Kush donte t'i ngjallte kufomat politike?

Opinione

Kush donte t'i ngjallte kufomat politike?

Nga: Gani Mehmetaj Më: 19 gusht 2017 Në ora: 11:08
Gani Mehmetaj

“Po për alternativën tjetër: Azem Vllasin, çka mendoni?  më pyeti diplomati tjetër, zyrtari i Gjermanisë.

“Nuk mendoj fare për të. Sikur të ishin gjallë Ali Shukriu, Kolë Shiroka apo Sinan Hasani, sigurisht do të më pyesnit edhe për ta”, - ia ktheva jo pa mllef këshilltarit gjerman të Qeverisë, Viktor Mejerit, i cili erdhi një a dy ditë pas diplomatit anglez. Analistin gjerman e çmoja për angazhimin e tij, shkrimet me të cilat shumë herë doli në mbrojtje të çështjes shqiptare, ndërsa u angazhuar ndër të parët në Ballkan, duke shkruar ndryshe nga pjesa më e  madhe e shtypit perëndimor. Dikur shkrimet e tij të botuara në “Frankfurter Algemeine Zietung”, të përkthyera i lexoja me frikë nga policia serbe. Në kohën kur pakkush shkruante për terrorin serb në Kosovë, ai na mbështeste.  

Prandaj me të sillesha me respekt të veçantë. “Të mos keqkuptohemi nuk kam asgjë personale as me A. Vllasin, as me M. Bakallin, por ata nuk janë zgjidhje, ata mund të bëhen problem i shqiptarëve, nëse ju i mbështesni”, iu përgjigja me sinqeritet. Shpesh pata qëndrim kritik në gazeta e televizione ndaj këtyre emrave që m’i rikujtoi analisti i njohur gjerman, por asnjëherë nuk pata diçka personale, sepse nuk i njihja personalisht. Por se si më vinte kur e dëgjoja nga goja e tij mundësinë e kalkulimeve politike me emra të shpenzuar e aspak popullor.

Ndonjëherë kur skandalizohej nga përgjigjet e mia të drejtpërdrejta, për ta zbutur atmosferën që acarohej, i përgjigjesha duke e shndërruar në humor: “Nuk jam diplomat, jam gazetar, gjërat i them troç, pa i mbështjellë me dorëza”.

“E shoh!”, ma ktheu jo shumë i kënaqur nga përgjigjet e mia. 

“Po Rugova çka mendon për këta njerëz”, ma ktheu si me ironi.

M’u kujtua biseda me gazetaren holandeze para një viti, kur erdhi në redaksi, po ashtu në Cyrih. Gjatë këmbimit të informatave. Duke e shikuar një portret të Rugovës në drugdhendje që ma dhuroi një lexues, ajo  më pyeti: “Po ky që të shikon me vërejtje nga druri i gdhendur, çka mendon për këto që i thua”. I skandalizuar me mënyrën e qasjes, sikur Rugova të qe diktator, sepse tërthorazi sikur donte ta krahasonte me pushtetarët e dorës së fortë, ndërsa ai i tillë kurrë s’kishte qenë, madje mungesa e dorës së fortë i faturohej si dobësi, ia ktheva: “Kurrë nuk e kam pyetur dhe kurrë nuk më ka interesuar. Mbase nuk mund ta besoni, por ai kurrë nuk ka ndërhyrë në asnjë shkrim timin apo të gazetës”. Të njëjtën gjë ia ktheva edhe Mejerit  

Biseda me të shpesh ngecte, sepse nuk flisnim për të njëjtat koncepte. Në pjesën më të madhe edhe ai bisedonte për të njëjtët emra me anglezin e pak ditëve më parë. Si të qenë marrë vesh në mes vete. Ai m’i nxori mbi tryezën e redaksisë, ku e bënim bisedën të gjithë emrat, duke e shtuar B. Shalën. E shikoja dhe nuk u besoja veshëve. Ky gazetar i “Zërit” javor ishte shquar në shkrimet  për rehabilitimin e komunistëve jugosllavë e Jugosllavisë që po vdiste atë kohë. Shquhej edhe për shkrime të pa dinjitetshme kundër Rugovës, sepse vlerësonte ashtu si klani pro jugosllavë se Rugova po nxiste luftë me shpalljen e shkëputjes së Kosovës nga Jugosllavia. 

“Po ç’u duhen këta emra të konsumuar!”, ia prita paksa i befasuar. “Nuk janë të gjithë të konsumuar”, ma ktheu, “disa ende nuk ia kanë filluar karrierës politike. “Por ata e kanë gjuhën e njëjtë, pavarësisht moshës, ata duan të bëjnë karrierë mbi pikët e baballarëve të tyre, e jo për ndonjë meritë tjetër”.

Kur i përmendi emrat e dy gazetarëve, B. Shala e B. Haxhiu, njërit nëse nuk gabohem i kishin dhënë shuma të mëdha për botimin e gazetës, kurse tjetrin e kishin shpallur gazetar të guximshëm, iu përgjigja duke frenuar zemërimin: z. Mejer, ju çmoj shumë për analizat që i keni bërë për Ballkanin e për shqiptarët, mirëpo nuk më duket  në rregull, kur i shpërbleni njerëzit për guxim, ndërsa ia kanë mbathur si mijëra të tjerë, madje duke kërkuar privilegje nga policët serbë, në kohën dramatike për të kaluar kufirin e Maqedonisë, para grave e fëmijëve të dërmuar. Guxim gazetari është ky? E kuptoj se përmes tyre doni t’ua faturoni çmimin e guximit gazetarëve shqiptarë, duke e shpërblyer emrin konkret, sepse gazetarët shqiptarë vërtet vuajtën shumë, rrezikuan, madje u vranë në krye të detyrës , por pse i zgjedhin njerëzit e gabuar?  Ata nuk kanë bërë asgjë për gazetari a për informim, nuk janë shquar me asnjë guxim. Personalisht mendoj se janë gazetarë të dobët. Haxhiut po nuk ia redaktuan shkrimet, nuk mund të botohet, është gjysmë analfabet.

Shala i “Zërit të Rinisë”, në bashkëpunim me një anëtar të kryesisë së LDK-së, përpiqej t’i kurdiste afera të parit të Kosovës. E lëmë anash faktin se ata karrierën profesionale e ndërtuan duke e sharë Rugovën, besoj se e shajnë edhe tash, kërkonin mirëkuptim nga Serbia dhe bëheshin ndërmjetës në mes të shërbimit të fshehtë serb e shqiptarëve. Lidhjet e B. Haxhiut me spiunet serb të terrenit ishin të njohura.

 Ndërkaq, ato ditë të tmerrshme, kur asociacioni që e shpërbleu pa meritë gazetarin që ia mbathi si të tjerët, në redaksinë e “Rilindjes” gazetarët e guximshëm na dërgonin lajme të dorës së parë nga Prishtina, megjithëse e dinin se po i kapen do t'i pushkatonin pa gjyq.  Nga çatitë i shikonin shpërthimet e bombardimeve. Ata qenë dëshmitarë të dëbimeve, të vrasjeve, gazetarë të guximshëm që gjatë ditës dilnin në qytet të kamufluar, e regjistronin situatën e na raportonin, ndërsa unë tmerrohesha për sigurinë e tyre. Ata gazetarë të guximshëm më pëshpëritnin në telefon sa mezi i dëgjoja, sepse rrezikonin t’i kapnin në veprim, ndërsa e dinin fare mirë se po u zunë do t’i ekzekutonin.

Më ka raportuar gazetari i “Rilindjes” , Behlul Jashari,  i cili vetëm disa hapa më tutje i kalonin paramilitarët, derisa ai qëndronte para hotel “Grandit”, në qendër të Prishtinës. Ua kam botuar raportet, pa ua përmendur emrat, sepse e dija se do të pësonin. Ndërkaq, marrin çmime ata që janë kapardisur nga një kafene në tjetrën nga Shkupi në Bon.  

Më shikonte i hutuar. “Nuk e kemi ditur këtë gjë”, ma ktheu i deshpëruar. Ndërsa unë u ndjeva ngushtë, me patetikën time të të folurit, në përpjekje për t’ia plotësuar informacionin e munguar. 

As Mejeri nuk e fshehu se planet për Ballkanin nuk shkonin më larg sesa një vazhdimësi e Jugosllavisë, por me autonomi të avancuar. Pra, B. Shala. e B.Haxhiu u duheshin për këtë fatkeqësi të shqiptarëve.  Desha t’i them për hir të Zotit, mos ma thoni edhe ju këtë gjë, sepse shqiptarët do të zhgënjeheshin shumë.

Jugosllavia ka vdekur,  i thashë prapë me patetikë, më dëshpëroni kur e përmendni këtë shtet dhe shqiptarët e Kosovës me ta.

Avni Bulliqi, i cili i përgatiste materialet për gazetë, ndërhynte kohë pas kohe, nga pulti i tij, kurse Zekë Gecaj, gazetar i “Rilindjes” që kishte ardhur refugjat ma plotësonte mendimin. Kryekëput ishim bashkëmendimtarë.

Prapë dolëm te emrat e fillimit. Ia përsërita që kot llogarisnin në këta emra, kot që keni investuar në ta, sigurisht të mashtruar nga ndonjë burim i dyshimtë që nuk do që t’i njohë rrethanat, ose që përpiqet të ringjallë Jugosllavinë.

Mirë është t’i ktheheni prapë Rugovës, sepse ai është garanci e shqiptarëve dhe ai përfaqëson shumicën e kombit.

Më duket që shkoi me mëdyshje ...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat