Kush çon në një redaksi gazete bomba me vra gazetarë, është vrasës dhe kriminel! Po ju si mendoni?

Opinione

Kush çon në një redaksi gazete bomba me vra gazetarë, është vrasës dhe kriminel! Po ju si mendoni?

Nga: Elida Buçpapaj Më: 12 tetor 2017 Në ora: 22:37
Elida Buçpapaj

Instanca më e lartë e drejtësisë në Zvicër, Gjykata Federale me qendër në Bellinzona dënoi Jeton Lleshin me 10 vjet heqje lirie për vrasje të shumëfishtë në tentativë.

Në vitin 2002 një granatë ruse ishte dërguar në redaksinë e Bota Sot në Zürich e fshehur në ambalazhin e një shishe vere. Bomba nuk u aktivizua rastësisht. Nëse do të plaste do të shkaktonte të paktën 12 viktima. Ky përfundim është i përcaktuar nga organizmat e specializuara zvicerane.

Në 2002 përpjekjet e policisë zvicerane për të kapur autorin apo autorët e sulmit terrorist nuk patën sukses. Policia zvicerane kishte si provë materiale vetëm disa gjurmë adn. Dhe dukej sikur gjithçka do të mbetej e padeshifruar deri kur në dhjetorin e vitit 2016 në një klub të Zürich-ut plasi sherri. Gjatë një kontrolli rutinë policia zvicerane zbuloi se gjurmet e adn të njërit prej të ndaluarve me emrin Jeton Lleshi korrespondonte me ato të zbuluara në kutine e verës me granatën ruse që u dërgua në redaksinë e gazetës Bota Sot.

Organi i akuzës e ndaloi Jeton Lleshin pas një kohe hetimesh dhe shumë provash. Arrestimi i tij në fillim u mbajt në heshtje me kërkesë të palës mbrojtëse të Jeton Lleshit. Por pas një kohe shtypi zviceran filloi t’i bënte një mbulim të plotë.

Organi i akuzës në bazë të provave erdhi në përfundimin se objektivi kryesor i sulmit me bombë i Jeton Lleshit ishte botuesi, kryeredaktori dhe kolumnistja e gazetës Bota Sot përkatësisht Xhevdet Mazrekaj, Skënder Buçpapaj dhe Elida Buçpapaj por fuqia vrasëse dhe shkatërruese e bombës ishte shumë më e madhe.

Nëse bomba do të kishte plasur, do të kish ndodhur një kasaphanë dhe njëri nga autorët e kësaj kasaphane do të ishte Jeton Lleshi.

Organi i akuzës në Zvicër komunikoi për herë të parë me  çiftin Buçpapaj në fillim të qershorit 2017. Deri atëhere asnjëri prej nesh nuk kishte asnjë djeni as të arrestimit të Jeton Lleshit dhe të asnjë lloj ecurie rreth hetimit.

Asnjëri prej ne të treve nuk ka ngritur asnjë akuzë kundër Jeton Lleshit sepse nuk e njihnim dhe nuk e dinim se kush fshihej prapa sulmit me granatë.

Edhe kur organi i akuzës na informoi, në fillimqershorin e këtij viti, asnjëri nga ne të tre nuk e ka denoncuar Jeton Lleshin sepse ne nuk dispononim prova.

Por provat i dispononte prokuroria e Zvicrës.

Vendimi i Gjykatës të Lartë u mor në fund të muajit shtator dhe Jeton Lleshi u dënua me 10 vjet burgim dhe një gjobë simbolike monetare prej 15 mijë frangash ndaj tre personave që organi i akuzës i shpalli se ishin objektivi i sulmit terrorist.

Kur organi i akuzës dhe gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi autorin e sulmit me bombë në redaksinë e Bota Sot në Zurich ne shtatorin e 2002, nuk ka asnjë dyshim se akti që kreu Jeton Lleshit është kriminal dhe  Jeton Lleshi vetë është një kriminel.

Aq më tepër kur në vend që të tregojë pendesë dhe të kërkojë falje nga qelia e burgut ku ndodhet, ai dërgon mesazhe armiqësore si ndaj organeve të drejtësisë zvicerane ashtu edhe ndaj personave që i kishte në objektiv .

Dënimi i Jeton Lleshit është reagimi i parë këtij lloji i drejtësisë në Zvicër, por jo në Kosovë, kur deri tash nuk është zbardhur asnjë krim a vrasje politike.

Akti kriminal i Jeton Lleshit duhet të indinjojë opinionin publik, i cili duhet t’i jetë mirënjohës drejtësisë zvicerane që arriti ta zbulojë dhe dënojë një fajtor për një krim makabër në tentativë.

Kush çon bomba nëpër redaksi gazetash me qëllim vrasjen e njerëzve të pafajshëm pa dyshim është kriminel sepse ka kryer një akt terrorist.

A jeni dakord me mua apo jo?

Gazeta Bota Sot ka marrë kërcënime të pafundme nga segmenti kriminal që i zgjati kthetrat deri në Zvicër. Katër personalitete, autorë dhe gazetarë të Bota Sot rezultojnë të vrarë prej 11 janarit 1999 deri 2 qershor 2005. Ata janë Enver Maloku, shefi i QIK-ut, Bekim Kastrati, lufëtar i UÇK-së, Xhemail Mustafa, këshilltar i Presidentit Rugova dhe Bardhyl Ajeti. Ata janë vrarë nga e njëjta mendje kriminale dhe dorë kriminale që ka ekzekutuar në trevat shqiptare vrasje politike. Ky segment kriminal duhet të përfundojë pas grilave të burgut. Vetëm atëhere do të qetësohen të rënët që janë faqja e ndritur e historisë shqiptare.

Vetëm atëherë do të kemi siguri dhe stabilitet të garantuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat