refugjatësh në tërë shtetet perëndimore. Disa nga miqtë e intelektualët më thërrisnin me telefon, e kërkonin gazetën në kampin e tyre, interesoheshin për miqtë e përbashkët.

Gagica më informoi se flitej për disa nga intelektualë të njohur refugjatë në Gjermani. Ndonjërin e takoi. Shumica rrinin në Maqedoni nëpër shtëpi shqiptarësh a kampe refugjatësh. I propozova të përpiqej të mblidhte disa prej tyre, e të bënin një si shtab për të ndjekur ngjarjen në mënyrë të organizuar dhe për të reaguar në mënyrë të organizuar, sepse institucione nuk kishte më. I  thashë se brenda mundësive që ma lejonte puna në gazetë do të ndihmoja,  megjithëse konsideroja se kjo është puna më e rëndësishme në këto momente.  Por qe zor, gati e pamundur, të grumbulloheshin njerëzit nga shtete të ndryshme, me statusin e refugjatit, a me traumat e përjetuara. Disa nga ta, të traumatizuar e të stresuar nuk ishin për asgjë.

Me thërriste Hajdar Sadrija, i cili kishte kohë që merrej me organizimin e ndihmave nga më të ndryshmet, duke nisur nga veshmbathjet e deri te mjetet e vetëmbrojtjes në terrene, ku luftohej. Ish-kryeredaktori i “Rilindjes”, Maksut Shehu, u paraqit nga një kamp në Austri. Mezi shpëtoi me familje, ndërsa peripecitë e veta na i dërgoi në një seri shkrimesh që i botuam ditë pas dite. Dukej i tronditur nga ajo që kaloi nga Prishtina deri në kampin e refugjatëve në Shkup e pastaj tutje në Austri.   

Nga Maqedonia vinin lajmet për përpjekjet e krijimit të një grupi renegatësh, që do t’i kundërviheshin Rugovës. U fol se një grup syresh paska shkuar te presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani. Zyrtarët e tyre me SHIK-un sërish ia ngulën një thikë pas shpine Kosovës, sikurse disa herë gjatë historisë më të re, në vend se të ndihmonin, në vend se të përpiqeshin të plotësohej boshllëku e mungesa e presidentit Rugova, në vend të zbusnin gjakrat, ata ndërsenin grupet e frustruara që të mprihnin thikat për krime të reja. Ato grupe që kërcënonin kundërshtarët politikë, madje edhe forcat ushtarake të përcaktimit tjetër në terren, qenë eksponentë të shërbimit të fshehtë shqiptar, që nuk vepronin shqiptarisht. 

Sabri Hamiti m’u lajmërua nga Franca, nuk e mbaj në mend nga cili qytet. E dinte fatin e Rugovës, u e emocionuam të dytë. Më tha se do ta shkruante një shkrim mbështetës për presidentin. Ma dërgoi shkrimin, që e botova në vend të dalluar në gazetë. Shkrime të tilla të intelektualëve e krijuesve u botuan në vazhdime. Njëri nga to ishte teksti i Bajram Sefajt. Ato ditë duhej të inkurajonim simpatizuesit, t’u jepnim shpresa atyre që luhateshin, t’i izolonim besëpaktët, ose t’ua kthenim besimin si Judës.

Njerëzit sërish nisën ta marrin veten, kërkonin adresa ku mund të dërgonin ndihma. Ndihmat u bënë refren i përditshëm, sepse për ndihma u paraqit nevojë e madhe.
Në kundërshtim me mjerimin e refugjatëve në terren, veçmas të atyre që fshiheshin nëpër guva e male të ftohta, pa kushtet elementare, Televizioni Shqiptar, programi i Kosovës, jepte raporte për sukseset e forcave tona në terren, për qindra armiq të varë e qindra tanke të shkatërruara, për disfatën e ushtrisë e policisë serbe. Raporte të stisura e euforike që nuk mbështeteshin askund në realitet dhe që nuk u besonte askush, sepse të gjithë e dinim si është puna. Raportonin diçka që s’ta kapte mendja, krejtësisht në kundërshtim me raportet e agjencive të mëdha botërore. 

Televizionet evropiane e të SHBA-së raportonin për katastrofën humanitare. TVSH-ja raportonte për beteja të paqena me frymë triumfaliste. Të tjerët donin të na paraqisnin me të drejtë viktima të gjenocidit, donin të tregonin se po nuk u përshpejtua ndihma, do të shpërthente një katastrofë njerëzore, ndërsa grupet euforike na paraqisnin palë ndërluftuese, duke heshtur për viktimat civile. Një qasje prej idiotësh, që kurrë nuk e kuptova pse e bënin, por nuk e kuptuan as të tjerët.

Gjendja në terren qe krejtësisht ndryshe, këtë e dinin edhe zogjtë e malit, pamjet nuk gënjenin, nuk bëhej fjalë për beteja, as për palë ndërluftuese, por për gjenocid të Serbisë ndaj shqiptarëve të paarmatosur, ndaj burrave, grave e fëmijëve.

Euforia e raportimit të TV Shqiptar nga dritarja e katit të dytë nuk pushoi deri ditën e fundit. Sajuesit e urdhërdhënësit e lajmeve vuanin nga deliri e madhështia. Autizmi i tyre qe i rrezikshëm, por ata vazhdonin në stilin partizanë: të armikut qyqar e ushtarit tonë trim! Ata nuk e jetonin, as nuk e përjetonin realitetin. Ata shikonin me sy hapur filma me trimat partizanë e frikacakët gjermanë. 

Të vinte për të qeshur e për të qarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat