Tallje me qytetarë

Opinione

Tallje me qytetarë

Nga: Ardian Haziri Më: 26 gusht 2017 Në ora: 12:02
Ardian Haziri

Është bërë rutinë dështimi i seancave konstituive në Kuvendin e Republikës së Kosovës, siç është rutinë tallja e klasës politike me qytetarët e vendit. Koalicioni PAN, si grupi më i madh parlamentar i dalur nga Zgjedhjet Parlamentare të 11 qershorit, ka të drejtën kushtetuese për Kryetar të Kuvendit por që duhet ta jetësojë dhe jo të formulojë arsyetime të paarsyeshme dhe aspak serioze karshi qytetarëve të vendit, të cilët më së shumti po e pësojnë. 

Ky koalicion nuk është dashur ta mashtrojë opinionin e gjerë, duke thënë vazhdimisht se shumë shpejtë do t'i themelojmë institucionet. Nga mbledhja konsultive mes subjekteve politike, përfaqësuesi i koalicionit PAN, z.Enver Hoxhaj ishte vet ai që kërkoi, që Seanca Konstituive të mbahet me 24 gusht, ku tha se do të jenë të pranishëm në kuvend për ta ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe prapë po i njëjti, doli në foltoren e kuvendit duke u tallur dhe duke thënë se kandidatin e kemi por jo edhe numrat, dhe se na duhen edhe disa ditë kohë.

Vërtetë kjo është tallje me qytetarët, të cilët janë ngopur nga lojërat dhe interesat e ngushta të individëve të caktuar. Duhet urgjentisht të ndërmerren masa dhe të mos ketë bllokada dhe kërkim të kohës se gjoja për disa ditë do të vijmë me një zgjidhje dhe do t’i formojmë institucionet e vendit.

Por siç po shihet situata, zgjidhje nuk do të ketë pa patur zgjedhje. Pasi që shumë e vështirë të ndërtohen raporte bashkëpunimi mes LVV dhe LAA. Vendi po shkon drejtë zgjedhjeve të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat