Dy fjalë rreth koalicionit Aleanca me BESË(!)

Opinione

Dy fjalë rreth koalicionit Aleanca me BESË(!)

Nga: Fitim Dika Më: 17 tetor 2017 Në ora: 23:04
Fitim Dika

BDI është në hall të madh. Përherë të parë pret një garë të vështirë dhe shkon si pretendente për ti humbur 12 komunat. Veçanërisht e dhimbshme për të është Struga, Gostivari, Çairi dhe Tetova. Me gjasë edhe simbolin e krijimit të saj - Likovën. Këtë e ndjej edhe unë që në jetën time nuk e kam votuar asnjëherë BDI-në as në zgjedhjet komunale, as për këshilltarë, as presidenciale dhe aq më pak parlamentare. Ndjesia ime e fitores mbi partinë administrative BDI, automatikisht rezulton në ndjesinë negative për humbje në BDI. Kam frikë se të qenurit gjithmonë opozitë, mund të ma shtojë simpatinë për BDI-në e nesërme opozitare - nëse mund të ekzistonte e tillë si parti.

Duheshte të ndodhte më parë, por ja që ndodhi tani. Më mirë vonë se kurrë. Opozita shqiptare në 2009 fitoi komunën e Gostivarit dhe Tetovës, në 2009 opozita shqiptare fitoi shumë më tepër vota në zgjedhjet presidenciale sesa BDI, ndërsa dy vite më vonë, në zgjedhjet parlamentare 2011 opozita shqiptare fitoi më shumë vota se BDI. Arsyeja se pse qëndroi kaq gjatë në pushtet është e thjeshtë: mos funksionimi i bashkimit të partive opozitare shqiptare kundër BDI.

BESA tmerri i BDI-së

Fuqia e Lëvizjes BESA në krahinën veriore të Maqedonisë nxori fytyrën e vërtetë të BDI: ish komandatët e UÇK pranuan koalicion me maqedonasit e SDSM për të fituar partitë shqiptare. Nga ana politike s’ka asgjë të keqe, por kjo nuk mund të paramendohej disa vite më parë. Tashmë del një fytyrë tjetër: dy parti shqiptare BESA dhe Aleanca, bashkëpunojnë për të rrëzuar kandidatët pragmatistë të koalicionit BDI-SDSM. Vetëm ky fakt ka bërë bashkë shqiptarët për të rrëzuar një parti shqiptare me infuzion të një partie maqedonase dhe një parti maqedonase që dëshiron arvanitizimin e shqiptarëve të Maqedonisë: të flasin shqip në shtëpi por të kenë një “kulturë dhe traditë maqedonase”. Andaj më e kuptueshme është që në vend të LSDM të shkruhet SDSM, por kjo temë është më e rëndësishme gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Tashmë mbetet të sprovohet sinqeriteti i Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët për të votuar bindshëm kandidatët kundër BDI. Kjo mund të rezultonte e suksesshme nëse katër liderët: Bilall Kasami, Zeqirija Ibrahimi, Ziadin Sela dhe Arben Taravari të kryenin sëbashku fushatë në qytetet respektive. Ata rrezikuan postet e tyre duke garuar në komunat e tyre, tani duhet të kursejnë kohën për të kryer fushatë veri-jug. Kjo do rezultonte mjaft mirë edhe për zgjedhjet e ardhshme, kur Zeqirija Ibrahimi do njihej më mirë në jug (Strugë, Dibër, Gostivar dhe Vrapçisht), ndërsa Arben Taravari në veri (Çair, Likovë). Siç shihet, ndarjet mes Aleancës dhe BESËS janë të theksuara në këto komuna dhe në të ardhmen duhet të krijohet një bosht politik.

Dy fjalë për Ali Ahmetin

Se çfarë ka ndodhur në 2001, ajo mund të sqarohet pa emocione pas një gjenerate ku do mbizotëronte gjakftohtësia. Por futja e Ali Ahmetit në politikë ka nxjerrë në pah një figurë që do ia kishte zili çdo udhëheqës shqiptar: në rreth 15 vjet skenë politike asnjë përçarja potente në partinë e tij, asnjë largim i ndonjë figure të rëndësishme (përveç gjeneralit Gëzim Ostreni në 2015) dhe është i vetmi politikan shqiptar që nuk ka kritikuar opozitën e tij. Kjo e fundit ndryshoi me krijimin e Lëvizjes BESA, pasi me gjasë nuhati se vetëm kjo parti do mund ta fitonte në të ardhmen e afërt. Në emisionet e fundit ishte për t'u habitur kur dëgjoje shtatë minuta rresht që Ahmeti të fliste për oponentin e tij BESËN.

Tashmë kjo kaloi. Ahmeti dinte të fitonte dhe të kishte vetëbesim. Të ishte fjalëbutë dhe të bashkonte bashkëpartiakët e tij. Tani duhet ta sprovojë veten sesa mund ti mbajë të bashkuar shokët e tij pa pushtet komunal…! Kjo e fundit varet nga sinqeriteti i BESËS dhe Aleancës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat