Nuk është homofobi, por mizantropi

Opinione

Nuk është homofobi, por mizantropi

Nga: Lis Bukuroca Më: 15 tetor 2017 Në ora: 12:20
Lis Bukuroca

Herë pas here dëgjohet se filani është homoseksual, filani apo filania është biseksuale, tjetri aseksual e kështu me radhë. Krejt ata cilësorë janë artikulim dhe përkufizim mizantropik. Kur thuhet për dikë se ai është homoseksual, atëherë tkurret krejt personaliteti i tij në një simbolikë. Çfarë domethënë kjo? Kjo domethënë ai bën dashuri me njerëz të së njëjtës gjini. E ku bën ai dashuri? Në shtëpi të vet! E si bëjnë dashuri, ose çfarë dashurie bëjnë të tjerët, shtresa e heterove? Nuk dimë dhe as që na intereson. Ndoshta janë perversë, ndoshta nuk bëjnë fare seks, ndoshta e bëjnë tepër rrallë, ndoshta e bëjnë tepër shpesh, por as këta nuk meritojnë të gjykohen ose stigmatizohen për mënyrën se si bëjnë apo si nuk bëjnë dashuri.

Vet nocionet homoseksual, biseksual, aseksual janë nocione përjashtuese, stigmatizuese, fashiste dhe ligji duhet të ndalojë rrënimin e dinjitetit të tyre me fjalë shkencore, poshtëruese. Njeriu është një univers në vete. Identiteti i tij nuk mund të definohet vetëm me një sjellje në jetë.  Ai mund të jetë profesor, nëpunës, murator, baba, vëlla, motër, dajë, hallë, sportist, religjioz, shok, shoqe, lexues, teleshikues dhe mund të ketë dhjetëra role tjera sociale, por ai është vetëm NJERI!

Kush duhet të turpërohet? Të skuqet duhet ai që futë hundët në jetën e huaj! Ai vërtet ka probleme me perceptimin e botës. Ai nuk kupton, nuk merr vesh, nuk ndjen se bota rreth tij nuk vepron siç i pëlqen atij. Ai njeri ka vetëm një të drejtë: Të jetojë jetën e vet duke pranuar dallimet jashtë. Ai njeri ka edhe një obligim kushtetues: Të respektojë njeriun. Ky qëndrim është alfa dhe omega i demokracisë, qëndrimi tjetër është fashist!

Ai nuk skuqet kur vritet një njeri, ai nuk trishtohet, kur dhunohen më të dobëtit, gratë dhe fëmijët, ai është shpërfillës dhe rrah edhe vet, prandaj ai nuk është në gjendje të kuptojë pse dikush nuk vepron siç i pëlqen atij. Ai ka nënshtruar për tokë familjen e vet dhe pret t’i nënshtrohet edhe rrethi. Ky njeri ka vërtetë probleme të mëdha orientimi. Ky nuk ka kuptuar detyrën e vet në jetë në radhë të parë, ky nuk ka kuptuar pse ka ardhur në këtë botë dhe cilat janë detyrat e tij. Detyra kryesore e tij është të ushtrojë kujdestari ndaj atyre, ndaj të cilëve e obligon ligji dhe normat sociale.

Homofobi, pra mizantropi, është viktimë e edukatës primitive. Ai mendon se sa më shumë që mbahet në degë, aq më burrë është. Ai nuk ka kuptuar se bota është lara-lara dhe se ka qenë gjithmonë kështu dhe se do të mbetet. Disa studime thonë se deri në pesë për qind e çdo popullsie, nuk ka orientim të kristalizuar seksual. Disa madje 15 për qind. Një studim tjetër konstatonte se asnjë njeri nuk ka identitet kategorik, të qartë të  qind për qind  seksual!

Pra, nuk është turp të mos jetë dikush si unë, por është primitivizëm i theksuar ata njerëz të detyrohen të martohen me gjininë, që ata nuk ndjehen të tërhequr. Nëse bëhet, fatkeqësia shfaqet nesër në bashkëshortësi me dhunimin e familjes, ose me mungesën e kujdestarisë.

Burrin e vërtetë nuk e pezmaton homoseksuali. Në fakt atij i zvogëlohet konkurrenca. Burrin e pasigurt në orientim, e trishton. Ai tmerrohet! Ai ka frikë se rrëshqet edhe vet në homoseksualizëm. Po ku merr ai atë të drejtë të vendosë apo të deklarohet se kush me kënd duhet të bëjë dashuri në shtëpi të vet?

Nuk është aspak me rëndësi kush çfarë zgjedh për bashkëjetesë. Me rëndësi është çfarë kontributi jep ai në jetë dhe ai përmbahet ligjit. Deklaratat prozhmuese, ose kërcënimi i njerëzve që nuk bëjnë dashuri si të trishtuarit, është mizantropi e vërtetë.

Heteroseksualët askund nuk identifikohen me parapëlqimin e tyre seksual. Pra, nuk thuhet kurrë, filani është ky, ose ai dhe hetero, por thirret me emër, ose profesion. Kjo duhet të vlejë për njeriun tjetër, që sot stigmatizohen dhe reduktohet vetëm në orientim seksual! Kur të kuptojmë dhe pranojmë diferencat në jetën e njerëzve, kemi kuptuar një realitet të madh në jetë: Ne mund ta ndryshojmë vetëm veten, por jo të tjerët! Duke e bërë çdo njëri prej nesh, rrisim në lumturinë tonë dhe të tjerëve!

Jeta është e jotja! Guxo ta jetosh sipas parimeve tua!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat