Droga në saksi!

Opinione

Droga në saksi!

Nga: Kimete Berisha Më: 19 tetor 2017 Në ora: 18:54
Kimete Berisha

Kjo që po ndodh me ish-ministrin e Policisë, Saimir Tahirin, është çudi tipike etnoshqiptare!

Droga mbillet e çmbillet, kultivohet e ‘pihet’ ashiqare dit’ëm drekë, kudo ku tokës i thonë tokë, e nuk çuditet kush dhe nuk e ndalon ligji, por e ndaluaka ligji shitjen e drogës.

Për t’u ndaluar shitja e drogës, së pari duhet të ndalohet mbjellja dhe kultivimi i saj.

Si do të mund të shitej droga tinëz nga Saimiri, pa u kultivuar, hapur nga populli.

Edhe zogjtë e malit e dinë se shqiptarët e mbjellin drogën edhe në saksitë e luleve.

Prandaj, krejt ‘populli’ duhet të arrestohet, jo veç Saimiri.

Gabimi i Saimirit është se e ka shitur drogën tinëz, se sikur ta shiste ashiqare, jam e sigurt se s’do ta hetonte kush.

S’ka ndodhur asgjë që s’ta kap truri. Saimiri nuk është pejgamber që shqiptarët m’u çudit me sekretet e tij të errta. 
Është njeri i thjeshtë, dhe idol i askujt. 
Thjesht, ka shitë drogë, nëse ka shitë. Prandaj, thjesht, hyn në burg, vuan pak, del prej burgut, i ri është. Pushkën nuk e lë varur e as nami s’bëhet.

Në politikën shqiptare, ka vrasës që gjithë ditën japin leksione morali, e s’u bë nami, s’i arreston kush; 
ka pronarë të shtëpive publike dhe abuzues me vajza të vogla, edhe s’i gjen gjë, e qenka kaq tragjike, kaq spektakolare që njëfarë Saimiri merret me drogë.

Droga është puna më e vogël.
Më krim është që na helmojnë me miell e me bukë të Serbisë tregtarë kriminelë e s’i nguc kush. Të gjithë e dinë çfarë mielli u shet Serbia shqiptarëve, e nuk bën zë kush. 
Kur ta zgjidhin shqiptarët problemin e miellit, pastaj mund ta zgjidhin problemin e drogës. Se droga ‘pihet’ për qejfi, e bukë s’ke çare pa hëngër.

Saimiri shkonte edhe me femra, i ngacmonte, ka gabu shumë, qysh shkon ministri me mend n’kry me femra!

Në momentin që e ka shkarkuar, Kryeministri Edi Rama e ka ditur ‘problemin’ e Saimirit.

PD po flasin për ‘tradhti’ të Ramës ndaj Tahirit. Vërtetë, tradhtia u bë konsum i përditshëm, ama, të tradhtojnë njerëzit, s’ke çka bën, ti nuk shkon ta mbysësh veten me shpresë se del dikush e të shpëton nga vetja, me shpresë se del dikush e të do ty më shumë sesa ti që e do veten.

P.S. S’di qysh u pat emrin e saktë, dhëndrri i Sali Berishës, Malltezi, ka treguar se Saimiri vuan nga depresioni dhe s’di sa herë ka tentuar të bëjë vetëvrasje në Itali. 
Me këto fjalët e tij ‘kundër’ Saimirit, Malltezi, në fakt, i ka ndihmuar shumë Saimirit, ta shfrytëzojë ‘gjendjen e tij mendore’ për rrethana lehtësuese ligjore.

Sepse, njeriu që ka tentuar ta vras veten, dhe është në depresion, në fund shkon në senatorium rehabilitimi e jo në burg.

Njeriut të mërzitur, në prag të vetëvrasjes, nuk i shihet kusur.

Tjetër gjë që Katundaria e Partisë Demokratike mendojnë se ‘depresioni është sëmundje e turpshme, si sida’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat