Sos për krijimin e institucioneve të Kosovës !

Opinione

Sos për krijimin e institucioneve të Kosovës !

Nga: Dr. Islam Lauka Më: 22 gusht 2017 Në ora: 07:11
Islam Lauka

SOS është sinjali standard i emergjencës, sipas kodit të Morsit. Përdoret, sidomos, gjatë komunikimit për t’u ardhur në ndihmë anijeve që rrezikohen të mbyten. Për fat të keq, në një situatë të tillë emergjence, është sot edhe Kosova. 

Kemi hyrë në muajin e tretë që nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit dhe ajo vazhdon të jetë e gojueme në ngërç politik, pa qeveri dhe pa parlament. Klasa politike kosovare po shpërdoron në mënyrë të papërgjegjshme dhe të pafalshme besimin dhe durimin e popullit të vet, duke krijuar kosto politike, ekonomike dhe financiare për vendin dhe të ardhmen e tij euro-atlantike.

Në shtator, pritet votimi i dytë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, por në qoftë se nuk miratohen edhe dy ligjet e fundit që kanë mbetur, rrezikojmë seriozisht që edhe këtë radhë të dështojmë, ashtu siç dështuam para dy vjetësh. Por si mund të miratohen ligjet, kur nuk kemi parlament?

Në mungesë të institucioineve, nuk mund të bëhet as rishikimi i buxhetit të vitit 2017, që do të thotë, nuk mund të fillojë zbatimi i disa projekteve të reja, ndërkohë që rrezikohet ndërprerja e disa të tjerave, që aktualisht, janë në proces.

Pasojat negative në fushën ekonomike-financiare mund të ndjehen edhe në vitin e ardhshëm. Pa folur për boshëllëqet e mëdha që krijohen në çështjen e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këto ditë, një mik i imi që njihet si “Daja”, më kujtoi disa vargje të kohëve të kaluara që më ndonjë ndryshim të vogël, i shkojnë shumë për shtat situatës së sotme:

“Moj Kosovë, moj zojë e randë, 
Krejt partitë po t’thrrasin nanë’,
Tana duen n’krye me kanë, 
Krejt s’po i nxan e nja s’po e lanë!”

Ndërkohë, sinjali SOS po bie fort e më fort. Partitë politike duhet, më së fundi, të heqin dorë nga interesat e tyre të ngushta partiake e klanore dhe t’iu hapin rrugë krijimit të qeverisë dhe parlamentit. Java e ardhshme duhet të konceptohet prej tyre si vija e kuqe që kurrsesi nuk bën të shkelet. 
SOS!
____________
• Dr. Islam LAUKA, ish ambasador i parë i Shqipërisë në Kosovë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat