Nikollaqi i erzave do të bëhet kryetar i Bashkisë së Himarës

Opinione

Nikollaqi i erzave do të bëhet kryetar i Bashkisë së Himarës

Arben Llalla Nga Arben Llalla Më 21 shtator 2017 Në ora: 13:00
Shpëtim Idrizi duke i dhënë dekoratën e mirënjohjes familjes Qirici në vitin 2015

I gjithë aktiviteti i kohëve të fundit të Nikollaq Neranxit rreth problemit të pronave të shqiptarëve në Himarë lidhet me prapavijën politike të tij për të kandiduar për kryetar i Bashkisë së Himarës, i lidhur nga koalicioni i mundshëm PD-PBDNJ. Kuptohet që matematikat e Neranxit për të fituar nuk dalin, sepse në Himarë PDIU ka vota të konsiderueshme dhe kështu Nikollaqi ka nisur sulmin kundër bërthamës së kësaj partie.

Në shkrimin e tij Neranxi botuar tek “Panorama” më 20 shtator, përpiqet që problemin e pronave dhe të prishjes së disa objekteve pa leje nga ana e qeverisë së Edi Ramës, ta zhvendosë tek problemi i Çështjes Çame, tek shqiptarët që janë me origjinë nga Çamëria.

Tek e fundit çfarë halli ka Neranxi me Çështjen Çame apo me çamët? Përse Neranxi me shkrimin e tij po nxit urrejtje të paqenë midis shqiptarëve të Himarës dhe shqiptarëve me rrënjë nga Çamëria?

Në letrën dhe lapsin e tij, Nikollaq Neranxi nuk merret me problemin e pronave të himariotëve, por më shumë ai është përqendruar tek problemi që shqiptarët nga Çamëria kanë me pronat e tyre në Greqi. Ai ngatërron pronat e shqiptarëve brenda shtetit të tyre me pronat e shqiptarëve jashtë kufinjve politikë duke bërë paralele të rreme. Nëse shqiptarët kanë shtetësi greke, kjo nuk do të thotë se kanë kombësi greke. Prandaj, Athinës nuk i takon të fusë hundën në punët e brendshme të Shqipërisë rreth prishjeve të ndërtimeve pa leje, në rastin e Himarës. Atëherë ç’i hyn në punë Nikollaq Neranxit që na tregon llogje kafenesh apo shet paragjykime, të cilat gatuhen në zyrat e informacion-propagandës së Greqisë?

Asnjë shqiptar nga Çamëria nuk ka shkruar qoftë edhe një shkrim kundër shqiptarëve të Himarës, madje as kundër minoritarëve të ndershëm grekë.

Nikollaq Neranxi na tregon për një familje shqiptare himariote që ka rritur një shqiptar nga Çamëria dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Për këtë veprim sa njerëzor të familjes Qirici ndaj Ramadan Bubeqit të gjithë jemi krenarë dhe mirënjohës. Shqiptarët e Çamërisë i janë mirënjohës familjes Qirici. Kjo mirënjohje është e njohur botërisht. Shoqata “Çamëria” e Shqipërisë e nderoi me një dekoratë të lartë familjen Qirici, të cilën e tërhoqi Lluk Jani Qirici në qershor të vitit 2015 në Vlorë. Ishte vetë kryetari i partisë kombëtare PDIU, Shpëtim Idrizi që e dha këtë vlerësim të lartë në praninë edhe qindra shqiptarëve të Vlorës, Çamërisë, Himarës. Prandaj, Nikollaq Neranxi bën mirë që ngjarjen e familjes Qirici mos ta keqpërdori, mos ta keqinterpretojë, por ta tregojë ashtu siç është në të vërtetë.

Nikollaq Neranxi këto ditë është pak i mërzitur, sepse njëri nga miqtë e tij të ngushtë që i kishte premtuar mbështetjen për kandidimin si kryetar i Himarës, u largua nga Shqipëria. Fjala është për zëvendësambasadorin e Greqisë në Tiranë, Kostantinos Piperigos. Diplomati në fjalë ka qenë personi që ka përpiluar dosjet politike e të ashtëquajturave “prona të Himarës”. Pra, çdo keqinformim për Athinën, Bashkimin Europian apo vendeve të tjera rreth prishjes së disa objekteve pa leje dhe gjendes politike në Himarë mban nënshkrimin e këtij diplomati, i cili pati miqësi të ngushtë me Neranxin.

Në përfundim të shkrimit të tij Nikolaq Neranxi jep këshillat për çamët që mos t’ju prishin shtëpitë himariotëve. Por, çështja është se asnjë shqiptar me rrënjë nga Çamëria nuk ka patur apo ka pretendime pronësore në Himarë. Ç’punë kanë çamët me pronat në Himarë, kur ata nuk kanë asgjë në dorë, as në qeveri, as në ndonjë lloj pushteti? Por, këtë Neranxi i erzave nuk e sqaron, anipse nuk kursehet në vrerin ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat