Zhgënjen Isa, privatësia, s'është partia

Opinione

Zhgënjen Isa, privatësia, s'është partia

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 18 gusht 2017 Në ora: 10:54
Idriz Zeqiraj

Jemi në dijeni për akuzat e bëra nga Lëvizja "Vetëvendosje" dhe të tjerët, për një shifër jo të besueshme, të shpërdorimeve të Isa Mustafës, si kryetar i komunës të Prishtinës.

Përfolja për azilimin e dyfishtë, me qëllim përfitimi material, të Ragip Mustafës, vëllai i Isës, doli bllof. Ishte një shpifje, që kishte për qëllim edhe dënigrimin e kryeministrit Isa Mustafa. Intërvistimi publik i Ragip Mustafës, rezultoi se ai ishte në kërkim të një trajtimi mjekësor, në një shtet perëndimor. 

Me rrëfimin e tij të qetë, krejt ndryshe nga mediat tendencioze, i bëri pjesëmarrës në vuajtjen e tij fizike e shpirtërore, të gjithë ata që e panë dhe e dëgjuan. Me fisnikërinë e tij, baca Ragip, nuk shprehu fije inati, mërije karshi shpifësve. Këtu dallonte shumë nga i vëllai, Isa, inati i të cilit tejkalon peshën e trupit të tij.

Jo pak janë përfolur, për bisneset e tyre, edhe djemtë e Isa Mustafës, Besniku dhe Arbeni. I kam njohur, nga afër, përgjatë luftës. Ishin anëtarë të kryesisë të Shoqatës "Ulpiana", të udhëhequr nga shumë i përkushuari për luftën, Musa Rexhaj, nga Jabllanica e Vogël e Pejës. Djemë të heshtur, mirë të edukuar dhe punonjës të vyeshëm në Emërgjencën e Luftës, pa asnjë shpërblim.

Bisnesmenët janë parësorët e zhvillimit, të progresit shoqëror e shtetëror. Xhelozia karshi tyre, duhet të jetë gjithëherë pozitive, për t'u bërë si ata, me punë të ndershme e pa bërrylime. Dhe, shembull i mirë kanë qenë dhe janë djemtë e kryeministrit Mustafa.

E konsideroj si shumë të gabuar, zhurmën e bërë për një mini-tender, për makinat zyrtare, të fituar nga vëllezërit Mustafa. Në Gjermani, prioritetin, parësinë për tendere e kanë bisnesmenët vendorë të komunës, sepse, firma asaj ia paguan të gjitha llojet e tatimeve, që parashikon ligji.

Teneqës së shpuar i kanë rënë edhe disa shpifarakë, duke përgojuar kreun e komunës të Istogut, Haki Rugova, për ndonjë tender, fare të pakët, të fituar nga vëllezërit e tij. Por, e vërteta është se vëllazëria Rugova kanë firmë edhe në Vjenë të Austrisë si dhe në Istog, të cilët me korrektësinë dhe cilësinë e tyre ndërtuese, meritojnë shumë më shumë.

Përmendëm, qëllimshëm, disa raste shpifjesh, për të dëshmuar se njerëzit publikë, jo rrallë bëhen objekt sulmesh, madje, edhe duke shpifur. Megjithatë, reagimi i Isa Mustafës, karshi "Vetëvendosjes", jashtë kohës dhe kontekstit, është zhgënjyes, ndonëse ngatërron personalen, privatësinë me kolektivin, partinë. 

Përdorimi i një akuze personale, qoftë ajo edhe e rëndë, për ta bërë kolektive, kur ajo nuk ka lidhje me partinë, LDK-në, për ta kushtëzuar një marrëveshje të mundshme, në rastin konkret, me "Vetëvendosjen", zgjon dyshime të tjera. Fundja, nëse i vëmë në peshojë provokimet zyrtare të Hashimit, Kadrisë, Isës, lënë hije "dhunën e "Vetëvendosjes". Rrjedhojë e këtyre provokimeve enorme të pushtetarëve, është edhe kurbanizimi i Astrit Deharit.

Behxhet Pacolli, para se të lëshonte atë ultimatumin e pistë, për LDK-në, shiste trimëri se "nuk ka nevojë për roje, se nuk ka frikë nga askush, sepse nuk i ka borxh askujt". E pyesim Pacollin, çfarë borxhi, çfarë të keqe i bënë dikujt kolonel Ahmet Krasniqi,  me ushtarakët e tij; apo Xhemajl Mustafa me veprimtarët e LDK-së të Ibrahim Rugovës, të cilët u ekzekutuan nga ata, që i donë në krye të shtetit dhe të pushtetit Pacolli?!

Pacolli ka blerë lirinë e vet dhe të tjerëve, që kanë varrosur jetën e luftëtarëve të dëshmuar për lirinë e Kosovës. Tani po investon, për të mbajtur krimin në pushtet.

Menjëherë pas ultimatumit të tij, i cili pikëtonte tradhtinë ndaj LAA-së, të cilën e kishte shfrytëzuar, për t'u strehuar në Parlament Pacolli me shokë, si ai, u faktorizua për të vendosur "për fatin e Kosovës", për "zhbllokimin e krizës", sikur "i kërcet baloshi" fort Pacollit për Kosovën!

Dhe, fill pas ultimatumit të Pacollit, dorëzohet i preferuari për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, me kërkesat, sa artificiale, aq edhe bajate, për Lëvizjen "Vetëvendosje". Dhe, zinxhir, e pason  Isa Mustafa, me të njëjtin avaz, për ta trimëruar Pacollin, në misionin rrënues të mbrojtjes të krimit dhe të kriminelëve!

Është alogjike dhe e marrëzishme, të fillojnë pazaret për Demarkacionin dhe të tjera probleme, që ka në agjendë Kosova. Këto janë çështje shtetërore, që duhet të debatohen, studjohen dhe vendosen në instancat zyrtare përkatëse. Parlamenti ka rolin e vet dhe jo koalicionet partiake.

PAN është sinonim i krimit. Arsyetimi dhe kushtëzimi me "kërkim falje", lind dyshimin e bazuar se koalicionin e natyrshëm e logjik të LDK-së me "Vetëvendosjen" e pengon SHIK-u, i cili është gjithnjë aktiv, brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së.

Gama e gabimeve të "Vetëvendosjes", është minore, në raport me krimet madhore të PAN-it. Andaj, kjo përforcon mendimin tonë se pengesa për koalicion e bashkëpunim të LDK-së me "Vetëvendosjen", është subjektive, që imponon SHIK-u, për të përfituar PAN-i, për të qeverisur krimi.

Kjo ndodhë kur strukturat partiake vendimmarrëse, nuk përfillin dëshirat, vullnetin e anëtarësisë të LDK-së. Kjo na kujton një toger shqiptar të viteve '30-a, kur nuk arriti t'ua mbushë mendjen qytetarëve të Beratit, në inat e sipër, u tha: "Qeveria bënë çka bënë, populli të mos hajë m...! 

Lojën e ndyrë që po loz PAN-i, me pazaret e pista dhe kriminale, mund ta prishë e stopojë vetëm Lëvizja "Vetëvendosje", me popullin e Kosovës, të lodhur dhe të stërkequr nga bandat mafioze të krimit të organizuar, të haraçit e zhvatjes, të hajnisë zyrtare. 

Rezistenca, mosbindja, për nënshtrimin e mëtejmë e popullit të Kosovës, para pushtetarëve banditër, që duan ta vazhdojnë sundimin e tyre të përgjakur, duke blerë deputetët matrapazë, si duket, do të mbetet shpëtimi dhe zgjidhja e vetme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat