Euforia e kthimit dhe jeta kaotike në Kosovë

Opinione

Euforia e kthimit dhe jeta kaotike në Kosovë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 22 gusht 2017 Në ora: 08:53
Gani Mehmetaj

Euforia e kthimit na rrëmbeu të gjithëve. Secili donte të kapte në ajër një copë të atdheut të çliruar, secili donte ta shijonte rrugën e shtëpinë pa britmat e policisë. E themeluam gazetën e re, “Dardania press”, me Avni Bulliqin e vëllain tim, Aliun. Në katin e dytë të Pallatit të Shtypit, na i dha zyrat OSBE-ja, një organizatë, pjesë e qeverisjes ndërkombëtare. Derisa ende e nxirrnim gazetën “Rilindja” në Perëndim,vinin njerëzit në redaksinë e Cyrihut, interesoheshin për atdheun dhe më tregonin të entuziazmuar se si do të ktheheshin me avionin e parë, shumica prej tyre jetonin me leje qëndrimi a me leje pune në Zvicër. Por donin t’i braktisnin të gjitha. Përpiqesha t’i këndellja, megjithëse nuk e dija a kam të drejtë apo jo, duke u treguar se nuk duhej të nxitonin, as t’i braktisnin të gjitha që i bënë për dhjetë a njëzet vjet të jetës në emigracion. I këshilloja se duhej një herë të shihnin mundësitë, vështirë të gjeje punë në atdhe, paraqiteshin vështirësi në biznese, do të vuanin derisa të stabilizoheshe në këtë rrëmujë etj. Shumica e njerëzve kur ktheheshin s’kishin ku e fusnin kokën, meqë shtëpitë ua dogjën piromanët serbë, biznesin e paktë ua rrënuan, pasurinë ua morën me vete policët e paramilitarët e Serbisë.

Është mirë një herë të shkoni, ta vizitoni vendlindjen e pastaj të vendosni përfundimisht, i këshilloja. Shumë nga ta bënin në këtë mënyrë, të tjerët ia mësynin pa e menduar më gjatë. Këtu krijoheshin pastaj probleme, sepse fëmijët e lindur në Zvicër ngurronin, ose nuk pranonin të ktheheshin. Ndonjëherë kur ua këshilloja ndonjë procedurë, më shihnin me habi, mbase edhe me dyshim, sa s’më thoshin: Je ti patriot, apo jo?

Shumë prej tyre më bëhej se nuk më dëgjonin, e kthenin kokën dhe niseshin ende pa e marrë veten. Pati edhe drama në familje. Më duket se të gjithë donin ta shihnin atdheun e tyre pa këmbën e okupatorit, sepse ata në pjesën më të madhe ikën nga mizoritë e  okupatorit ose nga arroganca e tij primitive.

Refugjatët e Bllacës e të kampeve të tjera, të cilët i morën në Gjermani, ishin ata që nuk pritën fare, u nisën me aeroplanët e parë, pa e përfillur këshillën e zyrtarëve të kampeve se i prisnin rreziqe nga më të ndryshmet: shtëpitë e minuara, terreni i rrezikshëm, mungesat e shumta, rrëmuja etj. Disa miq më thërrisnin me telefon nga vendet ku i sistemuan, nga Gjermania deri në Suedi. Më pyesnin për mundësitë e kthimit, ose më lajmëronin se tashmë janë duke u bërë gati të niseshin. Virusi i kthimit i infektoi, askush s’donte të rrinte më.          

U ktheva edhe unë në Prishtinë i entuziazmuar gati në delir, megjithëse e dija se si është gjendja, më kishin treguar për policinë e fshehtë me një uniformë të zezë me kompetenca të pakufishme, e cila të ndalte në rrugë, ta merrte veturën, sepse sikurse thoshin, u duhej atyre dhe të linin me gishta në gojë. Shtypi perëndimor shkruante ato ditë për komandantët që u binin trup e tërthor qyteteve të mëdha e të vogla të Kosovës, rrëmbenin prona, apartamente, kamionë e ekskavatorë nëpër oborret e fabrikave, punëtorive e shtëpive të braktisura. Dikush i vriste njerëzit ditë me diell, pa shenjë e pa nishan, megjithëse serbët ia mbathën para trupave të NATO-s. Shqiptarët e këqij  po i vazhdonin vrasjet, që nuk arritën t’i bënin policia e ushtria serbe.   

Është vështirë ta përshkruaj se si dukej Prishtina. Qyteti me plot gjallëri e në ethe. Njerëzit endeshin poshtë e lartë pa busull e pa përcaktim. Pasojat e luftës hetoheshin gjithandej.  Natën e ditën dëgjohej zhurma e agregateve që prodhonin korrent, meqë termocentrali në periferi të kryeqytetit pësonte avari njërën pas tjetrës. Në shtëpinë time nuk mund të shkoja më, ditën që u tërhoqën forcat ushtarake me serbët lokalë, e dogjën tërë lagjen. Morëm shtëpi me qira.

Miqtë e vjetër që i takova se si më dukeshin, aspak të entuziazmuar, aspak optimistë, të shushatur, shumë prej tyre të frikësuar. Fytyrat e reja që erdhën me bollëk nëpër qytete, nuk silleshin miqësisht. Kohë rrfijesh si më 1945, më thanë disa. Ndërkohë e botonim gazetën e përditshme “Dardania press”, të cilën e përgatisnim një herë në Cyrih, duke e dërguar të gatshme, pastaj nisëm t’ia dërgonim materialet redaksisë në Prishtinë, ose nga materialet që përgatisnin ata, bëmë gazetë të përditshme, të cilën e nisnim nga Shkupi, ku e botonim, për ta vazhduar në shtypshkronjën e “Rilindjes”. 

E konsoliduam brenda mundësive redaksinë në Pallatin e Shtypit në  katin e dytë me një ekip, kryesisht gazetarë të rinj. Në Pallatin e Shtypit vepronin shumë gazeta e disa radio e televizione private. Botohej edhe gazeta “Rilindja” me B.Luzhën, kryeredaktor i dhunshëm. Gazeta ndryshoi kurs, i ngjasonte “Zërit të Popullit” në kohën e Enver Hoxhës. Shumica e gazetarëve me emër e me përvojë ikën, ose i kthyen mbrapsht, kur u paraqitën në punë, sepse kriteret ndryshuan ndjeshëm. Grushti i partisë ndihej qartë. Skena politike qe e zymtë e dekurajuese, kushtet për ushtrimin e profesionit të gazetarit u bënë të vështira, grupet ilegale të kërcënonin natën e ditën.          

Dimri i parë qe dimri më i ashpër që e mbaj në mend. Ngrohje nuk kishte në redaksi, nuk i ngrohnin as kafenetë , ku shpesh shkonim sa për t’u ngrohur me një gotë çaj, apo pranë furnelës elektrike. Korrenti ndërpritej shpesh për kohë të gjatë, agregatet e improvizuar buçitnin nëpër tërë qytetin. Qyteti në errësirë të detyruar, dukej i mistershëm, i frikshëm e i ftohtë. Nuk i ngjante qytetit të rinisë sime. Edhe në këto kushte secili pjesëtar i redaksisë përpiqej të bënte punën e vet sa më mirë e me ndërgjegje. Pati vullnet që rrallë e ndesh nëpër ambiente pune.  

Në redaksi vinin lloj-lloj  njerëzish, të frustruar apo të nxitur, që bënin skena të ndryshme, kërcënonin, paralajmëronin, përpiqeshin të imponoheshin. Sidomos thirrjet telefonike nuk ishin të rralla. Kursi ynë ndryshonte nga kursi i atyre që rrinin me shkop në dorë apo që kërcënonin. Kur e përfundonim gazetën nga ora dy pas mesnatës, duhej të përcillnim stafin e gazetës nëpër shtëpi. Dhe në fund  mbeteshim  unë e vëllai, gjithnjë duke pritur a do të ndizej drita në dhomën e fjetjes, vetëm atëherë e ndieja veten të sigurt e vazhdoja tutje.    

Sikur nuk mjaftonte kjo atmosferë e nderë terrori, na mungonin paratë për të vazhduar shtypjen e gazetave, sepse në atë kohë nuk pati reklama, ndërsa organizatat ndërkombëtare ishin përcaktuar për një lloj gazetarie që nisi të krijonte baraspeshë në mes krimeve serbe e krimeve shqiptare. Nuk isha as për gazetarinë e sterilizuar që do t’u shmangej termave “luftë”, “gjenocid”, “okupator”, ndërsa kërkohej të zëvendësoheshin me “konflikt i armatosur” ( në fakt në këtë konflikt të armatosur serbët kishin ushtri e polici, tanke e aeroplanë, shqiptarët mbanin valixhe dore që t’ia mbathnin kah sytë këmbët), apo sundues, që të zbutej fjala “okupator”. 

Gazetën e nxirrnim me vështirësi materiale, pos kërcënimeve që na u bënë përditshmëri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat