Të jetosh në një barcoletë

Opinione

Të jetosh në një barcoletë

Nga: Fadil Lepaja Më: 20 shtator 2017 Në ora: 11:34
Fadil Lepaja

Nuk është lehtë të bëhesh analist. As të jetosh në një barsoletë. Më lehtë e ke të bëhesh doktor shkencash ose të jetosh në Ballkan. Fundja , çfarëdo dileme shkencore tashmë e gjen të trajtuar në “Google” dhe kush çfarë ka thënë lidhur me këtë, madje, ndërkohë që për një analizë të mirëfilltë nuk mjafton kjo, por duhet të jesh në rrjedha për zhvillimet në Olimp, duhesh të kesh pasur një gjyshe që të ka treguar përralla dhe duhet të besosh në diçka, për shembull në një politikan që di të ... politikan, de. Ndërkaq Olimpi (politik)  te ne funksionon si lagje në vete dhe ka emër krejt tjetër. Po e marrim një rast për analizë. Këtu shkenca nuk hyn në punë. Duhet tru, shumë tru.

Pra, një qytetar, po ecte rrugës plot sevda, serbes, si njeriu në vend të vet, të lirë dhe të pavarur. Papritmas, kishte rrëshqitur në lëvore të bananes dhe kishte ra mbi një thikë, e cila, pa asnjë arsye dhe kuptim, qysh ndodhë veç në Ballkan, po qëndronte në mes të asfaltit, me maje përpjetë. Edhe sot e kësaj dite mbeti enigmatike se si ndodhi krejt kjo. Ekspertiza e mjekësisë ligjore, edhe ajo e trajnuar nga ndërkombëtarët, sikurse edhe te gjitha protektoratet ndërkombëtare, konstatoi menjëherë se viktima kishte pasur gjashtë plagë në trup, të gjitha nga thika. Të gjitha plagët ishin të rrezikshme për jetë, por vetëm njëra kishte qenë fatale, pra ajo e fundit. Një e rënë, një thikë dhe gjashtë plagë ! Ec e merre vesh!

“ Çka nuk ta merr mendja, as në Kuran nuk shkruan”, i kishte dhënë karar hoxha i lagjes, si autoriteti i fundit, duke u përgjigjur në pyetjet e qytetarëve, të hutuar, të cilët pasi nuk kishin punë në vitet e para të pasluftës ushqeheshin me thashetheme dhe me ndihma. Në Bosnje, se atje  thuhet të ketë ndodhur rasti,  pas lufte, dhe pas rrënimit të socializmit fjalën e fundit e flet hoxha. Pa e mbyllë ai, nuk quhet e mbyllur as na mileti as nga shteti. Pra, hetimet vazhduan, madje mund të thuhet se sot e kësaj dite ende po vazhdojnë dhe kjo nuk është aspak për tu çuditur duke pasur parasysh faktin se kur bëhet fjalë për qytetarin asnjëherë nuk duhet hequr dorë derisa të zbardhet rasti.

Tash, po dëgjojmë se së fundmi, hetimet, pasi nuk dhanë kurrfarë rezultati, u zhvilluan në një drejtim tjetër. Në ndihmë thuhet se u ka shkuar edhe një ekip, shumë me përvojë, në këso raste, i mjekësisë ligjore nga Kosova dhe tash po e hetojnë pistën, se si dhe kush e ka hedhur bananen në rrugë, duke qenë se ka kaluar kaq kohë dhe nuk mund të konstatohet me siguri se e kujt ishte thika dhe si u gjend ajo aty, pikërisht në momentin kur po kalonte viktima. Po ashtu nuk ja vlen të diskutohet se si ndodhi që të bjerë njëherë dhe të ketë gjashtë plagë. Krejt kjo përvojë, mund të shërbej pastaj edhe në zbardhjen e rasteve të pasluftës në Kosovë.

Thuhet, se ekspertët i analizuan të gjitha dhe konstatuan se në Zvicër, për shembull, askush nuk do të debatonte për një temë të tillë, sepse atje nuk ka gjasa të gjendet në mes të rrugës një lëvore e bananes. As në Kosovë, sepse ne jemi një vend virtual. Pastaj, në asnjë përrallë apo legjendë tonën nuk figuron ndonjë hero me gjashtë plagë. Kishte me nëntë plagë, për shembull, në legjendën për Gjergj Elez Alinë, por me gjashtë jo. Numri gjashtë thjesht nuk është i përshtatshëm për heronjtë apo viktimat e portaleve tona.

Ku nuk bënë punë shkenca, apo ekspertët,  punë bëjnë analistët. Për dallim, nga hoxha boshnjak, te ne , analistët do të thoshin : “Çka nuk ta merr mendja , as në kushtetutë nuk shkruan”.

Te  ne, qysh e dimë të gjithë,  i vetmi libër i shenjët që nuk kontestohet nga askush, as nga vendorë as nga ndërkombëtarë është kushtetuta,  dhe i vetmi profet është Ahtisari a.s. Të tjerët janë në luftë njëri me tjetrin. 

Por, edhe për analistët tonë kemi një rast vendorë. Kështu, flitet se, vet  Presidenti i Kosovës, paska dalë këto ditë, nga facebook-u ku rri kryesisht, për të parë gjendjen në të cilën  jetojnë qytetarët. Ai qenka shqetësuar tepër, duke parë nivelin e çmimeve dhe gjendjen sociale të popullatës. Qajë ai, qajë këshilltarët.  Vetë Komandanti i Policisë së Kosovës, në uniformë, i shqetësuar skajshëm, e paska pyet Presidentin, se përse po qanë. Presidenti, i cili dy mandate më parë kishte qenë edhe kryeministër i vendit, dhe ishte shumë meritor për gjendjen, i tha se po qante për pensionistët, të cilët nuk e  lidhin dot muajin me muaj me pensionet e tyre. I kishte parë edhe në facebook, duke rrëmuar nëpër  kontejnerë, dhe kishte dalë të shoh edhe me sytë e vet, për të u siguruar se nuk ishte ndonjë fushatë e opozitës.

 Ende derisa po bisedonte me presidentin, një pensionist e zuri për mënge komandantin dhe e pyeti përse po qante presidenti?!  “Për shkakun tënd, o i poshtër, për shkakun tënd”, ja kthen komandanti, i prekur thellë,  dhe e kishte rrahur pensionistin me shkop gome...për hakmarrje!

Tash cili rast ju duket si anekdotë e cili si i mirëqenë? Edhe analisti më i humbur, në Kosovë, e kupton se të dyja rastet janë anekdota. Pra, të jesh një analist i suksesshëm duhet patjetër të arrish të dallosh se çka është realitet, e çka barsoletë. Duhet të e kuptosh se ku zhvillohet jeta e vërtetë: në tokë apo në rrjet. Sidomos duhet të kuptosh si të biesh gjashtë herë në thikë, vetëm me një të rrëzuar dhe të mbijetosh politikisht. Po mbijetove, ke gjasë të futesh në listën e kandidatëve të partive politike,  me shumë gjasa për tu bërë deputet. Ky rren pa e dridhur qerpikun, është i pjekur për parlament, do të thonë! Se edhe në parlament duhet të e bësh të besueshme legjendën më të pabesueshme dhe të bindësh njerëzit se horrori politik nuk po na ndodhë neve, por është veç virtual. Është armiku që  ka pushtuar rrjetet.

Një analist i mirëfilltë, për të mos gabuar rëndë,  e di se përgjigjja ndodhet në vet pyetjen e gazetarit. “Çfarë mendoni, e ka kapur krimi i organizuar shtetin, dhe a duhet të burgosen të  gjithë, ama të gjithë,  për të pasur kështu edhe ne liberalizimin e vizave” po më pyeste një ditë një gazetar, i cili është nga ata që shkruan shumë sertë. Pajtohem, i thash!

Të tjerat, ai, i kishte rregulluar vet, pastaj! Dukej deklaratë tamam. E sertë...!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat