Kandidati zgjedhor

Opinione

Kandidati zgjedhor

Nga: Sylejman Salihu Më: 22 shtator 2017 Në ora: 06:17
Sylejman Salihu

Është plot ëndrra, plot emocione. Ka një dëshirë të brendshme, gati të çmendur, që të fitojë. Për të punon ai dhe punojnë edhe të tjerët. Më saktë punon partia e tij, së cilës i falet dhe në të cilën ka gjetur strehë. Është veshur me kostum blu. Ka edhe një kollare, shenjë serioziteti, autoriteti dhe dinjiteti. Le të dukem bukur, të paktën, mendon më vete.Të tjerat vijnë pas. Pastaj del në shesh.

Të gjithë i janë afruar dhe madje edhe e kanë rrethuar, sikur duan ta mbrojnë nga syri i keq apo sikur duan ta ndihmojnë kur ai fillon të flasë. Ca mikrofona medial ka para vetes. Fjala e tij është fjalë floriri. Të gjithë janë çuar në këmbë se si mund ta ndihmojnë.

Ai lexon dhe të tjerët brohorisin. Fuqishëm. Lexon dy fjali dhe fillon me premtimet e para. Unë do të... Ne do të....Çka s' ka bërë paraardhësi, e bën pasardhësi, domethënë ai. Është vullneti jonë,thotë, është forca jonë. Publiku nxehet. Urra, urra! Ai i merr për mbështetje dhe njohje këto dhe ngre supet më lart.Merr pozë më serioze. Ka besim në vete. Fillon në veten e parë të flasë:

-Unë vij nga ju dhe punoj për ju. Erdha këtu se ju deshët që të vija. Ishte vullneti juaj.Ishte zgjedhja juaj, ndaj erdha. Por edhe vullneti im është me ju.Të bëhem ai që dua, që edhe juve të mund t' ua shpërblej. Të jemi bashkë, sado barra e madhe bie mbi mua. Një barrë e stërrëndë. Por edhe një sakrificë duhet bërë.Kush e bën këtë, nëse jo ne, e në këtë rast nëse jo unë.

Ç' mund t' u them: t' jua kthej me të mirë, siç thoshin plakat.Dhe s' ka asnjë dyshim. Unë dhe partia ime së cilës i takoj, kemi marrë të gjitha masat që të dalim faqebardhë. Se puna dhe ideali na mban dhe ndaj edhe ecim përpara. Por elektorati të mos hezitojë: të na besojë! Se ne do të fitojmë dhe fitoren tonë do ta prekim përsëri të gjithë bashkë me dorën tonë. Nuk jam fjalaman,nuk e teproj me premtime.Qytetarë, dëgjomëni: do të lulëzojnë sheshet, do të mbulohen gropat, do të rrjedhin kanalizimet lirshëm. Bletët do të bëjnë mjaltë më shumë dhe ne do të ëmbësojmë gojët tona pelin, që na la ish pushteti.

Dielli do të nxejë dhe era do të jetë më e butë. Domethënë përkëdhelëse. Murrlan fare nuk do të ketë. Delet e barinjve do të bëjnë nga dy e tre qengja dhe dhitë në mal do të bëjnë kecër me këmborë në qafë. Arat djerrina do të mbushen me plantazhe hurmash, që s' i patëm kurrë me bollëk. Edhe këndezët do të bëjnë vezë të arta. Ju kujtohen përrallat? E ne nga përrallat do të zbresim në tokë,domethënë në realitet.

Nuk do të thuhet më : na ishte njëherë, por do të themi: na është tash. Nga e shkuara e thjeshtë, do të zbresim në të tashmën plot dritë. Shatërvanet do të çesin ujë me currilat e tyre dhe fëmijët do të zbaviten me stërpikat e ujit nëpër sheshe. Freski gjithandej. Fllad. Ç' mund të them më shumë? Edhe ato që s' janë thënë, mendoni si të thëna. Nuk lajthisim ne nga qëllimi. Godasim bukur në shenjë.

Mbase edhe ndonjë cunam mund të nxjerrë krye, se nuk i dihet, por ne jemi këtu për ta sanuar gjendjen. Gëzuar prandaj qytetarë! Bashkë me ju që tash e ndjej fitoren! Fitoren e madhe. Fitoren, që të na dehen zemrat dhe dëshirat tona. Dhe nuk kemi si t' i ikim banketit që po vjen në ditën e madhe. Por më duhet vota juaj. Vota, që iu bëfsha! Se gati po vdesim për të!  Pra, qeshni tash! Mund edhe të këndoni, se festa po fillon. Çdo ditë daullet do të bien për ne. Atëherë le të bëhemi gati për dasmën e madhe, për ndryshimin e madh! Por bëhuni me ne se të tjerat i bëj unë ose i bëjmë ne! Zoti ju bekoftë, bashkë me partinë tonë! Edhe Kosovën! Amen!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat