Tri rreziqet e Kosovës

Opinione

Tri rreziqet e Kosovës

Nga: Arben Sylejmani Më: 10 tetor 2017 Në ora: 14:03
Arben Sylejmani

Korrupsioni i lartë në institucionet publike, formimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive, dhe një parti serbe në Kuvend, aktualisht siç është Lista Serbe që dirigjohet nga Beogradi me fuqi bllokuese të ligjeve vitale për vendin, paraqesin rrezikun më të madh për ekzistencën e shtetit të brishtë të Kosovës.

Për korrupsionin dhe Asociacionin ka ende kohë për të bërë diçka nga ana e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës së bashku me ndërkombëtarët, nëse këta të fundit i japin më shumë përparësi një Kosove me shtet të së drejtës dhe funksionale se sa të bashkëpunojnë me politikanët aktual të korruptuar për hir të stabilitetit rajonal.

Sa i përket shoqërisë, puna e parë që lipset është një vetëdijesimi i qytetarëve që me votën e tyre t’i ndëshkojnë politikanët aktual të korruptuar, të cilët që prej pasluftës, herë në opozitë e herë në pushtet, janë përgjegjës për futjen e fenomenit të korrupsionit si një mënyrë të jetesës tek qytetarët. Fal këtyre politikanëve të korruptuar të pasluftës, për qytetarin e Kosovës sot është diçka krejt normal që të jap mijëra euro për tu punësuar në një institucion publik ose familjari i një pacienti të shtrirë në njërën nga klinikat e QKUK-së, t’i jap qindra euro një mjeku në QKUK në mënyrë që gjatë mjekimit, ai të ketë një trajtim dinjitoz nga ana e personelit mjekësor.

Pra, ndërrimi i kësaj klase politike, i hap mundësi institucioneve të drejtësisë për të gjykuar personat e fuqishëm të politikës të përfshirë në afera të mëdha të korrupsionit, dhe rrjedhimisht kjo çon në një shtet të së drejtës ku askush nuk është mbi ligjin, por dënohet njësoj si politikani në krye të qeverisë me një qytetarë të varfër, i cili bie ndesh me ligjin.

Themelimi i Asociacionit është një problem tjetër që nëse themelohet ashtu siç po deklarohen pjesëtarët e Listës Serbe, duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, e jo në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstaton se 23 pika të kësaj marrëveshje janë kundër frymës kushtetuese, e krijon një shtet brenda shtetit të Kosovës.

Në bazë të kësaj marrëveshje Asociacioni do ketë një kuvend themelues i përkthyer në gjuhën shqipe si “kuvend themelues”, por për njohës të fushës juridike, këtu kemi të bëjmë me një “kuvend kushtetutbërës”, sepse sipas tij termi në anglisht i marrëveshjes “constituent assembly” ka një kuptim të ndryshëm me atë përkthyer në gjuhën shqipe qëllimisht për të relativizuar fuqinë e këtij organi.

Por, këtu duhet parë se a do të jetë në gjendje kryeministri Haradinaj me një kabinet qeveritar i varur plotësisht nga Lista Serbe t’i thotë jo kërkesës së tyre për themelimin e Asociacionit në bazë të marrëveshjes së Brukselit. Këtu duhet edhe një ndihmë e ndërkombëtarëve që t’i bëhet presion Listës Serbe dhe Beogradit që asociacioni të bëhet duke u respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Kurse, problemi i tretë i partisë serbe, siç është aktualisht Lista që përfaqëson komitetin serb në Kuvendin e Kosovës, dhe që kërcënon me përdorje të vetos për të bllokuar miratimin e projektligjeve që janë esenciale për shtet-ndërtimin e Kosovës, siç është ai për transformimin e FSK-së në FAK, duhet një angazhim më i madh i miqve të Kosovës.

Pra, duhet një presion më i madh i Brukselit dhe Washingtonit mbi Serbinë në mënyrë që Beogradi mos të përdor Listën Serbe për agjenda kundër shtetësisë së Kosovës, dhe në të njëjtën kohë ta bindin Listën Serbe që Kosovën ta shohin si një shtet te tyre dhe integrohen tërësisht në institucionet e saj.

Përfundimisht nëse nuk merren parasysh këto tri probleme, nuk mund të shpresojmë për ndërtimin e një shtetit demokratike me pushtetet të pavarura, me shtet të së drejtës dhe të mirëqenies për qytetarët, por Kosova do të futet në një rrugë të pakrye dhe do rrezikohet ekzistenca e saj si shtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat