Kush e fiton Drenasin?

Opinione

Kush e fiton Drenasin?

Nga: Avokat Adrian Gjoshi Më: 14 tetor 2017 Në ora: 18:53
Adrian Gjoshi

Shumica e qytetarëve të Drenasit nuk e pëlqejnë z. Lladrovci për kryetar.

Z. Lladrovci prapë mund t’i fitoj zgjedhjet.

Por si ka mundësi që këto dy deklarata të jenë të sakta? Ja pse:

Njerëzit kanë tendencë që edhe kur nuk janë të lumtur me një gjendje, ata prapë nuk janë të gatshëm për ta ndryshuar atë. Studiuesit e shkencave kognitive dhe të sjelljes, këtë fenomen e njohin si “default effect”. Këtë shprehje e kemi hasur shpesh në kompanitë softverike, por në aspektin social, kjo nënkupton se vendimmarrësi nuk ka kontroll mbi diçka që është e paracaktuar. Sipas kësaj, njerëzit kanë më shumë gjasa të zgjedhin atë që zgjedhin të tjerët, të zgjedhin opcionin standard.

Folur përgjithësisht, edhe ashtu jemi të prirur të bëjmë çfarë bëjnë të tjerët. Kësaj prirje s’kishim si t’i iknim as në rrafshin politik.

Tash, t’i lëmë teoritë dhe të bëhemi më pragmatik. çka ndodhi? Si qëndron situata politike në Drenas?

PDK

PDK ka rënie të madhe në gjithë Kosovën — dhe Drenasi nuk përbën përjashtim. Në fakt, shkëlqimi dhe rënia e PDK-së filloi në këtë qytet.

Zgjedhjet e fundit kishin çuar Drenasin për herë të parë në balotazh. Ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat kërkuan edhe një të diel votuese. Kjo ishte befasia e dytë, meqë e para, ishte se për dallim nga kryetari i mëparshëm, kishte kandiduar një ish-ekselencë; një ish-ambasador i angazhuar në Shqipëri; një doktor shkence në bërje.

Kandidoi një figurë që për shumë konsiderohej "outsajder". Kandidoi z. Lladrovci.

Pavarësisht pakënaqësive që kishte shkaktuar kandidimi i tij, pakënaqësive të brendshme e të jashtme, pakënaqësive në partinë e tij e në qytetarë; megjithatë pas balotazhit, më vështirë se kurrë, edhe një herë, me kandidatin e saj fitoi partia dominuese në Drenicë - PDK. 
 

Shkuarja në balotazh tregoi se Drenasi — më në fund — po lëvizte, po i hakmerrej plangprishësve. Mllefi i drejtohej partisë që deri atëherë ishte konsideruar si bastion i Drenasit.

Kryetari i ri filloi mandatin. "All eyes on him", kishte dhënë shumë premtime. Nuk i mbajti. Fakti se realizoi vetëm 1 nga 20 premtimet e tij, s’e bënë gjë tjetër pos një kryetar të dështuar.

Gjatë mandatit të tij pamë shumë gafe turpëruese; shpesh u cilësua si injorant dhe i pakualifikuar.  

Ata që kishin menduar se kryetari i ri i Drenasit kishte tipare të njëjta me ato të Sami Lushtakut të Skenderajt, u gabuan. Ata që kishin menduar se për të qeverisur mirë një komunë duhet një kryetar fjalëpak, lakonik, dhe që të tregon “pak forcë” ndaj qeverisë qendrore, u zhgënjyen. Dhe gjithë ata që kishin menduar se Kryetari i Drenasit do të mirëqeveriste u dëshpëruan, thellësisht u dëshpëruan.

Në Skënderaj, megjithatë, ekziston një qëndrim dominues se kryetari i tyre e ka zhvilluar vendin.

Kryetari ynë s’e zhvilloi komunën; përkundrazi, synoi ta sundojë atë.

I njëjti kandidon për kryetar komune duke kërkuar mandatin e tij të plotë.

NISMA

NISMA është përtrirë politikisht pasi ka marr mjaft hise në pushtetin qendror. Në Drenas ka nisur fushatën me një rritje të dukshme të përkrahjes — dhe është partia që më së shumti i ka futur frikën në palcë kandidatit të PDK-së. Për të pasur më shumë përkrahje, duhet të ofrojë projekte konkrete dhe të detajuara për qytetarët.

VV

VV siç dihet, ka rritje të jashtëzakonshme në gjithë Kosovën — dhe në Drenas ka rritje të ndjeshme. Mund të thuhet se VV ishte zëri i parë opozitar dhe i vërtetë në Drenas. Më parë, dukej se, asambleistët nuk kishin guxim t’i dilnin kundër PDK-së, dhe nuk e dinin rëndësinë dhe fuqinë e pozitës së tyre. Për të pasur më shumë përkrahje, duhet të jetë më e hapur duke ofruar më shumë hapësirë për të tjerët.

VISIONI PËR DRENASIN

VISIONI PËR DRENASIN ka përkrahje në Drenas  — dhe kryetari i saj duhet të duartrokitet për aktivizmin e tij për ta shpërfaqur të keqën në Drenas. Për të pasur më shumë përkrahje, kryetari i saj duhet të ndryshoj diçka, mbase të filloj ta shqiptoj emrin “Drenas” siç e shqiptojnë vendasit, pra të jetë më origjinal.

LDK

LDK duhet ta marrë më seriozisht Drenasin. ç’bastionimi i Drenasit tregon se tashmë në Drenas ka vend për të gjitha partitë politike që janë serioze e që ofrojnë program. Për të pasur më shumë përkrahje, duhet që mos ta ketë qëllimin e vetëm të tregoj se ekziston në Drenas.

AKR

AKR ka votues në Drenas. Kandidati i saj për kryetar komune ka dëmtuar Lladrovcin në debate. Për të pasur më shumë përkrahje, AKR duhet të jetë më konsistente dhe më aktive ndaj Drenasit.

AAK

Vlen komenti i njëjtë si për LDK.

Siç shihet, sikurse në zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe në zgjedhjet e 22 tetorit, balotazhi do të jetë i pashmangshëm në Drenas. Këtë herë, PDK do ta ketë shumë më të vështirë të fitoj. Partitë opozitare dita-ditës po rriten. Për më tepër, mbahen zgjedhje të rregullta lokale, që nënkupton se objektivisht më nuk do të mundet të zbarkojë e gjithë qeveria në Drenas për të lobuar e ndikuar. Si rezultat, rreshtimet dhe kombinacionet e mundshme pas balotazhit do të jenë vendimtare se kush do të fitoj.

Drenasi vazhdon të jetë një ndër komunat më të varfëra në Kosovë.  Për këtë komunë çdo qeveri qe neveri; qeveri lokale e qendrore. Mbetet komuna më e poshtëruar dhe më e përbuzur nga pushteti. 

Mandati 8 muajsh i z. Lladrovci si Kryetar i Drenasit dëmtoi rëndë Drenasin. 8 muaj duhet të mjaftojnë për ta zgjuar përfundimisht demokracinë në 60.000 qytetarë.

Qytetarët e Drenasit nuk e pëlqejnë një kryetar “kukulajmesh”.

Rizgjedhja e mundshme e z. Lladrovci ose e të ngjashmëve me të do ta zvetënonte dhe do t’ia humbte çdo shpresë Drenasit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat