Janina, si një baladë çame

Opinione

Janina, si një baladë çame

Nga: Ndue Dedaj Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 14:00
Ndue Dedaj

Dikur Çamëria na dukej në fund të botës, tani na ngjan përherë e më e afërme. Por është e trishtueshme kur sillesh rrugëve të Janinës dhe emrin e qytetit nuk e gjen askund më të shkruar në shqip, as në afishet e muzeut, ku duket se çdo gjë është “kuruar” me kujdes që të mos tingëllojë shqip. Për hir të së vërtetës nuk e pamë askund të shkruar as në anglisht, por ky nuk është një ngushëllim. Bjerrja e hatshme nuk ka ndodhur në një ditë. Askush nuk e lëshon vetiu pemën e gjuhës, pas së cilës është i lidhur me rrënjë e me degë. Në Çamëri të gjithë flisnin shqip, por me një vendim të qeverisë greke të vitit 1949 në shkolla u fut gjuha greke, erdhën mësuesit grekë dhe tani fëmijët nuk guxonin të flisnin shqip. A mund të imagjinohet, të të ndalohet gjuha e gjakut tënd? Sepse fjala nuk është prej dheu, po prej gjaku. Kujtojnë ata që asokohe ishin fëmijë, se si hynte mësuesi grek në mëngjes në klasë dhe pyeste: kush ka folur shqip sot? Dhe ai që zbulohej se e kishte bërë këtë të “zezë” më e pakta hante një vizore duarve apo në kokë. Ky ishte boshti i thyer i autoktonisë çame, që nuk mund të përshkruhet me germa. E para gjë e dëbuar me përdhunë nga trojet etnike ishte shqipja. Njerëzit në Shqipëri kishin vetëm një “ngastër” të ndaluar të gjuhës, atë që kishte lëvruar Gjergj Fishta te “Lahuta e Malsisë”, apo Konica në veprat e tij letrare e publicistike, por gjithësesi ky cungim ishte pak në krahasim me shembjen e krejt ngrehinës së shqipes në Çamëri, Sanxhak, Nish e gjer në Tivar e Manastir, qytetin themelues të alfabetit. Padyshim që nuk kanë vdekur ende gjyshet e shqipes në Çamëri, paçka se nuk mund t’i dëgjosh të flasin shqip në publik, shqipja për to tashmë është kthyer në një gjuhë e fshehtë. Por kjo nuk do të thotë se një ditë çamët nuk do të flasin prapë gjuhën amtare në Janinë, Filat, Paramathi, Igumenicë, Margëlliç, Parga, Artë, Prevezë etj. Nuk mund të ndodhë ndryshe në shekullin XXI të integrimeve politike, kulturore dhe ekonomike. Si mund të mos flasin e shkruajnë shqip çamët autoktonë në trojet e veta, për më tepër kur shkollat shqipe janë hapur e po hapen gjithandej në diasporën shqiptare?

Me këto përsiatje në kokë ecim nëpër qytet në këmbë, me dëshirën për të prekur çdo gjurmë shqiptare. Por në Janinë ka mbetur vetëm varri i Ali Pashë Tepelenës pa kokë brenda dhe kalaja e tij fushore pozante e shkrirë me qytetin, që po bëhet gjithnjë e më turistik. Liqeni dhe ishulli janë një joshje e bukur për turistët. Vetëm 2 euro kushton lundrimi prej dy kilometrash nëpër liqen, deri në ishull, e po kaq në kthim. Me siguri që shpjeguesit ua rrëfejnë turistëve të huaj atë historinë dashurore të Frosinës me të birin e “Mbretit” dhe mallkimin e këtij të fundit që zuri 17 vajza ta pafajshme, të cilat pashai mizor i Janinës mbyti bash më këtë liqen me kaq hijeshi dhe reflekse drite. Kalaja e Ali Pashës sodit brigjet, ujërat dhe drurët e lartë dhe soditet nga vizitorët e saj të vazhdueshëm, që mes të tjerash kërkojnë me sy lord Bajronin, i cili e ka portretin në muze. Aty ka dhe një arsenal armësh, shpatash, pisqollash dhe pushkësh, shumë enë zejtarie dhe veshjet karakteristike të trevës. Muzeu është një larmi dhe gërshëtim kulturash, ndonëse ti do të dëshiroje të ishte kryekrejet shqip, siç ka qenë historia e këtij qyteti. Pyesim për gjimanzin “Zosimea”, ku pati mësuar Naimi dhe shumë rilindës të tjerë, na thonë se është prapë shkollë, por, si ditë e diel, është mbyllur. Ali Pashë Tepelena është kudo në hapësirën Tepelenë - Gjirokastër - Janinë. E kemi lënë atje buzë Vjosës në mermer dhe e gjejmë nën dhé në anë të liqenit të Janinës. Na kujtohet se takimin e parë me pashain e kemi patur larg në fëmijërinë tonë, në një monument për suliotët qendrestarë, librin “Ali Pashë Tepelena” të Sabri Godos. Ndoshta nuk është e rastit që takimet me të shumta me Çamërinë i kemi përmes letërsisë. Kjo dhe nga pamundësia për të ardhur këtu si sot, por mbase më shumë nga tragjikja e saj. “Janinës ç’i panë sytë”, është këngë dhe lajtmotiv tronditës ekzistencial, me jehonë të pazakontë në njërin nga festivalet e Gjirokastrës. Bilal Xhaferri pati thurur një nga lirikat më të ndjera të letërsisë shqipe me titullin “Baladë Çame”, si një testament për ta dashur, kuptuar dhe nderuar Çamërinë martire. Ai është princi i letërsisë çame, kurse “balada” e tij nuk do të rreshtte dhe te krijuesit pasradhës. A mund të ketë varg më kumbues se sa “Në arat e braktisura kullosnin rrufetë?” Nuk është vetëm historia e trishtë e Frosinës, por dhe një roman kushtuar saj, i shkrimtares Mira Meksi, që bashkudhëtari ynë Prengë Pepa, drejtues i kompanisë “Farmavet” Lezhë, një pasionant i librit, e përmend si një vepër që i ka lënë mjaft mbresa. Ylberi është tashmë një metaforë e Çamërisë dhe vetëm pak ditë më parë poeti me origjinë nga këto vise, Agim Bajrami, na ka dhuruar librin e tij të fundit poetik plot “ylbere” të shndritshme çame.

Është e habitshme se si “mallkimi” ka qenë përhapur dhe tek ndonjë nesh. Në një nga qytet verior kishte shkuar me punë në Komitet një nga ato gratë e Luftës, militante e regjimit të asaj kohe. Ajo kishte një vajzë që i kishte ardhur koha e fejesës, e cila donte një djalë çam, simpatik, që punonte kuadër në ato anë. Fjala doli se ajo funksionarja e rrethit nuk ia dha vajzën atij djali se ai ishte çam (!) Ka ndejtur gjatë në memorien tënde përfolja se atij të riu ia ndaluan të dashurën të bëhej nusja e tij, duke e martuar me siguri më një jo-çam. Ndaj është e mirëpritur çdo gjë që bëhet sot për dinjitetin e popullisë së asaj krahine martire e fisnike. Siç dihet, në fundin e qershorit, prej shumë vitesh në “Javën Çame”, përkujtohen 2700 çamët që u shuan nga uria dhe etja, pas dëbimit nga vendi i tyre, Çamëria, prej forcave të errëta të gjeneralit nazist Napoleon Zervas. Ai genocid pati ndodhur shtatëdhjetë e tre vite (1944) në kohën e Luftës II Botërore, ashtu siç genocidi e spastrimi etnik për shqiptarët e trojeve arbërore nuk do të pushonte as në vitet ’90, kësaj herë në Kosovë nga shovinistët serbë të Milloshoviçit. Jo rastësisht në vitet ’40 të shekullit të kaluar këndohej: “Luftë për flamurin kuq e zi/ Ç’merr Kosovë e Çamëri...” Në ditët e sotme genocidi shfaqet në formën e terrorizmit, ku në qendër të Nju Jorkut në vitin 2001, nga shembja e kullave binjake, do të vdisnin 2700 vetë, një si numër fatal viktimash ky, paçka kohës kur ndodh gjëma, kombësisë së atyre që përfshin, në një vend të madh apo të vogël. Histeria e shfarosjes kolektive, dëbimeve masive, dhunës së verbër mbi gra e fëmijë, është njëlloj si në lashtësi, si në kohët moderne.

Por lajmi është se “Çamëria” po merr dimensionin e duhur të kujtesës historike, falë gjakut të pashprishur të bijve dhe bijave të veta. Ajo tashmë nuk është një çështje që ngrihet vetëm nga komuniteti çam dhe vetëm në Jug, por dhe në Tiranë etj. Ndihesh dhe ti pjesë e manifestimeve për ringritjen shpirtërore të Çamërisë. Gjersa asaj t’i kthehet përsëri gjuha e trojeve, si një e drejtë historike legjitime. Me zemër falenderon cilindo politikan, profesor, shkrimtar e veprimtar kombëtar, apo shoqatë që i shëlbon Çamërisë së rizgjuar, ndër të cilët dhe poeti i mirënjohur Ali Podrimja, që pati përpiluar një antologji poetike kushtuar asaj.

Nuk është e rastit që të gjitha këngët e motmotit dhe të reja i ndërlidhin në një “vargmal” Kosovën dhe Çamërinë. Presheva dhe Preveza ngjajnë si dy motra binjake me fat shekullor të bjerrë, por jo pa shpresën e së ardhmes për të qenë denjësisht e drejtësisht në gjuhën shqipe.

Muranat e Ballkanit nuk do të vazhdojnë pafundësisht pa rënë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat