Pse “Vota” e Malësisë së Bujanocit, duhet të jetë bashkë?

Opinione

Pse “Vota” e Malësisë së Bujanocit, duhet të jetë bashkë?

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 12 tetor 2017 Në ora: 08:17
Nexhmedin Saqipi

Pjesa dërmuese e banorëve të Malësisë së Bujanocit, gjatë vitit 1999, u zhvendosën jashtë dëshirës së tyre për në Gjilan, duke mos përjashtuar edhe disa qendra të tjera të Kosovës, siç është Fushë Kosova dhe Prishtina.

Organizatat ndërkombëtare dhe disa nga ato edhe vendore, këtë kategori të njerëzve të shpërngulur nuk i njohnin si refugjatë, por si të zhvendosur, duke lënë pezull statusin e tyre politik e shoqëror.

Kanë kaluar 18 vjet e problem i banorëve të Malësisë së Bujanocit, në veçanti dhe të atyre të Luginës së Preshevës në përgjithësi, ka mbetur i pazgjidhur.

Kjo problematikë aktualizohet në çdo katër vjet, kur të vijën zgjedhjet e të gjitha niveleve në Kosovë dhe në krahun e saj lindor, në Luginë të Preshevës.

Që nga përfundimi i luftës e këndej, në Kosovë janë zhvilluar me dhjetëra palë zgjedhjesh e problemi institucional ndaj banorëve të Malësisë, vazhdon të jehojë vetëm nëpër fushatat zgjedhore, por jo edhe në praktikë. Këta banorë, mjerisht, sot janë më keq se dje dhe vazhdojnë të jenë edhe më keq nesër e pasnesër deri në pafundësi.

Në Kosovë banorët e Malësisë kanë ngelur pa dokumente dhe pa u integruar në jetën politike dhe ekonomike të vendit dhe të njëjtit në Luginë të Preshevës, janë çregjistruar dhe u janë pasivizuar vendbanimet nga administrata shtetërore serbe.

Identiteti dhe dinjiteti

Dikur qytetarët e zhvendosur nga Malësia e Bujanocit, formuan një shoqatë me emrin “Vatra”, bile e pagëzuan me emrin Shoqata e të dëbuarve nga Kosova Lindore, e cila në thelb ishte pa ngjyrime politike, por që merrej me aktivitete të ngjeshura në shumë fusha të veprimtarisë shoqërore e humanitare.

Deri sa ishte kështu “Vatra”, grumbullonte rreth vetes jo vetëm banorët e Malësisë së Bujanocit, por edhe ata të Karadakut të Preshevës dhe vendbanimeve të Medvegjës.

Përmes “Vatrës” së atëhershme si Shoqatë merreshin shumë iniciativa, organizoheshin takimet e vendlindjes, hartoheshin peticione e planifikoheshin protesta paqësore, duke mbajtur pezull problemin e pazgjidhur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, këndej e matanë kufirit me Kosovën.

Krahas “Vatrës” vepronte po ashtu si Shoqatë edhe Lëvizja për Kthim dhe Integrim “Guri i Zi”, nga Malësia e Bujanocit, e cila ndonëse kishte disa dallime në veprime nga Shoqata tjetër simotër, por kur ishte në pyetje çështja shqiptarë e Luginës, vepronin në një vijë.

Po, gjërat ndryshuan me shndërrimin e “Vatrës”, në lëvizje politike, duke u ndarë në dy krahë e lëvizje të tjera, të cilat e dëmtuan misionin dhe forcën vepruese të kësaj Shoqate.

Duke ngarendur për tu futur nën çadrën e pushtetit lokal e parcializuan dhe e grupizuan elektoratin e Luginës së Preshevës në shumë pjesë, për të mos u bërë kurrë faktorë politik e as ekonomik.

Vota çelës i ndryshimit

Në parlamentin lokal të Gjilanit, nga votat e qytetarëve të Luginës së Preshevës, mund të sigurohen 5-6 ulëse ose më shumë.

Me këto mandate këshilltarësh, po sikur ato të jenë më një subjekt të përbashkët, zëri i luginasëve në këtë komunë të Anamoravës, do të jetë më i artikuluar, më i zëshëm dhe më i qëndrueshëm. Jo vetëm kaq, ata do të bëhen faktorë ne vendim-marrje dhe në shumë procese politike dhe shoqërore në vend,

Mirëpo, fatkeqësisht votat e qytetarëve të Luginës së Preshevës, në Gjilan dhe gjetiu, janë të shpërndara në shumë parti politike dhe ashtu të shpërndara nuk i bëjnë nder vetit e as vendit nga kanë ardhur, por përkundrazi bëhen element përçarës me pozitës dhe opozitës në qeverisjet lokale.

Megjithëse, kanë mbetur edhe pak ditë deri te zgjedhjet e 22 tetorit, për të bërë lëvizje të plota rreth hedhjes së votës në një “kosh”, por nuk do të thotë se nuk do të ndryshohet mendja për ta adresuar votën në drejtimin e duhur.

Po qe se ndalet pak njeriu para ekraneve televizive, debateve publike dhe fushatës parazgjedhore, mbetet pa mend kur dëgjon se së shpejti Gjilani do të bëhet metropol i Evropës, me infrastrukturë moderne, me ekonomi të zhvilluar e me vende të reja të punës.

Këto slogane parazgjedhore, zakonisht, dinë t’i thonë ata që për shumë mandate qeverisën me Komunën e Gjilanit, e që më së paku kanë bërë për qytetarët e saj vendor e lëre më pë rata që kanë ardhur në masë nga Lugina e Preshevës.

Është e vërtetë se Vota është çelës i ndryshimeve, por ajo duhet të drejtohet në njerëz të aftë për ndryshime, në kuadro profesionale dhe të denja për përfaqësim në parlamentin e Gjilanit.

E Malësia e Bujanocit dhe Karadaku i Preshevës, i kanë dhënë lëvizjeve në Gjilan dhe Anamoravë, burra me nam gjatë të kaluarës, por edhe sot në mesin e qytetarëve të zhvendosur, që kanë të drejtë vota ka veprimtarë, që e meritojnë të ulen në qeverisjen e vendit.

Me rëndësi është që Vota, të jetë e adresuar mirë, të ruhet dhe të mbrohet nga manipulimet, vjedhja dhe blerja për pak para.

Bashkimi bënë fuqinë

Në popull shpesh është përdorur thënia shumë e qëlluar “Bashkimi bënë fuqinë”, një urti që duhet zbatuar në praktikë.

Po qe se Vota e banorëve të Malësisë së Bujanocit, bashkohet në një adresë, me siguri se në të ardhmen statusi i tyre politik e shoqëror do të ndryshoj.

Me një bashkim të tillë, do të flaken përçarjet, inatet, zënkat, hasmëritë, xhelozitë dhe revanshizmet nga njëra palë te tjetra e kështu me radhë.

Me bashkimin e Votës, bashkohen zërat politik drejt një faktorizimi, i cili ka munguar deri tani te banorët e Malësisë së Bujanocit në Gjilan. Një bashkim i mundshëm i votës dhe faktorit njerëzor, do të shërbej si shembull I mirë edhe për qytetarët e Malësisë së Bujanocit nëpër qendra të tjera të Kosovës dhe në Komunën e Bujanocit.

Rreth asaj se sa ka vlerë, peshë dhe autoritet vota e bashkuar, po e përmbyllim këtë opinion me një fjalë të urtë popullore: “Më mirë kokërr në shtëpi tënde se sa misër në magje të botës!”.

(Autori është analist dhe publicist nga Lugina e Preshevës)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat