Tahir Zemaj-fundi tragjik i një ushtaraku

Opinione

Tahir Zemaj-fundi tragjik i një ushtaraku

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 1 shtator 2017 Në ora: 07:53
Tahir Zemaj

Derisa punoja në gazetën “Bota sot”, në orarin e pasdites, shpesh na vinin lajme për vrasje. Nuk qe fjala për kronikë të zezë, as vrasje mafioze, sepse lufta brenda llojit po bëhej gjithnjë e më e egër, por ishin vrasjet e aktivistëve apo zyrtarëve të LDK-së që shpeshtoheshin.

Të gjitha bëheshin në të njëjtën mënyrë, në një pritë-kthese, apo në një hyrje pallati, ku ndriçimi mungonte, ose poqi thyhej posa vihej. Në errësirën e korridoreve, dikush, apo disa veta, rrinin në pritë, kur afrohej viktima shkrepnin disa plumba, me revole me zhurmues dhe ia mbathin. Asnjëri prej tyre nuk u zu. 

Ato ditë mbretëronte qetësi e frikshme. Ishim me Avdi Gashin, lektorin kujdestar, dhe me ekipin e faqosjes. Më duket qe e diel. Rexhep Ukelli, lektori tjetër, e kishte pushim atë ditë. Asnjëherë nuk patëm më pak lajme sesa atë pasdite. Nuk lëvizte asgjë, s’kishte asnjë manifestim, përkujtim a rivarrim, temat i shpenzuam një ditë më parë. Për sherr i thashë Avdiut: “Jam në hall, si ta mbyll gazetën, nuk di me se ta nis faqen e parë!” 

“Nuk u dihet shqiptarëve, kërcet diçka!”, ma priti ai, por vetëm duke folur me hamendje. 

Nuk vonoi shumë kur po A. Gashi më thotë i shqetësuar: Një mik nga Peja posa më lajmëroi me telefon se e vranë Tahir Zemajn. E pashë me vëmendje, e dija se e ka me gjithë mend. Mora telefonin dhe i thirra gazetarët Nazmi Lukajn e Skënder Mulliqin. Ma thanë edhe ata se sipas të gjitha gjasave e vranë Tahir Zemajn, ushtarak, njëri ndër oficerët e lartë të FARK-ut. 

Zemaj e udhëhoqi me sukses luftën e Loxhës, njërën ndër betejat më të suksesshme gjatë kësaj lufte të shkurtër. Së bashku me të, dyshohej se e vranë të birin e një kushëri. 

Sado që thosha mbase është lajm i rrejshëm, isha fort i sigurt se nuk qe i tillë, sepse fatkeqësisht asnjëra nga lajmet që na vinin herën e parë si mundësi e fatkeqësisë, nuk ndryshonte fati i atyre që përmendeshin për viktima të mundshme. 

Kështu ndodhi edhe me Tahir Zemajn. Sipas informatave të para thuhej se u vra Tahir Zemaj me të birin Enisin e kushëririn Hasanin, në të dalë të qytetit të Pejës, në muzgun e parë, derisa po qarkullonte nga Peja në Prishtinë. Na erdhën fotografitë e para nga vendi i ngjarjes, ku shihej një xhip i përmbysur, një derë e hapur në gjysmë, xhamat e bërë copë-copë nga breshëria e plumbave, dhe shumë makina policie skaj rruge. Më duket ishte kohë me llohë.

Rrallë ndonjëherë e kam ndier veten më të zbrazët. Nuk e kuptoja arsyen e vrasjes dhe as shkakun e kësaj mizorie. Kolonelin Zemaj tentuan ta vrisnin dy herë më parë, mirëpo shpëtoi, madje thoshin se herën e dytë i ndoqi vrasësit rrugës përtej binarëve të trenit si në filmat kriminalistikë. Herën e tretë nuk shpëtoi dot, i dolën në pusi afër Fabrikës së Baterive industriale, ia shkrepën një lumë plumbash, duke ia mbathur në terrin e natës pa i identifikuar askush. 

Disa thonë se pati njerëz që donin të dëshmonin, mbase panë a identifikuan diçka, por policët u thoshin “ikni në punën tuaj, mos u ngatërroni në gjërat që nuk ju takojnë”. Sa ishte e vërtetë kjo gjë, vështirë të thuhej, por një raport të formuluar në këtë mënyrë e patëm në redaksi. 

Tahir Zemajn e kisha dëgjuar në telefon gjatë luftës në Dukagjin. Një ose dy herë më pati dhënë informata për zhvillimin e betejave, ndërsa unë e thërrisja nga Cyrihu në një telefon satelitor të regjistruar në Danimarkë. I pata disa numra që m’i dhanë oficerët e ndërlidhjes, në mënyrë që të komunikoja me ta. 

E dhamë lajm qendror vrasjen e tij, botuam edhe reagime të tjera. 

Tahir Zemajn e takova për herë të parë në Gjakovë e në Deçan gjatë fushatës së zgjedhjeve. Dukej gazmor dhe i drejtpërdrejtë. Më duket bëmë një set fotografish. Rugova e emëroi këshilltar për siguri. 

Vrasjet po shpeshtoheshin, kryesisht ishin njerëzit e Rugovës ose të LDK-së që vriteshin tinëzisht pa e kapur asnjërin. Ishte një konspiracion kundër kësaj partie e njerëzve të Rugovës, ishte një grup goditës që e pastronte terrenin për pushtetarët e rinj, apo ishte një fushatë e hapur që vetëm sa nuk bënte “beee” për të treguar se në Kosovën e pasluftës vetëm qetësi e zgjedhje të rregullta nuk do të ketë. Nuk do të ketë as qetësi e jetë të lumtur.

Sa shumë e pritëm këtë ditë dhe sa dëshpëruese na doli, flisnin shumë njerëz. 

Rugovës nuk i mbeti gjë tjetër, pos të numëronte të vrarët si në fushëbetejë, t’i mallkonte vrasësit dhe t’i përgjëronte forcat ndërkombëtare të sigurisë që t’i gjenin vrasësit, por edhe t’i ruanin të tjerët. Por policia ndërkombëtare nuk i gjente vrasësit apo grupet e vrasësve, më përjashtim të një gjykimi për rastin e Shaban Manajt, një zyrtar tjetër i lartë i

LDK-së, kryetar i Degës së LDK-së në Istog. 

Në këtë mënyrë qe vrarë edhe Smajl Hajdaraj, deputeti i Kuvendit të Kosovës. As vrasësit e tij nuk u gjetën. Është interesante se për të gjitha ose për shumicën e vrasjeve dinin të gjithë e asnjëri. Secili i binte një teli, secili të fliste me kompetencë, por asnjëri nuk shkonte më tutje sesa supozimi në mënyrë të sigurt. 

Po t’i thërriste policia asnjëri nuk do të dëshmonte. Ishte provuar kjo gjë. 

Ndërkohë u bë një listë e emrave që u vranë kryesisht në pritë, në shkallë apartamentesh, në terrin e natës, a në muzgun e parë, në një rrugicë qyteti, në rrugë të hapur apo në prita të organizuara me shumë vrasës. Janë këta: Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Xhemail Mustafa, Tahir Zemaj, Sebahate Tolaj, Ekrem Rexha - komandant “Drini”, Ismet Rraci, Shaban Manaj, Ukë Bytyqi, Haki Ymeri etj. Kjo është vetëm një pjesë e një liste më të gjatë. 

Ëndrra e madhe po përgjakej. Shteti në formim po deformohej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat