Korrupcioni si sëmundje kanceroze në Universitetin Shtetëror të Tetovës

Opinione

Korrupcioni si sëmundje kanceroze në Universitetin Shtetëror të Tetovës

Nga: Nehat Hyseni Më: 15 shtator 2017 Në ora: 09:33
Nehat Hyseni

Studentët shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dmth të Kosovës Lindore, apo Luginës së Preshevës, gjenden në vështirësi të jashtëzakonëshme,  meqe dhe pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, kjo pjesë e Shqiptarisë, mbeti nën Serbi.

Kështu, fokusi i urrejtjes antishqiptare të Serbisë u përqëndrua mbi këtë pjesë të gjeografisë kombëtare, duke i shndërruar ata në komunitetin më të diskriminuar në Europë.

Diskriminimi sistematik i shqiptarve nga shteti serb ka për qëllim spastrimin etnik të trojeve shqiptare dhe detyrimi me metoda të paskrupullta dhe presione që të detyrohen shqiptarët që të shpërngulen nga pronat dhe trojet e tyre stërgjyshore, është bërë një realitet i hidhur dhe gjitnjë e më tepër po shndërrohet në plagë të rëndë në trungun tonë kombëtar.

Sistematikisht, institucionet serbe kujdesen që t'ua vështirësojnë maksimalisht jetën dhe t'ua vrasin shpresën dhe perspektivën për një jetë më të mirë. 

Prandaj, efektet e politikës antishqiptare e gjenocidale të Serbisë, sidomos ndaj arsimit shqip në Luginë të Preshevës, kanë shkaktuar pasoja katastrofale, duke u pamundësuar nxënësve shqiptarë që të pajisen me tekste dhe mjete përkatëse mësimore për arsimin fillor dhe atë të mesëm. 

Kurse, arsimi universitar në gjuhën shqipe, përveç hapjes së disa fakulteteve mikste, realisht është inekzistent. 

Studentët shqiptarë nga Lugina e Preshevës detyrohen që t'ia mësyejnë universiteteve shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe gjatë dekadës së fundit, edhe në Maqedoni.

Sidomos është atraktiv Universiteti Shtetëror i Tetovës, meqë çmimet e regjistrimit dhe kostoja e studimeve në këtë Universitet është shumëfish më e ulët se në Universitetin e "Shtulit". 

Prandaj, studentët nga Lugina, që kanë mundësi modeste ekonomike, vlerësojnë këtë mundësi që u jepet atyre për studime me kushte më të volitshme materiale.

Por, duhet theksuar se në USH të Tetovës, këta studentë ballafaqohen me kushte jo aq të mira të studimit, për shkak të hapsirës joadekuate dhe të pamjaftueshme dhe të papërshtatëshme për aplikim të metodave dhe praktikave më të avancuara bashkëkohore të mësimdhënies dhe të mësimnxënies, si dhe studimeve të avancuara shkencore.

Pastaj, kuadri mësimor në USHT, përveç disa përjashtimeve respektive, mjerisht, në masë të konsiderueshme, thënë më së buti, len shumë për të dëshiruar. 

Sepse, sa duket, ky Universitet ka rënë thellë në kthetrat e politikës dhe është degraduar në instrument dhe vegël të partive politike. 

Ky ndikim negativ i partive politike ka rrënuar radikalisht autonominë e domosdoshme të universitet, që është tejet i domosdoshëm për një institucion kaq të rëndësishëm të arsimit të lartë. 

Pavarësia e funksionimit të suksesshëm për një universitet është e domodoshme sikur oksigjeni që është i domosdoshëm për jetën e një organizmi të gjallë.

Varshmëria e madhe nga politika e USHT ka krijuar kuadro dhe mësimdhënës jocilësor, me profesorë me tituj të dyshimtë shkencorë, por me besueshmëri politike e partiake.

Mjerisht, kuadri mësimdhënës në USHT është kryesisht kuadër militant partiak dhe pa aftësi e përgatitje adekuate shkencore e profesionale që kërkohet për këtë mision të shenjtë.

Përveç kuadrit mësimor me përgatitje e aftësi të munguara dhe të dyshimta, që kanë pasoja të tmerrëshme në aftësitë e tyre dhe në cilësinë e ligjërimit, me keqardhje mund të themi se, përveç disa profesorëve të nderuar, që nuk janë të paktë dhe paraqesin shtyllën e suksesit dhe gëzojnë autoritet të pakontestueshëm, me shumë keqardhje duhet të theksojmë se, gjithashtu ka edhepse shumë raste të korrupcionit të profesorëve. 

Madje, kjo dukuri kriminale, që është denueshme me ligj, ka marrë përmasa të një epidemie të vërtetë, që e rrezikon dhe e komprometon për vdekje këtë tempull të dijes. 

Meqë kuadri mësimdhënës, me ndikimet kriminale të politikës ka krijuar një rrjet mafioz të profesorëve, të cilët paraqesin një ekip të pamposhtur, kjo dukuri e shëmtuar paraqet plagë të madhe dhe sëmundje kanceroze që rrezikon jo vetëm funksionimin e shëndetshëm të tij, por edhe vet jetën dhe ekzistencën e këtij Universiteti.

Duke qenë se edhe familjarizmi, apo nepotizmi është dukuri e pranishme në përmasa brengosëse, psh. bashkëshortja (gruaja) është profesoreshë e burri udhëheqës dhe përgjegjës i lartë i këtij universiteti, si dhe lidhjet e pafund familjare e partiake-politike midis kuadrit mësimor.

Prandaj, zënia "corpus delicti", apo thënë popullorçe: "me pelë për dore", me fotografimin e aktut të dhënies së parave, si mito për kalimin e provimit nga një student i Fakultetit të Mjekësisë të USHT, para pak kohe, që u denoncua në gjykatë, përfundoi me dështim. 

Sepse, i tërë stafi i këtij Universiteti u vu në shërbim të mbrojtjes së këtij profesori të korruptuar dhe të kësaj vepre të shëmtuar e kriminale.

Për hirë të së vërtetës, duhet theksuar se pas këtij procesi gjyqësor, meqë kjo dukuri nuk u ndëshkua, metodat e korrupcionit në USHT u "avancuan", nga kërkimi i parave haptas: "ke mësuar, por për të kaluar provimin duhen 200 deri në 1000 euro", që thuhej pa ngurrim dhe pothuajse haptas, pas rastit të përmendur, mito për kalimin e provimit jipet "me ndërmjetësues". 

Kështu, pastaj u "sofistikua" kjo vepër kriminale, meqë sfidoi mundësinë e dëshmisë dhe rrjedhimisht, edhe mundësinë e denoncimit.

Natyrisht se ka shumë raste të këtilla kriminale dhe konkrete, me emër dhe mbiemër, të kësaj sëmundje të tmerrëshme, që ka marrë përmasa të një epidemie vdekjeprurëse, ku profesorët shantazhojnë haptas studentët dhe paturpësisht kërkojnë mito. 

Një studente e shkëlqyer e viteve të fundit të studimit në Fakultetin  Mjekësisë në këtë Universitet, e tmerruar dhe me lotë në sy deklaron se një profesoreshë e ka shantazhuar paturpësisht, duke i kërkuar mito për ta kaluar provimin, përndryshe kërcnohet se do ia humb vitin. 

Meqë është e vendosur që të mos e "blej provimin", ajo seriozisht është duke menduar për t'u çregjistruar nga ky fakultet dhe për t'i përfunduar studimet gjetiu.

Çrrënjosja e kësaj dukurie të rrezikëshme, për shkak të komtaminimit nga partitë politike, pa vendosmërinë serioze të shoqërisë, realisht nuk ka gjasa të realizohet.

Ky shkrim ka për qëllim që ta senzibilizoj opinionin, e sidomos kuadrin mësimdhënës dhe stafin drejtues të USHT, por dhe të të gjitha universiteteve të tjera ku është e pranishme kjo dukuri kriminale e korrupcionit të profesorëve, për t'ia ndalur turrin dhe për ta çrrënjosur këtë dukuri kriminale, antishqiptare e antinjerëzore në arsimin superior. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat