Klishetë e vjetra të degës së PDK-së në Prishtinë

Opinione

Klishetë e vjetra të degës së PDK-së në Prishtinë

Nga: Ismet Rashiti Më: 19 gusht 2017 Në ora: 21:30
Ismet Rashiti

Këto ditë kemi parë të gjithë se Dega e PDK-së në Prishtinë ka filluar fushatën e parakohëshme zgjedhore përmes konferencave të tjekaluara për shtyp. Sado që këta njerëz të papjekur politikisht kanë për qëllim t’a paraqesin një anë të errët ndaj  Kryetarit të Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, në fakt janë duke rritur autoritetin e tij me mënyrën e paraqitjes vend e pavend. Çdo njeri, e aq më tepër çdo prishtinas do t’ua bënte një pyetje këtyre PDK-istëve të papjekur, së cilës vështirë e kanë ti përgjigjen : Po ju si opozitë ku keni qenë qe katër vite, pse kini heshtur kaq gjatë. A mos edhe ju jini bashkëfajtor që deri tani kini lejuar « shkelje » të tilla ? Jam i sigurt se një opozitë konstruktive dhe e ndërgjegjëshme, nuk do të ketë përgjigje !     

Në radhë të parë Dega e PDK-së në Prishtinë, po sillet si një kopje e paraqitjes fillestare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në radhë të dytë në asnjë rast nuk ka paraqitur fakte konkrete për shkeljet e mundëshme ligjore të Shpend Ahmetit. Ajo që është më e rëndësishmja, Dega e PDK-së në Prishtinë ende po vepron me klishe të vjetra, tepër bajate e monotone që tash e sa vite bëhen në prag të fushatave elektorale. Në raste të tilla edhe nëse ka diçka të vërtetë, opinioni nuk i merrë si fakte serioze. Përkundrazi sjelljet e tilla krejtësisht të papjekura politike, mund t’i kthehen si bumerang Partisë Demokratike të Kosovës. Këto sjellje demode tregojnë më së miri se reformat e përfolura aq shumë në PDK, më tepër është një klishe e ripërsëritur  prej vitesh se sa diçka reale dhe përmbajtësore që në të vërtetë ka ndodhur.

Sterotipet e konferencave për shtyp, mënyra e të « akuzuarit » dhe « paraqitjes së fakteve «  për gjoja keqpërdorime, përpos një dëshire për pushtet, nuk përbëjnë asnjë efekt tjetër, ose më mirë me thënë po i shërbejnë shumë rritjes së autoritetit të kryetarit aktual, Shpend Ahmeti, i cili falë veprimeve të fotokopjuara dhe të papjekura të PDK-istëve prishtinas, po ndihet krenar për punët që ka bëra gjatë këti mandati. Konferencat e tilla për shtyp dhe sjelljet e një grupi të rinjësh të PDK-së me parulla e pengesa tjera gjatë inagurimeve, tashmë konsiderohen si sjellje të papjekura, tendencioze, ndaj edhe nuk kanë asnjë efekt pozitiv politik. Veprimet  e vjetra bëhen edhe më nevrikosëse kur ripërsëriten disa herë nëpër mjetet tona të informimit. Shtypi dhe televizioni sa mendohet që bënë efekt pozitiv propagandistik, poaq, bile më shumë mund të bëjnë efekt negativ nëse ato keqpërdorën vend e pavend dhe për interesa personale e partiake. Aq më shumë kur tash në Kosovë ekziston një vetëdije shumë e pjekur politike qytetare.

Në situata të tilla më të dobishme janë përgaditjet serioze për zgjedhjet që po vinë, paraqitja e programeve zhvillimore dhe kandidimi për kryetar i këtyre zhurmagjinjëve se sa një mënyrë e tillë e sjelljes.  

Reformat e mirëfillta në një parti politike duken vetëm atëherë kur bëhen veprime konstruktive si parti shtetformuese dhe në asnjë rast duke u sjellur me logjikën e rrënimit dhe destruktivitetit përmes  klishe të vjetra dhe qesharake para opinionit. 

E tërë kjo nervozë e Degës së PDK-së më tepër tregon përgjumjen katërvjeçare të saj dhe se që tani ka filluar ta përgaditë elektoratin e saj për humbjen e sigurt në zgjedhjet që po trokasin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat