Protesta e presidentit

Opinione

Protesta e presidentit

Nga: Fadil Lepaja Më: 18 tetor 2017 Në ora: 09:17
Fadil Lepaja

Në këngët tona nuk këndohet për ndonjë biçikletë. As nuk pyet kush se (ku) me e lidhë atë. Për kali, po, këndohet. Tradicionalisht, kali gjithnjë është lidhur aty ku ka thënë, padroni.  Këndohet edhe për tren, “për me shkue në Përzeren”. Edhe për alltia. Bam, bam në secilën këngë dashurie. Kënga na ka orientua, se qeveri tonën nuk kemi pasur. Edhe bashkësia ndërkombëtare. Prej kohës së ilirëve, na ka udhëhequr bashkësia ndërkombëtare. Kaq kem mësim prej urtisë së popullit.

Te ne me biçikleta nuk udhëton më as populli, e le më shefat. Në fakt, ministrja e re e ambientit, bëri përjashtim. Një ditë, ajo shkoi në punë, me biçikletë, por të nesërmen e pa që nuk ka... shtigje. Pastaj ku me lidhë, biçikletën?

Kësaj radhe , do të llafosim, jo për biçikleta, por për premtimet e pa mbajtura. Për zyrtarët të cilët dështimin e politikës e paketojnë, me një retorikë, e cila nuk është përfshi as në ribotimin e fundit “te Makiavelli”,  ndoshta sepse ai nuk e njihte politikën shqiptare. Andej edhe këndej. Në vend të “Princi” , libri do të titullohej “Presidenti” ose “Kryeministri”.

“Shqipëria e ka borxh të pajisë me (dy)shtetësi qytetarët e Kosovës”, këtë e tha njeriu që e lexoi tekstin e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Prej asaj dite, Kosova, e cila nga qytetarët e saj konsiderohet si vend i pavarur, dhe çdo katër vite zgjidhet një qeveri prej së cilës pritet që të ...! Hajgare, populli më nuk pret asgjë nga politika e vet, e cila së fundmi e pranoi se asgjë nuk bëjmë vet. Jemi në mëshirën e të tjerëve, mu sikur më 1999.

Nejse, gazetat tona, shkruajnë, me habi, se kryeministri i një shteti, të pasur, siç është Holanda,  lëvizë me biçikletë. Pyetja kryesore është: çka vozisin truprojat e tij? Ka?  Në fakt ai ka shkuar me biçikletë në pallatin mbretërorë, për të njoftuar mbretin, se është arritur marrëveshja për formimin e Qeverisë. “I kemi mbledhë numrat” i ka thanë ai mbretit. E çka ka pas me i thanë tjetër. Kryeministri, e lidhë biçikletën, në hyrje të pallatit, ku duken dy  pjesëtar të gardës mbretërore dhe me gjasë kamera të shumta të sigurisë.

Për dallim prej tyre, ne kemi popullin e varfër, shtetin edhe më të varfër, por udhëheqësit i kemi të pasur. Shteti bënë çka bënë dhe i nxjerr tatimet diqysh, qysh të mundet e qysh di, e nuk i le zyrtarët e vet të ecin me biçikleta apo këmbë. As truprojet, këshilltarët, administratën, miqtë e shokët...! Beni ecë vetëm, por këta, jo. Do të ishte turp.

Nejse, pas zgjedhjeve tash kemi zyrtarë të ri. Kryeministri jonë i ri, nuk ka shkuar me biçikletë, te mbreti i Kosovës, për ta njoftuar se “jon bo numrat”  diqysh, dhe se është arritur marrëveshja për formimin e qeverisë. Me e njoftua se edhe Bexhi , edhe “Lista”, jon rahatu.

Por, natyrisht, “Ai”, nuk është ende mbret. Veç edhe kjo i ka mbet, edhe të shajë pastaj, qysh të dojë, miqtë ndërkombëtare, të cilët nuk ja (pas)kanë mbajt premtimet. Miqtë , po thonë se premtime (jo) publike nuk ka pasur. Rren bashkësia ndërkombëtare. Ky i yni nuk rren.

“Mbreti” jonë, njihet si bashkëpunues, sepse ishte prezent në të gjitha fotografimet dhe shtrëngimet e rëndësishme të duarve  që nga Rambuje e deri më sot. Ishte zëdhënës i denjë i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Sidomos ishte i angazhuar që qytetarët e Kosovës të kenë viza dhe të shkojnë kah të duan, pasi këtu, në dy mandate qeverisëse, qysh e dini, ka siguruar mjaftë punë dhe standard të lartë. Çdo premtim, pak a shumë e kishte lidhur me liberalizim dhe integrime. Por zyrtarët  evropian me biçikleta, qysh po duket e kanë rrejt.

Edhe ky boll ka heshtë. Këto ditë ua përplasi në fytyrë. Madje, i sfidoi keq, duke kërkuar nga koka tjetër e shqiponjës,  të na pajisë me dyshtetësi. Të gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk mendon veç për vete, Presidenti.  E ka borxh, Shqipëria, tha Presidenti.

ENejse, “Mbreti” ynë, nuk udhëton me biçikletë. As imagjinatën nuk e përdorë shumë.Mbase duhej të mësonte nga “Terminatori”. Duhej të fotografohej, i shtrirë teksa flinte te këmbët e statujës së vet. Ani çka se nuk ka statujë të vet.

Aktori i famshëm Shvarceneger, për shembull, ka realizuar një fotografi, ku ai po flinte i  shtrirë te këmbët e statujës së vet, përpara një hoteli të famshëm, të cilin dikur, ai e kishte inauguruar, në kohën kur ishte guvernator i Kalifornisë. Menduan se ky ishte një angazhim të aktorit për të pastrehët, por në fakt ajo ishte një protestë. Ishte një hakmarrje ndaj pronarëve të një hoteli në të cilët, dikur  i kishin premtuar atij dashuri të përjetshme, i kishin premtuar se në hotelin e tyre gjithnjë do të kishin një dhomë bosh për të.

Por, nuk i kishin mbajtur fjalët. Kështu, aktori i famshëm, bëri atë që di të bëjë, pra të aktrojë. Këtë mund të bënte edhe mbreti ynë. E vetmja gjë e cila e pengon presidentin të protestoj ashtu, është se askush ende nuk ja ka  ngritë një statujë,  ku ai do të mund të shtrihej dhe të bënte një fotografi, për ta postuar pastaj në profilin e vet në facebook. Kuptohet, në fund të postimit, krejt kjo të përcillej me nënshkrimin e tij karakteristik.

A nuk ishte një kohë, kur ai i priste të gjithë shiritat e mundshëm, në këtë vend, përfshi edhe atë të pavarësisë?  Ishte një kohë kur ndërkombëtarët i premtonin gjithçka dhe ai na premtonte neve, edhe  retë e bardha mbi qiellin e kaltër, të Obiliqit.

Por, kush beson sot në premtime. Nënshkrimet nuk janë si premtimet. Mundesh me premtua pa mendua, por nuk mundesh me nënshkrua pa mendua. Kur nënshkruan, duke pasur një tufë këshilltarësh pas,

Tash, s’ka mbetur shumë se çfarë të bëjë, përpos protestës presidenciale. Kundër bashkësisë ndërkombëtare dhe kundër popullit.

Mundet me  porositë një statujë, jo, po një monument, në stil të “Newborn” , i cili për dallim prej të parit, do  të ketë vetëm dy shkronja në madhësinë e (mbi)njeriut. Ato mund të jenë inicialet e presidentit, të njohura tashmë në lagjen tonë lokale të “Facebook”-ut.

Ai pastaj mund të shtrihet dhe të flej aty, në shenjë proteste. Derisa ti mbajnë premtimet. Eh....

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat